Netanyahu: Bashkëpunimi i Izraelit me vendet arabe më i mirë se kurrë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi sot se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me vendet arabe janë më mirë se kurdoherë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Qeverisë izraelite, Ofir Gendelman, iu drejtua sot nëpunësve të Ministrisë izraelite të Punëve të Jashtme dhe me këtë rast përcolli deklaratën e Netanyahut i cili ka thënë se më herët asnjëherë nuk ka parë një trend të tillë pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve arabe.

“Ende nuk kemi konfirmuar saktë vëllimin e bashkëpunimit të Izraelit me vendet arabe, por është më i mirë se kurrë. Kjo është kështu, pa marrë parasysh palestinezët. Për fat të keq, palestinezët ende nuk kanë ndryshuar idetë dhe qëllimet e tyre për të arritur çfarëdo zgjidhje”, theksohet në deklaratën e Netanyahut të cilën e përcolli Gendelman.

Netanyahu më parë edhe personalisht tha se marrëdhëniet e Izraelite me vendet arabe janë gjithnjë më intensive dhe të mira, por nuk zbuloi detaje.

Negociatat e paqes me qëllim të zgjidhjes së konfliktit disadekadësh palestinezo-izraelit janë bllokuar në prill të vitit 2014. Palestinezët kërkojnë të drejtën e kthimit për të gjithë të dëbuarit nga zonat e pushtuara, dhënien fund të ndërtimit të vendbanimeve ilegale hebreje dhe vendosjen e shtetit të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor. Këto kërkesa për Izraelin janë të papranueshme.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply