Aktualitete

Në Jemen, çdo dhjetë minuta vdes një fëmijë

Një grup humanitar ndërkombëtar vlerëson se në Jemen për çdo ditë vdesin nga 130 fëmijë si rezultat i urisë ekstreme dhe sëmundjeve të ndryshme.

Organizata humanitare “Save the Children” thotë që vazhdimi i bllokadës së forcave të koalicionit të prira nga Arabia Saudite e cila lufton kundër rebelëve shiit Huth dhe forcave lojale ish kryetarit Ali Abdullah Salih, akoma më tepër do ta rrisin shkallën e vdekshmërisë.

“Këto vdekje janë të pakuptimta sepse ato mund të parandalohen”, pohon Tamer Kirolos, kryetari i organizatës humanitare  “Save the Children” për zonën e Jemenit.

“Barnat themelore, karburantet dhe ushqimi mund të harxhohen për disa javë”, shtoi ai. “Është krejtësisht e papranueshme që fëmijët të vdesin për shkak të neglizhencës dhe mungesës së vullnetit politik”.

Organizata pohon se gati 400,000 fëmijë do të kenë nevojë për trajtim për kequshqyerje akute, por nga shkaku i bllokadës ekzistuese dhe mungesës së fondeve, gjysma e këtyre fëmijëve nuk do të kenë mundësi trajtimi dhe pothuajse një e treta e atyre që nuk do të kenë qasje trajtimi, do të vdesin.

Është vlerësuar se ushqimi dhe medikamentet do të harxhohen brenda tetë deri në dymbëdhjetë javë, nëse bllokada nuk hiqet së shpejti.

Edhe para bllokadës së fundit, u vlerësua se rreth 50,000 fëmijë të pafajshëm do të vdesin për shkak të urisë ose sëmundjes këtë vit, apo mesatarisht 130 fëmijë në ditë, ose një fëmijë çdo 10 minuta.

“Është e paskrupullt që të ndëshkohen fëmijët e Jemenit duke kufizuar aksesin në disa pjesë të vendit”, tha Kirolos.

Organizata humanitare tha se aktualisht ka vetëm pesë kontejnerë me ushqime për fëmijët e sëmurë dhe të uritur që kanë ngecur në Aden për shkak të mbylljes së rrugëdaljeve.

Koalicioni nën udhëheqjen Saudite bllokoi rrugët tokësore dhe ajrore të atij vendi pasi një raketë balistike u nis nga zona e Jemenit drejt kryeqyteti saudit, Riad. Megjithatë, të hënën, pas kritikave ndërkombëtare, koalicioni njoftoi se do ta heqë bllokadën.

Sipas OKB, gati 7 milion njerëz në Jemen janë në prag të urisë dhe mbijetojnë vetëm me ndihmën e organizatave humanitare.

(breziiri)