Niset grupi i parë i haxhinjve nga Kosova

Rexhepi njoftoi se në mesin e haxhinjve të ardhshëm që do të udhëtojnë për në tokat e shenjta janë 400 gra

Mbrëmë nga Kosova është nisur grupi i parë i besimtarëve muslimanë të cilët udhëtojnë drejt vendeve të shenjta për të kryer kushtin e pestë të Islamit Haxhin, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë, në tokat e shenjta haxhinjtë e ardhshëm u përcollën nga familjarët dhe të afërmit e tyre.

Veli Vitija nga Prishtina, i cili për herë të dytë do të kryej Haxhin tha se: “Është kënaqësi të jesh në ato vende. Nuk mund ta përshkruaj, janë ndjenja të veçanta”.

18 vjeçari Erlet Janjeva nga Prishtina është haxhiu më i ri i ardhshëm. Ai tha se shkuarjen në haxh ia ka mundësuar babai i tij.

“Kam qenë edhe në umre, por haxhi është më ndryshe. Ka emocionet më të mëdha. Shpresoj Zoti t’ua mundësoj të gjithë muslimanëve”, u shpreh Janjeva për AA.

Ndër haxhinjt e shumtë që do ta vizitojnë vendin e shenjtë për herë të parë ishte edhe Lejla Feta, poashtu nga Prishtina. Ajo tha se: “Pasi që edhe e kemi obligim ishte një dëshirë e kahmotshme e imja që mu mundësua të shkoj këtë vit. Ai që ka mundesi mos ta lenë pa e vizituar atë vend të shenjtë, sepse njeriu aty e sfidon veten sa është i fortë karakteri i njeriut”.

Sekretari i përgjithshëm i kryesisë së Bashkësisë Islame në Kosovë (BIK), Resul Rexhepi, bëri të ditur se mbrëmë u nis aeroplani i parë me 216 haxhinj, ndërsa katër grupe të tjera do të udhëtojnë brenda tre ditëve të ardhshme nga Kosova. Rexhepi njoftoi se në mesin e haxhinjve të ardhshëm që do të udhëtojnë për në tokat e shenjta janë 400 gra.

“Nga Kosova këtë vitë do të udhëtojnë gjithsej 1.080 haxhinj. Natyrisht ata vijnë prej të gjitha vendeve të Kosovës, kështu që shpresojmë të kalojne një haxh të mirë dhe të lehtë”, tha Rexhepi.

Ndryshe, haxhinjtë e ardhshëm nga Kosova do të udhëtojnë me 5 aeroplanë nga Prishtina për në Mekë, Xhidde dhe do të kthehen nga Medina në Prishtinë. Grupi i dytë do të niset më datën 20, ndërsa të tjerët më 21 gusht. Kthimi i tyre do të jetë me datën 16-17 shtator.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply