Islamisitikë

Një lutje për Ramazan

526views

Elhamdulil-lāhi rabbil-ālemīn. Vessalātu vesselāmu alā resūlil-lāh …

● O Allah, Ty të takon çdo falënderim. Ti na krijove, na furnizove dhe na bëre muslimanë. Ti je i lavdëruar o Allah, kurse ne bëjmë mëkate përkundër begative që na ke dhuruar, ne jemi të pabindur ndaj Teje, përkundër fuqisë dhe madhështisë Tënde.

● O Allah, nëse Ti nuk na fal, kush do të na falë? Nëse Ti nuk na mëshiron, kush do të na mëshirojë?

● O Allah, ne nuk kemi zot tjetër përveç Teje, prandaj vetëm Ty po të lutemi!

● O Allah, ne po të kthehemi me pendim! Pash mëshirën, faljen dhe mirësinë Tënde, mos na refuzo nga mëshira, falja dhe mirësia Jote! Na prano neve, o Ti që e pranon pendimin nga robërit Tu dhe ua fal atyre veprat e këqija.

● O Allah, sado të mëdha që janë mëkatet tona, mëshira Jote është edhe më e madhe. Sado të shumta të jenë mëkatet tona, Ti vërtet i falë të gjitha mëkatet.

● O Allah, ne jemi të vetëdijshëm se vetes po i bëjmë zullum, por ne e dimë se askush, përveç Teje, nuk i fal mëkatet, andaj na fal neve, sepse Ti je Mëshirues dhe Falës.

● O Allah, na lejo që të kthehemi tek Ti në mënyrën më të mirë, o më i madhi Mëshirues.

● O Allah, na bëj që vetëm Ty të të shërbejmë! Që nga mëkatet të largohemi! Që të vërtetën ta flasim! Që të mirën ta mendojmë! Që vepra të mira të bëjmë! Që nga haku i huaj larg të qëndrojmë! Që diturinë e dobishme ta shtojmë!

● O Allah, mos lejo të na mashtrojë suksesi, as humbja të na hedh në dëshpërim! Gjithmonë na përkujto se dështimi është një sprovë që i paraprinë suksesit!

● O Allah na mëso se toleranca është shkalla më e lartë e pushtetit, kurse dëshira për hakmarrje, është shenja e parë e dobësisë!

● O Allah, nëse na merr pasurinë, na lë shpresën, nëse na jep sukses, na jep fuqinë e vullnetit për ta kapërcyer humbjen! Nëse na merr begatinë e shëndetit, na jep begatinë e besimit!

● O Allah, kur ne gabojmë ndaj njerëzve, na jep fuqinë e kërkimfaljes! Ndërsa kur njerëzit gabojnë ndaj nesh, na jep fuqinë e faljes!

● O Allah, nëse ne të harrojmë Ty, mos na harro Ti neve!

● O Allahu i dashur, na e prano syfyrin tonë, agjërimin, iftarin, namazin, ibadetin, lutjen, pash mëshirën Tënde, o më i madhi Mëshirues! AMIN!

Pershtati: Miftar Ajdini