Fikh

Nijeti dhe qëndrimi në namaz sipas medh’hebit hanefi

1.33Kviews

Nijeti është njëri nga gjashtë kushtet për vlefshmërinë e namazit, sepse në përgjithësi adhurimet nuk janë të vlefshme pa nijet. Imam Buhariu (hadithi nr.1) dhe imam Muslimi (1907) e regjistrojnë nga Omer ibn Hatabi r.a. se i Dërguari  Allahut s.a.v.s ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit (qëllimit) dhe çdo njeri shpërblehet në saje të nijetit të tij…”

Fjala nijet nënkupton qëllimin dhe dëshirën, në këtë rast qëllimin për të falur namazin konkret. Dijetarët muslimanë pajtohen se dëshira është çështje e zemrës dhe se nijeti për namaz mjafton të thuhet  me zemër. Kjo do të thotë se personi, para se të fillojë të fal namazin, është i obliguar që me zemër të bëj nijet se cilin namaz do të fal. Megjithatë, dijetarët  nuk kanë qëndrim unik për atë se, thënia e nijetit për namaz me anë të gjuhës, ashtu siç është në traditën e myslimanëve shqiptarë, a është sunet, mustehab apo bidat?

Dijetari El- Kasani regjistron se shqiptimi me gojë i nijetit nuk përmendet në librat bazë të medhhebit hanefij. Megjithatë, Muhamed Esh-Shejbani (Kitab El-Asl, vëll.2 faqe 343 – 344) përmend se pas veshjes së Ih’ramit dhe faljes së nafiles thuhet nijeti i haxhit me fjalët: „Allahumme inni uridu-l-haxhe, fejessirhu li ve tekabbelhu minni (Allahu im, kam për qëllim të bëj haxhin, andaj ma lehtëso dhe ma prano)“.

Ky nijet thuhet në bazë të hadithit që e regjistron Buhariu (1534) nga Omeri r.a. se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në luginën Akik duke thënë: “Mbrëmë më erdhi mysafiri nga Zoti im (Xhebraili) dhe tha: “Falu në këtë luginë dhe thuaj: Umre me haxh (nijet për të bërë umren bashkë me haxhin).” Andaj, El-Kasani  (Bedai’, vëll. 2, faqe 20) dhe dijetarë të tjerë të medhhebit hanefij konsiderojnë se të shprehurit me gojë e nijetit të namazit është sunet sepse me këtë kërkohet ndihma e Allahut gjatë faljes së namazit dhe lutet që Allahu i Madhërishëm ta pranojë namazin.

Dijetari El-Hejthemi (Mexhme zevaid, nr. 2578) regjistron se Abdullah ibn Mes’udi r.a. ka thënë: “Bëni shprehi të mirën, sepse kush e bën shprehi të mirën, ai vepron mirë dhe kujdesuni për nijetet tuaja në namaz.”

Es-Semerkandi (Tuhfa, vëll 1., fq. 125) thotë se më mirë është që nijeti i namazit të bëhet dhe të shprehet pak para tekbirit fillestar, sepse me këtë ruhet pastërtia e nijeti (kështu është edhe në traditën e muslimanëve shqiptarë)

Nijeti në xhemat

Kur falet namazi me xhematë, duhet të bëhet nijet se namazi falet pas imamit (Es-Semerkandi, Tuhfa, vëll 1., fq. 125).

Në një hadith të gjatë Buhariu (689) dhe Muslimi (411) regjistrojnë nga Ebu Hurejre r.a. se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Imami është vendosur për t’u ndjekur.”

Taberani  (Evsat, nr. 3545) transmeton nga Xhabir ibn Abdullah se i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Imami është përgjegjës. Atë çka ai bën, bëni edhe ju!”

Të dy hadithet tregojnë vlerën dhe rëndësinë e pozitës së  imamit në faljen e namazit, andaj nuk është e pranueshme që dikush t’i bashkohet namazit me xhematë  dhe të mos ketë qëllim të ndjek imamin dhe të mos e pranojë udhëheqjen e namazit nga ai.

Ibrahim En-Nehai’  në lidhje me këtë  thotë: “Nëse i bashkohesh xhematit, ndërsa nuk ke bërë nijet se do të falësh namazin e njëjtë sikur edhe xhemati atëherë namazi yt nuk do të jetë i vlefshëm. Dhe nëse imami ka bërë nijet për një namaz, ndërsa xhemati pas tij ka bërë nijet për namaz tjetër, namazi i imamit do të jetë në rregull, ndërsa namazi i xhematit nuk do të vlejë.” (Esh-Shejbani, Kitab el-Asar, në komentimin e transmetimit të 102)

Distanca e këmbëve gjatë qëndrimit në namaz

Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë: “…Dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut.” Në bazë të këtij ajeti dijetarët muslimanë pajtohen se qëndrimi në këmbë në namaz është pjesë e namazit (rukn). (El-Merginani, El-Hidaje, vëll 1., fq. 302).

Duke marrë parasysh se nuk ekzistojnë hadithe të vërteta për atë se sa duhet të jetë distanca mes këmbëve gjatë qëndrimit në namaz, Jusuf Binuri konsideron se është sunet që personi në namaz të qëndrojë me përulësi dhe këmbët as të mos i hap shumë as mos t’i mbledh shumë (Maerif es-Sunne, vëll 2., fq. 299), siç bëjnë shumë njerëz në kohën e sotme.

Dijetari i njohur hanefij Ibn Abidin (Reddul-muhtar, vëll 2., fq. 131.)  thotë se distanca mes këmbëve në namaz duhet të jetë sa katër gishta të dorës, sepse kjo është më afër përulësisë në namaz. Nga ana tjetër është mekruh të mblidhen këmbët sa njëra të prek tjetrën.

Imam Nesai (904) regjistron se Abdullah ibn Mes’udi e pa një njeri se si i kishte mbledhur këmbët gjatë qëndrimit në namaz dhe tha: “Je duke vepruar në kundërshtim me sunetin.”

Ai cili nuk ka mundësi të qëndrojë në namaz, do të falet ashtu siç ka mundësi.

El-Buhari (1117)  regjistron nga Imran ibn Husejn r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Falu në këmbë, dhe nëse nuk ke mundësi atëherë falu ulur, por nëse edhe kështu nuk mundesh atëherë falu shtrirë.”

 

-VAZHDON-

 

Autorë: Elvir Duranović i Sumeja Ljevaković

Përktheu: Arsim Dauti

(Breziiri)