Nacionale

Në Shqipëri shënohet Dita e Mësuesit

383views

Sot në Shqipëri është shënuar Dita e Mësuesit, dedikuar të gjithë mësuesve dhe stafeve akademike në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Institucionet në bashkëpunim me shkollat në vend kanë organizuar aktivitete për të shënuar Ditën e Mësuesit, ndërsa presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, vizitoi Shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, ku Meta ka qenë nxënës i saj, duke uruar mësuesit për Festën e 7 Marsit.

Presidenti i Shqipërisë pasi u takua me drejtuesit e shkollës, mësuesit dhe nxënësit mbajti një fjalë përshëndetëse, ku theksoi se profesioni i mësuesit është misioni më i rëndësishëm në një shoqëri.

“Figura e mësuesit për mua është dyfish e dashur pasi edhe dy prindërit e mi kanë qenë mësues. E kuptoj edhe nga plani tjetër, pra ai i familjeve të mësuesve, se çfarë përjetojnë ata kur nxënësit e tyre arrijnë të kenë një sukses në jetë, çfarë kënaqësie ata ndjejnë për kohën që kanë kaluar, për kujdesin që kanë treguar dhe ndjejnë çdo sukses të nxënësve të tyre dhe si sukses të tyre, që u jep forcë për të vazhduar misionin e tyre edukues”, tha Meta.

Meta theksoi më tej se sot është koha për të bërë një apel të fortë për një bashkëpunim më intensiv midis shkollës edhe familjes dhe sipas tij familja gjithashtu ka një rol shumë të rëndësishëm për edukimin e fëmijëve.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishin pjesë e aktivitetit “Shtegu i dijes”, një hapësirë me pemë kushtuar mësuesve të Tiranës. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë një takim me mësuesit.

Dita e Mësuesit përkon me hapjen e shkollës së parë shqipe, më 7 mars 1887 në qytetin e Korçës.