Islamisitikë

Ndërsa ishim një Ummet i bashkuar

936views

“Unë jam Sulltani i sulltanëve dhe prova e sundimtarëve. Unë jam hija e Allahut në Tokë, halif i të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem dhe urdhërdhënës i besimtarëve. Unë jam rojtari i tre qyteteve të shenjta: Mekkes, Medines dhe Kudsit, dhe sulltan i detit të Bardhë, të Zi dhe detit të Kuq. Unë jam sulltani i Carigradit (Stambollit), Bursës, Anadolisë, Damaskut, Halepit, Egjiptit, Hajrevanit, Basrës, el-Ahsës dhe të gjitha tokave arabe. Unë jam sulltan i Jemenit, Azerbejxhanit, Rumelisë, Armenisë, Kirmanit, Dijarbakarit, Kurdistanit, Berkës, Cilicies, Karamanit, Etiopisë, Tripolit, Qipros, Rodosit, Greqsië, Tatarisë, Gruzisë, Turkistanit, Bosnjës dhe vendeve përreth, Beogradit, Serbisë dhe Shqipërisë…”

Dikur kështu fillonin letrat e sulltan Sulejmanit ndërsa u shkruante mbretërve dhe udhëheqësve. Në kohën kur vendet e përmendura i nënshtroheshin një sulltani, atëherë kur të gjithë muslimanët ishin të bashkuar dhe udhëhequr nga sulltan, pa marrë parasysh racën, prejardhjen, përkatësinë kombëtare apo gjuhën.

Ky unitet ishte sekreti i fuqisë së tyre që u rrëzua kur u thye unaza e quajtur ‘halif’ dhe kur u prish uniteti musliman, kështu që si pasojë e saj u bëmë arabë, kurdë, persë etj. Fuqia, pushteti dhe uniteti i muslimanëve u zhdukën kur nisëm ta luftonim njëri-tjetrin dhe t’i ndihmonim armiqtë tanë kundër njëri-tjetrit. Prandaj, sot nuk ka asnjë pengesë që Sionistët dhe armiqtë e tjerë të Islamit dhe Muslimanëve të jenë aleatët e mi kundër vëllezërve muslimanë, nëse kjo do të çojë në arritjen e qëllimit tim dhe do të më japë mua atë që dua.

Islami ishte faktori kryesor, nëse jo edhe i vetmi, që i tuboi të gjitha kombet, racat dhe gjuhët e ndryshme në vendet tona. Islami arriti t’i unifikojë dhe bashkojë të gjitha dallimet dhe kundërshtimet dhe të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet e ndërsjella dhe t’i bëjë muslimanët Ummet unik dhe superior.

Islami është feja e cila në gadishullin arabik vëllazëroi Suhejbin bizantinas, Bilalin abesinas dhe Selman Farisiun. Islami ishte mëshirë edhe për ata që nuk e pranuan islamin, siç ishin Koptët egjiptas të cilët ishin të krishterë, por vetëm nën juridiksionin islam e gjetën drejtësinë edhe pse paraprakisht udhëhiqeshin nga bizantinët që ishin të krishterë sikur ata. Islami erdhi t’i çrrënjos të gjithë llojet e fanatizmit, nacional-shovinizmit dhe në vend të tyre të zënë vend mëshira ndaj të gjithë njerëzve.

Uniteti u zhduk kur ky besim u dobësua në zemrat e bartësve të tij, dhe pastaj përsëri filluam ta kujtojmë njëri-tjetrën për gjërat që na ndajnë dhe përçajnë, dhe harruam gjërat që na bashkojnë, kështu ne filluam stagnojmë dhe prapa mbesim dhe u kthyem në kohën e injorancës, dhe filluam të mburremi dhe krenohemi me prejardhjen dhe filluam ta luftojmë njëri-tjetrin për krenari të arabëve, kurdëve, persianëve dhe kombeve të tjera, pasi që të gjithë ishim muslimanë dhe si të tillë ishin krenarë dhe të avancuar.

Nuk e kam fjalën për çështjen politike, por për aspektin fetar i cili është shumë më me rëndësi ngase politika ndryshon, ndërsa feja asnjëherë jo. Pasi që Islami na bashkoi, nacionalizmi na shkatërroi, kështu që njerëzit e të njëjtit komb filluan ta luftojnë njëri-tjetrin.

Është shumë e dhimbshme të shihet kjo rritje e pabesueshme e nacionalizmit, sektarizmit, separatizmit dhe përleshjeve që sot në botën muslimane përhapet si zjarri.

Ne sot jetojmë në kohë kur e shohim bombardimin e Jemenit nga “Aleanca arabe”, e shohim Bashar Esedin, i cili është arab, i fton rusët t’i vrasin arabët; i shohim se si vendet Gjirit arab luftojnë kundër Katarit, se si kurdët po përpiqen të ndahen dhe formojnë shtetin kurd. Gjithashtu, kohët e fundit kemi parë kënaqësinë e jashtëzakonshme të disa vendeve dhe liderëve arab, sepse ata shpresonin se do të kishte sukses grusht shteti në Turqi.

