Globus

Opozita siriane mbron të krishterët gjatë Krishtlindjeve

 Rreth 150 të krishterë në Suveyde në jug të Sirisë në qetësi kremtojnë festën më të madhe katolike Krishtlindjet, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo provincë siriane gjendet nën kontroll të opozitës siriane e cila siguron të vetmën kishë në rajonin Harba në Suveyde me qëllim që grupi i krishterë në qetësi të kryejë detyrat fetare.

Janë ndërmarrë masa të gjera të sigurisë në rrugët që shpiejnë deri te kisha si dhe në hyrjet dhe daljet e këtij vendi. Përreth kishës gjenden ushtarë të opozitës siriane të cilët mbajnë roje me qëllim që të krishterët në qetësi të kalojnë këtë festë.

Masat të cilat i ndërmori opozita siriane gëzoi pjesëtarët e pakicës krishtere në Seveyde të cilët me rastin e festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dekoruan shtëpitë e tyre.

Ky vend njihet si i vetmi ku jeton shumica e banorëve të krishterë.

George Bisara, një nga banorët për AA tha se Harba është shembulli më i mirë i bashkëjetesës së muslimanëve dhe krishterëve.

“Deri tani nuk kemi pasur as mosmarrëveshjen më të vogël. Secili respekton festën e njëri tjetrit. Këtu kemi familje muslimane që në luftë kanë humbur dikë të familjes. Për shkak të respektit ndaj tyre ne festojmë në atmosferë shtëpie”, sqaroi Bisara.

Ebu Saddam, njëri nga komandantët e Ushtrisë së Lirë Siriane, deklaroi se dëshiron që të krishterët të kalojnë festën në paqe dhe në mënyrën sa më të mirë.

“Ne i mbrojmë. Mbrojmë kishën dhe objektet fetare. Këtu jemi që të krishterët e Harbe-s në siguri të kryejnë ritet fetare”, porositi ai.