Nesër është dita e arifesë, miliona besimtarë e agjërojnë këtë ditë

Dita e arifesë, kështu njihet tek ne shqiptarët, është dita që bie një ditë përpara ditës së Bajramit të Kurbanit. Në këtë ditë, të gjithë haxhilerët që janë në Mekë, duhet të dalin në Arafat. Andaj, ata të cilët nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në Haxh, këtë ditë e agjërojnë.

Se kjo ditë është e madhe, shume e vlefshme, edhe për ata që nuk  kanë pasur mundësi ta kryejnë Haxhin, tregojnë hadithet në vijim:

  • Ebu Katadeja, radijall-llahu anhu, tregon se e kanë pyetur Pejgamberin a.s., mbi agjërimin e ditës së Arafatit, kurse ai është përgjigjur: “I shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që vjen”. (Muslimi)
  • Transmeton Muslimi nga Aisheja r.anha se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën All-llahu liron njerëz nga zjari i xhehenemit ma shumë sesa në ditën e Arafatit. Ai afrohet dhe pastaj mburret me ata melekëve, duke thënë: çka dëshirojnë këta njerëz?”. Kurse Ibën Omeri, radijall-llahu anhuma, thotë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “All-llahu mburret para melekëve ditën e Arafatit me ata që qëndrojnë në Arafat dhe thotë: shikoni robërit e Mi, Më kanë ardhur të raskapitur dhe të pluhurosur”. (Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi.)
  • Abdullah b. Amr transmeton se Muhammedi a.s. ka thënë: „Lutja më e mirë është lutja që bëhet në ditën e Arafatit.“ (Imam Tirmidhiu, imam Ahmedi).

Mbi të gjitha, këtë ditë e ka veçuar Allahu xh.sh., duke e përmendur dhe betuar për të në Kur’anin fisnik.  All-llahu i Madhërishëm nuk betohet për gjëra pa vlerë, por betohet me gjëra të mëdha. Kjo ditë, është “dita e dëshmuar” në ajetin: “Pasha atë që dëshmon dhe të dëshmuarën!”. (El-Buruxh: 3)  Dhe kjo ditë është dita “tek” me të cilën betohet All-llahu në Kur’an:  “Pasha çiftin dhe pasha tekun!”. (El-Fexhr: 3). Ibën Abbas r.a. thotë: “Dita çift është dita e kurban bajramit (10 Dhulhixhe), kurse dita tek është dita e Arafatit (9 Dhulhixhe). ”

Përgatiti: Mehas Alija

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply