Një histori e shkurtër e muslimanëve të Mianmarit

Muslimanët e Mianmarit jetojnë që nga kohët e dinastisë Pagane (849-1297), ndërsa muslimanët e parë të evidentuar në Mianmar janë dy vëllezër, bijë të një tregtari arab në vitin 1055, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 1983, muslimanët Rohingya numërojnë 4,5 % të popullatës së Burmës. [1]

Rreth një milion e gjysmë musliman birmanes jetojnë në diasporë, Bangladesh, Pakistan, në Malezi rreth 10.000, si dhe në Lindjen e Afërme dhe hemisferën perëndimore.

Vala e hershme e imigrantëve muslimanë në Mianmar ndodhi në Mesjetë, kur tregtarët dhe ushtarët mercenarë filluan të lëviznin në numër më të madh në atë pjesë të Azisë. Atëkohë më së tepërmi u populluan qytetet e mëdha të mbretërisë, siç janë Ava (Inwa), Amarapura dhe Mandalay, ku ekzistonin lagje të veçanta për tregtarët dhe zejtarët muslimanë, ndërsa mbreti i atëhershëm ka lejuar edhe ndërtimin e xhamive për nevojat e tyre. Atëkohë disa muslimanë qenë të angazhuar edhe në pozita të larta në mbretëri.

Vala e dytë e emigrantëve musliman në këto troje, ishin muslimanët kinez nga provinca Junnan kah mesi i shek. XIX. Ndërsa vala e tretë e emigrantëve muslimanë në Mianmar u nxit nga qeveria britanike për arsye ekonomike.

Për shkak të historisë së tyre, nuk i konsiderojnë birmanes dhe nuk i përkasin “qytetarëve” dhe as që i gëzojnë të drejtat e “Ligjit Civil 1982”.

Që nga viti 1962, kur në qeveri vjen Ne Win, muslimanët jetojnë nën represion të vazhdueshëm dhe diskriminim, pa mundësi udhëtimi jashtë vendit, pa mundësi nisje ndonjë biznes, arsimim apo ndërtim të xhamive; për më tepër, numri i xhamive të shkatërruara po rritet nga viti në vit. [2]

Këto përndjekje veçanërisht i kontribuojnë murgjit budistë, në krye të cilëve ishte Ashin Wirathu i cili më 2001 themeloi grupin ekstremistë antimuslimanë, ndërsa në vitin 2003 dënohet me 25 vjet burg, por më 2010 amnistohet. Që atëherë deri në ditët e sotme shkakton urrejtje dhe inkurajon vrasjen dhe djegien e të gjithçkaje që është pjesë e muslimanëve në Mianmar. Revista Time, në vitin 2013 shpalli në ballinën e saj titullin: “Fytyra e terrorit budist”.

Çfarë statusi kanë muslimanët e Mianmarit?

“Bashkësitë religjioze të Mianmarit janë të margjinalizuara. Kjo në veçanti është e theksuar kur bëhet fjalë për muslimanët, nga të cilët shumica janë emigrantë nga Azia Jugore e kohës së qeverisjes britanike. Ekzistojnë kufizime të mëdha kur bëhet fjalë për aktivitetet fetare, në veçanti në Arakan. Vlen të theksohet se 200-300 mijë Rohingya muslimanë u dëbuan nga këto vise për në Bangladesh në vitin 1978 dhe 1991-1992. Ndërsa bashkësia fetare krishtere e ka pakëz më lehtë dhe u lejohet të mbajnë kontakte me bashkësitë krishtere jashtë vendit…” [3]

Deklaratat për përndjekje dhe vrasje të viteve ’30

Që nga viti 1935, gazetat birmaneze (sot Mianmar) kanë shkruar kundër muslimanëve dhe se si muslimanët “kanë përvetësuar pasuritë birmaneze dhe bijat dhe motrat e tyre”. Ata nxitën persekutimin e muslimanëve, ndalimin e martesave ndërfetare, ndalimin e kulturës, madje edhe bojkotimin e dyqaneve muslimane.

Rritjes së tensionit (pretendohet) i parapriu shkrimi i dy librave nga muslimanët, në të cilën ata sulmuan dhe mohonin budizmin. Megjithatë, gazetat birmaneze përdorën pretendimet e tilla vetëm si nxitje dhe presion mbi qeverinë për të miratuar persekutimin e popullsisë jo-vendase. Më vonë u konstatua se këto libra nuk mund të kishin shkaktuar fare një shkallë të tillë të dhunës, por se ishte mashtrimi i medias së atëhershme dhe murgjit budistë për të nxitur masat.

Më 28., 29. dhe 30. korrik 1938 filluan sulmet e muslimanëve dhe hindusëve dhe djegia e shtëpive dhe dyqaneve të tyre. U vranë me dhjetëra muslimanë, ndërsa manastiret budiste shfrytëzoheshin si qendra për koordinim. Barbarizmi dhe përndjekjet nuk ishin të njëjta në të gjitha regjionet, më së tepërmi e pësuan muslimanët në Yenangyuang, Sagaing dhe Shwebu, ku janë plagosur dhe vrarë qindra muslimanë dhe është shkaktuar dëm disa milionësh, ndërsa janë djegur krejtësisht pronat dhe 113 xhami. [4]

Dy masakrat e muslimanëve në Mianmar gjatë 50 viteve të fundit

Djegiet, vrasjet dhe përndjekjet e muslimanë Rohingya zgjasin me dekada, ndërsa më të mëdhatë ndodhën në vitin 1978, kur 200-300 mijë muslimanë u dëbuan në Bangladesh duke ikur nga mizoritë e policisë mianmare, Tatmadawa. Kriza tjetër ndodhi në vitet 1991-1992 kur u dëbuan edhe 280.000 të tjerë. [5]

Të drejtat qytetare në Mianmar ndahen në tre kategori, kategoria e parë janë pasardhësit e banorëve të Burmës para luftës anglo-birmaneze, ndërsa pakicat siç janë muslimanët Rohingya i takojnë grupit të fundit, pa asnjëfarë të drejte dhe dokumente identifikimi që janë të nevojshme për udhëtime jashtë vendit. Gjithashtu, me ligjin e vitit 1982 muslimanëve u ndalohet ndërtimi i xhamive të reja. [6]

Shteti Arakan ku jetojnë muslimanët Rohingya

Shteti Arakan (Rakhine) është njëri nga 14 shtetet e shtetit birmanez, me sipërfaqe 36.778 kilometra katrorë dhe popullatë 2,7 milion, sipas statistikës së vitit 2000, ndërsa me regjistrimin e vitit 1983 kishte 2.045.559 banorë.

Shumica e popullatës janë Arakanët (Rakhinet), që janë budistë dhe ndajnë kulturën dhe gjuhën me birmanezët. Megjithatë, aty ekziston edhe një pakicë e madhe Rohingya, që janë me përkatësi muslimane.

Kryeqytet është Sittwe, i njohur gjatë periudhës kolonizatore britanike si Akyab. Arakani njihet me ligj si shtet nga viti 1974 dhe përbëhet nga pesë qarqe (Sittwe, Maungdaw, Buthitaung, Kyaukpyu dhe Sandoway [Thandwe]).

___________________

[1] Donald E. Seekins, Historical Dictionary of Burma (Myanmar), fq. 81.

[2] Ibid, fq. 310-311.

[3] Ibid, fq. 11.

[4] Shih: Moshe Yegar, The Muslims of Burma, fq. 36-37.

[5] Shih: Donald E Seekins, Historical Dictionary of Burma (Myanmar), fq. 106-107.

[6] Ibid, fq. 213.

 

Përktheu: Lutfi Muaremi

www.breziiri.com

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply