Globus

Palestinezët do të rishqyrtojnë njohjen e Izraelit

540views

Udhëheqësit palestinezë i bënë thirrje Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) që të pezullojnë njohjen e Izraelit pas zhvillimeve të fundit mbi statusin e Kudsit, raporton Anadolu Agency (AA).

Anëtarët e Këshillit Qendror të Palestinës, një organ i rangut të lartë brenda PLO-së, grup ombrellë që përfshin shumicën e fraksioneve kryesore palestineze, votuan për të kërkuar pezullimin në një takim në Ramallah.

Takimi dy-ditor u hap të dielën nën titullin “Kudsi, kryeqyteti i përjetshëm i shtetit të Palestinës”, për të diskutuar mënyrat për të kundërshtuar vendimin e fundit të SHBA-ve për të njohur zyrtarisht Kudsin si kryeqytet të Izraelit.

Këshilli i kërkoi Komitetit ekzekutiv të rishqyrtojë njohjen e shtetit të Izraelit derisa Izraeli ta njohë shtetin e Palestinës me Kudsin si kryeqytet të saj.

Në rezolutën të cilën e lexoi kryetari i Këshillit Qendor, Salim Al-Za’noun, thuhet se periudha e tranzicionit e parashikuar në marrëveshjen e nënshkruar në Oslo në vitin 1993 nuk ishte më e vlefshme.

Këshilli poashtu vendosi “të dënojë dhe të refuzojë vendimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe për të zhvendosur ambasadën e vendit të tij nga Tel Avivi në Kuds”.

“Këshilli konsideron se administrata e SHBA-ve, duke njoftuar këtë vendim, ka humbur të drejtën për të vepruar si ndërmjetës dhe sponsor i procesit të paqes dhe nuk do të jetë partner në këtë proces, përveç nëse vendimi ndryshohet”, tha Këshilli Qendror.

Këshilli Qendror poashtu bëri thirrje që “komuniteti ndërkombëtar të marrë përgjegjësitë e saj në bazë të rezolutave përkatëse të OKB-së për t’i dhënë fund okupimit dhe t’i mundësojë shtetit të Palestinës të arrijë pavarësinë e saj dhe të ushtrojë sovranitetin e plotë mbi territorin e saj, duke përfshirë kryeqytetin e saj, Kudsin Lindor, në kufijtë e 5 qershorit të vitit 1967”.

Kudsi mbetet në qendër të konfliktit të Lindjes së Mesme, me palestinezët duke shpresuar që Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraelit, mund të shërbejë përfundimisht si kryeqytet i një shteti të pavarur palestinez.