Mendime

Njerëzimi kupton veç nga dashuria

1.95Kviews

Mehas Alija

Një njeri u jep pak para disa personave dhe u thotë që të blejnë dicka për të ngrënë për veten e tyre. Të pranishmit i marrin paratë dhe fillojnë që të blejnë gjëra për të ngrënë. Njëri nga ata ishte persian. Persiani thotë se me paratë që i ka në dorë do të blejë ‘engur’. Tjetri ishte arab. Arabi tha, jo unë do të blej ‘’inebun’. Turku thotë unë dua ‘yzym’. Ndërsa shqiptari thotë, unë nuk dua asgjë nga këto, porse unë do të blejë vetëm ‘rrush’. E i pesti, qenka rum. Rumi thotë, lëreni këto gjëra dhe po bërtet, unë dua ‘istafil’.

Në një moment situata fillon që të tensionohet, zërat fillojnë të rriten dhe më në fund, del përleshje. Ndërkohë, u afrohet një njeri dhe i dëgjon të gjithë. Pastaj i merr ata dhe i çon në pazar të frutave. Merr rrushin në dorë dhe një nga një i pyet të gjithë, duke u thënë: Ju këtë e deshët? Të gjithë u përgjigjen me “Po”.

Vetëm atëherë e kuptuan se të gjithë, në fakt, e paskan dashur të njëjtën gjë.

Njerëzimi do dashuri. Ai do mëshirë, bamirësi e butësi. Njerëzimi kupton veç nga dashuria.

Nëse sot të rinjtë që e kanë zbuluar këtë gjuhë të përbashkët të njerëzimit mund të kuptohen dhe të formojnë vëllazëri me njerëz të kombeve dhe kulturave të ndryshme, kjo gjë buron nga gjuha e përbashkët e të pasionuarve pas arsimit dhe dashurisë.

Sot, jemi përpara një momenti të çmuar ne fenë tonë dhe pas një muaji të bekuar. Para ca ditësh dolëm nga Ramazani dhe po ecim drejtë muajve të tjerë, drejtë ditëve të dhul-hixhes, drejtë haxhit dhe bajramit të Kurbanit… Me rëndësi është që në këtë periudhë të vazhdojmë të punojmë më shumë për vetveten, e ajo të bëhet shkak për t’u kthyer, më pas, kah Zoti i vërtetë, Allahu xh.sh.

Le të jenë arsimimi dhe dashuria, ato të cilat do të na këndellin më shumë për një kthesë vendimtare për ndryshime pozitive në jetën tonë.

Vitet kalojnë, dhe jeta jonë kalon, gjithashtu, drejtë një caku përfundimtar. Veç dashuria me besim, do ta bënte jetën më kuptimplote dhe më të sigurt.

Urojmë që periudha pas muajit të bekuar të Ramazanit të fillojë me një dashuri dhe paqe mbarënjerëzore, ashtu siç duhet, tanimë, të ketë filluar nga muslimanët.