Histori islame

Njeriu më fisnik që kam njohur

531views

Hasan ibn Hadr, ka thënë:

“Kur Abasidët e morën halifatin nga Emevitët, anëtarët e mbijetuar të familjes Benu Umeje fshiheshin si dinin dhe si mundnin që të mos vriteshin nga dora e halifit abasid.

Në mesin e atyre që u fshehën nga abasidët ishte edhe Ibrahim ibn Sulejmani, nipi i halifit emevit Abdul Melik, deri kur Davud ibn Abasi e mori nën mbrojtje dhe ia garantoi sigurinë.

Me një rast halifi abasid Ebul-Abas es-Sefahu kërkoi nga Ibrahim ibn Sulejmani që t’i tregonte për detajet më interesante në lidhje me ikjen dhe fshehjen e tij nga Abasidët.

Ai kishte rrëfyer:

“O udhëheqësi i besimtarëve, unë u fsheha në një shtëpi në Hira (në Irak) dhe, derisa po qëndroja në derën e pasme të shtëpisë, pashë disa flamuj të zi që po shkonin për në Hira nga drejtimi i Kufes. Mendova se po më kërkonin mua, andaj u nisa në drejtim të Kufes.

Kur arrita në Kufe, nuk e njihja askënd tek i cili mund të fshihesha. Isha i pasigurt dhe i hutuar, kur pastaj papritmas u gjenda para një shtëpie të madhe me një oborr të madh, dhe hyra në atë oborr. Menjëherë pas meje në oborr hyri një njeri i pashëm, hipur në kali, me një grup kalorësish.

Ai më pyeti: “Kush je ti dhe çka po kërkon para shtëpisë sime?”

Unë i thashë: “Unë jam një njeri që ka frikë për jetën e tij, andaj kam ardhur që nga pronari i kësaj shtëpie të kërkoj strehim dhe ndihmë.”

Ai më futi në shtëpi, pastaj më çoi në një dhomë të cilën e kishte caktuar për mua. Në shtëpinë e tij, gjithçka kisha në dispozicion: rrobat, ushqimin dhe pijet, kurse mikpritësi fare nuk më pyeti për jetën time. Unë vura re se ai për çdo ditë udhëtonte diku me skuadrën e tij të kalorësve, kështu që e pyeta: “Ku jeni duke shkuar për çdo ditë me këta kalorësit tuaj?”

Ai u përgjigj: “Ibrahim ibn Sulejmani ma ka vra babain tim, dhe kam dëgjuar se ai është duke u fshehur diku, andaj po e kërkoj që të hakmerrem.”

Pasha Allahun, u tmerrova kur e mësova se fati më kishte sjellë në shtëpinë e njeriut i cili po kërkonte kokën time. Në atë moment unë edhe më shumë e urreja jetën time. E pyeta mikpritësin se si quhej babai i tij, dhe kur ai ma tha emrin e tij, e kuptova se ajo që thoshte ishte e vërtetë, dhe se babai i tij ishte njeriu që unë e kisha vrarë.

I thashë: “O miku im, ti e ke një hak tek unë, e ai haku është që të ta tregoj ty njeriun që e vrau babanë tënd.”

Ai u kthye nga unë dhe më pyeti: “Po ai ku është ai?”

I thashë: “Unë jam Ibrahim ibn Sulejmani që vrau babain tënd, andaj merre hakun tënd.”

Ai i hutuar tha: “Unë nuk të besoj ty, sepse po shoh se ti je lodhur nga fshehja, andaj e dëshiron vdekjen.”

Unë i thashë: “Jo, është e vërtetë ajo që të thashë. Unë e kam vrarë babain tënd në filan kohën, për filan shkakun.”

Kur ai u bind se unë po e flisja të vërtetën, u mrrol shumë, e sytë iu skuqen nga zemërimi, pastaj tha: “Sa të përket ty, ti do të takohesh me babain tim në Ditën e gjykimit dhe ai do të merr hak nga ti. Ndërsa, sa më përket mua, unë nga ky moment nuk ta garantojë sigurinë dhe mbrojtjen, andaj duhet ta lëshosh shtëpinë time!”

Para se të lëshoja shtëpinë e tij, mi ofroi 1000 dinarë, por nuk desha t’ia marr.

Ky njeri, pas udhëheqësit të besimtarëve, është njeriu më fisnik që kam takuar.”

Pershtati: Miftar Ajdini