Dikur, uniteti ishte çelësi i suksesit të ummetit islam. Këtë më së miri e dinte dhe kuptoi i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem, ndaj e përdori marrëveshjen e paqes së Hudejbijes për t’i tubuar fiset arabe rivale për të ndërtuar një tërësi unike dhe të fortë muslimane. Këtë e kuptoi edhe halifi i parë i muslimanëve, Ebu Bekri, kur i luftoi felëshuesit dhe kur muslimanët u ribashkuan, dhe i fituan dy superfuqitë e asaj kohe, Persinë dhe Bizantin.

Këtë e kuptuan edhe Nuruddin el-Zenki dhe Salahuddin Ejjubi, të cilët jetën ia kushtuan unitetit të muslimanëve. Si rezultat i kësaj, ata suksesshëm bashkuan ushtritë e Egjiptit dhe Shamit dhe e çliruan Kudsin nga kryqtarët.

Sikur sulltan Selimi I të mos jepte mundin maksimal në bashkimin e botës muslimane, nuk do të bëhej hilafeti Osman shteti më i madh në botë. Dhe Sulejmani nuk do të kishte sukses të depërtojë në Evropë, duke çliruar Beogradin, Hungarinë dhe ishullin Rodos, e as që do t’i fillonte letrat në mënyrë që të ndjehet fuqia dhe forca të cilat Allahu ua dhuroi.

Në anën tjetër, tendencat nacionaliste dhe separatiste gjithmonë ishin në shenjë të shkatërrimit, dobësisë dhe përleshjeve, ku secila palë dëshironte ta rriste ndikimin dhe kontrollin e saj dhe të bashkëpunonte me armikun, për të cilin të dyja palët muslimane janë të njëjta.
Historia shënon raste të shumta. Natyrisht, vlen të përmendet se rënia e Kudsit (Jerusalemit) në duart e Kryqtarëve ishte rezultat i dobësimit të shtetit Abasid dhe rritjes së ndikimit të shteteve të vogla myslimane dhe konflikteve midis tyre.

Është e njohur përleshja në mes Selxhukëve dhe Fatimive rreth sundimit të Kudsit, që përfundoi me ngadhënjimin e Fatimive dhe marrjen e Kudsit në vitin 489, që i parapriu rënies së Kudsit nga kryqtarët në vitin 492 kur më nuk kishte muslimanë që ta shpëtojnë Kudsin nga duart kryqtare. Madje edhe Selxhukët u përleshën në mes vete. Më vonë, një prej shkaqeve të rënies së Shtetit Osman ishin idetë dhe përleshjet e njohura për shkak të nacionalizmit.

Mirëpo, sikur nuk e kemi marrë leksionin nga historia, prandaj historia po na përsëritet. Çfarë ishte Mustafa Kemal Ataturku, përpos një nacionalisti turk i cili luftonte për dominimin e nacionalizmit turk mbi nacionalizmat tjerë?! Çfarë ishte Sherif Husein përpos një nacionalisti arab i cili luftoi për dominimin e nacionalizmit arab, ashtu që revolucionin e vet e emëroi Revolucioni i Madh arab, edhe pse përdorte armatim anglez. Natyrisht, më vonë ata qëndruan krahas anglezëve kundër hilafetit Osman në Luftën e Parë botërore, pas së cilit u përmbys hilafeti musliman, të cilin që nga ajo kohë më nuk e rikthyen kurrë.

Domethënë, këto janë rezultatet e nacionalizmit dhe ideologjive nacionaliste: dyfishimi i dobësimit të muslimanëve, rënia e hilafetit dhe shkatërrimi i unitetit të ummetit. Dhe kjo ndodh sa herë që ne veprojmë në kundërshtim me urdhërat e Allahut: “Vërtet, kjo feja juaj është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj, andaj frikësohuni prej Meje! Por ata (popuj ku u çuan të dërguarit) u ndanë në grupe në çështje të fesë së tyre. Çdo grup ishte i kënaqur me atë që kishte, andaj, lëri ata në padijen e tyre për një farë kohe!” [El-Mu’minun, 52-54]
Allahu i Madhërishëm na fton dhe këshillon të rikthehemi në strehën e fesë së Tij, sepse Islami është burim i krenarisë dhe forcës sonë, siç qëndron në ajetin: “…Vallë, tek ata kërkojnë fuqi, kur, në të vërtetë, e gjithë fuqia i përket vetëm Allahut!” [En-Nisa, 139] Ashtu siç ka thënë halifi i drejtë, Omer ibën el-Hattabi: “Ne jemi një popull të cilit Allahu i ka dhënë krenari dhe sa herë që kërkojmë krenari jashtë Islamit, Allahu do të na poshtëroje”.

Nuk ka prosperitet, krenari dhe forcë për muslimanët derisa popujt muslimanë t’i shohin në mesin e tyre sundimtarët dhe mbretërit, ashtu siç qëndronte Ebu Bekri dhe Bilal Ibën Rebbahu; derisa të shohim se arabët se janë të gatshëm t’i pranojnë kurdët, siç ishte Salahudin Ejjubi, persiani Havarezmi, apo Sejfuddin Kutuzi ose turkun Muhammed Fatihun, për udhëheqësin e tij pa asnjëfarë rezerve. Vetëm atëherë mund të shpresojmë për një “Bedër”, “Hittin” apo “Ajn Xhalut” të ri dhe çlirime të mëdha siç ishte çlirimi i Konstantinopojës.

Autor: Amr Shefik Ibrahim
Përktheu: Lutfi Muaremi
[Breziiri]