Globus

Në Shkup shënohet Nata e Regaipit

481views

Në Xhaminë Jahja Pasha në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, u organizua program me rastin e Natës së Regaipit, nata e xhumasë së parë të muajit Rexhep sipas kalendarit islam, që konsiderohet si paralajmëruesi i ardhjes së tre muajve të shenjtë (Rexhep, Shaban, Ramazan), raporton Anadolu Agency (AA).

Në programin e organizuar në bashkëpunim nga Konsulenca e Shërbime Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, u lexuan lutje, ndërsa hafëzat nga Turqia, Fatih Koca, Yaşar Çuhadar, Muhammet Sevinç dhe Şükrü Asıleren lexuan pjesë nga Kurani dhe ilahi.

Murat Alkan, kreu i Konsulencës së Shërbimeve Fetare, të gjithë muslimanëve në Maqedoni ua uroi hyrjen në tre muajt e shenjtë, tha se për programin e organizuar ka interesim të madh.

“Xhamia thuajse u mbush. Zoti e përçoftë këtë bollëk edhe në zemra”, shtoi ai.

Alkan u shpreh po ashtu se ky program brenda ditës është organizuar edhe në Xhaminë Murat Pasha, kurse neser do të organizohet në Xhaminë Halveti Teqe.

Ndërkaq, edhe myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, shprehu urimet e tij për Natën e Regaipit.

Në kalendarin islamik, netët Lejletu-r-Regaib, Lejletu-l-Miraxh, Lejletu-l-Berat dhe Lejletu-l-Kadër, janë të përzgjedhura në krahasim me netët tjera të vitit, dhe për këtë arsye këto karakterizohen me shtimin e adhurimit, namazeve vullnetare dhe leximit të Kuranit. Ditët dhe netët e muajve të bekuar Rexhep dhe Shaban janë lajmëtarë për ardhjen e ditëve të Ramazanit.

Lejletu-r-Regaib është dita e një fillimi të ri në historinë e njerëzimit dhe është e para nga tre netët e përzgjedhura që njoftojnë ardhjen e muajit të Ramazanit. Shënohet të enjten e parë të muajit Rexhep. Bazuar në mësimet islame, kjo është nata që paraqet mëshirën e Allahut ndaj njeriut.

Lutja drejtuar Zotit të Plotfuqishëm është një lidhje dhe mëshirë që lidh Krijuesin dhe krijesat e Tij, kështu që besimtarët, muslimanët në mbarë botën natën e sotme të bekuar e kalojnë në adhurim dhe lutje.