OKB: 313 mijë muslimanë të Arakanit kanë ikur në Bangladesh

Zëdhënësja e Komisariatit të Lartë për Refugjatët pranë Kombeve të Bashkuara (UNHCR) Duniya Aslam Khan bëri të ditur se që nga 25 gushti deri më sot për shkak të dhunës në Mianmar në Bangladeshin fqinj kanë ikur 313 mijë muslimanë të Arakanit (Rohingya), raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënsja Khan ka zhvilluar një bisedë për AA lidhur me muslimanët e Arakanit që kanë ikur në Bangladesh që nga viti 2012.

Khan theksoi se që nga tetori i vitit 2016 e deri në shkurt të vitit 2017 në Bangladesh janë strehuar afër 74 mijë muslimanë Rohingya.

“Meqë kufijtë ishin të mbyllur kur muslimanët në qytetin Sitwe të Arakanit u dëbuan, ne nuk kemi të dhëna të konfirmuara për atë kohë”, shtoi Khan.

“Numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladesh nga shpërthimi i dhunës në Arakan më 25 gusht ka arritur në 313 mijë”, tha Khan, duke i bërë thirrje të gjitha shteteve t’u dalin në ndihmë këtyre refugjatëve.

Në një deklaratë për AA të premten e kaluar, Khan tha se bilanci i muslimanëve Rohingya të ikur nga Arakani ishte 270 mijë dhe se parashihet që kjo shifër do të mbetet në më së shumti rreth 300 mijë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Zyrës Koordinative për Çështje Humanitare pranë OKB-së, Leonard Doyle, pas një pyetjeje nga gazetari i AA-së, tha se OKB nuk ka leje për qasje në Arakan dhe për këtë arsye nuk ka mundësi lëvizjeje në rajon.

“Presim që kufirin ta kalojnë edhe më shumë njerëz. Sado që të jetë shifra, ne do t’u ndihmojmë atyre”, shtoi ai.

Doyle i bëri thirrje të gjithë njerëzve në botë t’i mbështesin fushatat e nisura për muslimanët e Arakanit që kalojnë kufirin.

“E kalojnë kufirin në gjendje të pashpresë. Këta njerëz kanë nevojë për strehim, ushqim dhe ndihmë shëndetësore”, tha ai.

Ndërkaq, Doyle foli edhe për fushatat humanitare të Turqisë në Arakan.

“Sipas meje, bota duhet të dijë një gjë: Turqia tradicionalisht është vend jashtëzakonisht bujar për sa i përket çështjeve humanitare”, tha ai.

“Gjithsesi, ajo po tregon bujari të madhe për njerëzit që janë strehuar në të nga lufta në Siri apo luftërat e tjera. Edhe këtu, ne shohim një bujari krejt tjetër të njerëzve turq. Sipas meje, nuk ka të ngjashëm me ta në botë”, shtoi Doyle.

Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 150 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply