Islamisitikë

Nata e Beratit, nata e pranimit të lutjeve

741views

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin gjithmonë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndjekin atë me mirësi deri në Ditën e Kiametit.

Allahu i Plotfuqishëm në Kur’an thotë:

فَمِنَ النَّاسِ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا وَمَا لَهُ فِي الْآخِرَةِ مِنْ خَلَاقٍ . وَمِنْهُمْ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ . أُولَٰئِكَ لَهُمْ نَصِيبٌ مِمَّا كَسَبُوا وَاللَّهُ سَرِيعُ الْحِسَابِ

“Disa njerëz thonë: Zoti ynë na jep të mira në këtë botë! Por për këta s’ka asnjë të mirë në ahiret. E, disa nga njerëzit thonë: Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në jetën tjetër! Dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit! Për veprat që këta kanë punuar ka shpërblim. Se, Allahu, i bënë llogaritë shpejt.” (el-Bekare, 200-202)

Besimtarë të nderuar,

Siç e dini të gjithë, tashmë jemi në muajin shaban, të cilin asnjë besimtar nuk duhet ta neglizhojmë, sepse në të duhet të përgatitemi për ardhjen e muajit të agjërimit, në radhë të parë, duke u pastruar nga mëkatet me tevbe – istigfar, si dhe në asnjë mënyrë mos ta shtyjmë pendimin për nesër, sepse në shtyrje ekziston rreziku.

Pas të nesërmes, gjithmonë vjen një nesër e re, çdo ditë me vete sjell një ditë të re dhe një nesër të re. Ai që mendon për kalimin e të nesërmes së tij, shprehur simbolikisht, ai në jetë i ka vetëm tri ditë. E ka të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen. E djeshmja është EXHEL – (e kaluar dhe këshillë), e sotmja është AMEL – (punë dhe fitim), kurse e nesërmja është EMEL – (shpresë për të cilën nuk dihet se a do të vjen), ndërsa çdo shtyrje për nesër është rrezik.

E njëjta gjë është edhe për ne sot, në këtë ditë, kemi 3 muaj: rexhebi 1438 hixhrij, i cili ka kaluar, ka shkuar dhe i cili nuk do të kthehet; ramazani, i cili pritet të vjen, por askush prej nesh nuk e di se a do të jetojë deri në ardhjen e tij apo jo; dhe shabani, i cili është në mes të këtyre dy muajve dhe të cilin duhet ta shfrytëzojmë për dorëzim dhe bindje ndaj Allahut të Plotfuqishëm.

Dhe në këtë muaj hixhrij është nata e Beratit, e cila bie në natën e 15 të muajit shaban, sivjet është të hënën, më 30 prill, për të cilën thuhet se ajo është nata e afrimit të robërve te Krijuesi.

Rreth vlerës dhe begatisë së natës së Beratit po i referohemi hadithit të Muhamedit savs: Kalojeni natën e gjysmës së muajit shaban me namaz, kurse ditën, me agjërim! Atë natë, pas perëndimit të diellit, Allahu i Lartë zbret në qiellin e tokës dhe na bën zë kështu: A s’ka ndonjë që kërkon falje, ta fal; a s’ka ndonjë që kërkon pjesë, t’i jap; a s’ka ndonjë që kërkon shërim, ta shëroj?, dhe vazhdon kështu deri në mëngjes” (Ibn Maxhe, Ikame fi’s-salat, 191).

Nga hadithi i mësipërm, siç sqarojnë shumë mufesirë dhe muhadithë, shohim se nata e Beratit është edhe natë e dëshirave, sepse Allahu i Madhërishëm i pyet robërit e Tij se çfarë dëshira dhe nevoja kanë, që Ai t’ua plotësojë ato.

Ai që sinqerisht në natën e Beratit i drejtohet Allahut me ndonjë dëshirë, mund të shpresojë se Allahu atë dëshirë do t’ia plotësojë. Por, siç thonë ata: – sa njerëz ka aq ka edhe dëshira të ndryshme. Megjithatë, Allahu i jep çdokujt atë që i kërkon, pa marrë parasysh numrin dhe llojet e dëshirave njerëzore. Ai i jep edhe besimtarit dhe jobesimtarit atë që duan zemrat e tyre. Pikërisht sipas këtyre dëshirave njerëzit edhe ndryshojnë, ky diversitet i dëshirave njerëzore është shpjeguar me Kur’an.
Ajetet kur’anore të cituara në fillim të hutbes na flasin se gjithmonë ka pasur dhe do të ketë të atillë, që do të luten për të mirat e dynjasë, kurse për ahiret ata nuk do të kenë asgjë, por nga ana tjetër, ka edhe nga ata që luten për të mirën e të dy botëve. Besimtari i sinqertë duhet gjithmonë t’i lutet Allahut për të mirat e dynjasë dhe të ahiretit, kurse në natën e Beratit i ofrohet mundësia për përmbushjen e këtyre dëshirave.

Prandaj, t’i lutemi Allahut me lutje të sinqerta dhe të shpresojmë se Ai do tu përgjigjet lutjeve tona. Mirëpo, duhet ta dimë se Allahu me siguri nuk do ta pranojë lutjen e atij që lutet për fatkeqësi ose bela të vëllait musliman, ndërsa me siguri do ta pranojë lutjen e atij që lutet për të mirën e besimtarit tjetër.

Një nga lutjet më të mira është lutja e Kuranit të cilën e ka bërë Ibrahimi a.s., të cilën edhe ne e lexojmë pas çdo namazi dhe lutemi për faljen e të gjithë neve, e ajo është:

O Zoti ynë, më fal mua dhe prindërit e mi dhe besimtarët, në Ditën kur do të jepet llogari! (Ibrahim, 41)

T’i drejtohemi Allahut me fjalët e lutjes së theksuar, dhe ta lexojmë sa më shumë herë në natën e Beratit, sepse kjo është nata me begati të jashtëzakonshme. Në traditën tonë, kjo natë njihet edhe si nata e faljes apo nata e fatit. Arsyeja për emërimin e natës së Beratit si natë e faljes është hadithi i Pejgamberit savs i cili thotë:

“Kjo natë është nata e 15 e muajit shaban. Në këtë natë Allahu i shpëton njerëzit nga xhehenemi sa numri i qimeve të deleve të fisit Beni Kelb, por nuk i shikon fytyrat e atyre të cilët i bëjnë shirk Atij, të atyre që bëjnë urrejtje dhe armiqësi ndaj muslimanëve, të atyre që i shkëpusin lidhjet me të afërmit, të atyre që mburren dhe janë mendjemëdhenj, të atyre që nuk i respektojnë prindërit dhe, të atyre që vazhdimisht pijnë alkool. (Buhari, et-Tergib ve’t-Terhib, II, 118).

Gjithashtu, nga hadithi mësojmë se në natën e Beratit falen edhe të vdekurit dhe pranohen lutjet e të gjallëve për ta.
Hazreti Aishja r.a. thotë: Një natë, kur ishte nata e 15 e muajit shaban, nuk e gjeta Pejgamberin savs, në shtëpi dhe shkova për ta kërkuar. E gjeta në Bekije (varrezat e Medinës) ishte duke i bërë lutje Allahut për të vdekurit dhe lutej për faljen e mëkateve të tyre. Nga fjalët e theksuara na bëhet e qartë se në natën e Beratit edhe ne duhet t’i kujtojmë me lutje të vdekurit tanë.

Në disa transmetime theksohet se në këtë natë ndahen të gjallët prej të vdekurve dhe shkruhet nafaka, andaj kjo natë gjithashtu është quajtur nata e fatit.

Ibn Hibbani transmeton nga Pejgamberi savs, se ka thënë: “Kur të hyjë nata e 15 e muajit shaban, atë natë kalone në ibadet, kurse ditën e nesërme agjëroni!”

Në natën e Beratit duhet të falim namaz nafile, të lexojmë Kur’an, të këndojmë salavat dhe të bëjmë istigfar.

Allahu i Plotfuqishëm në natën e Beratit i përcakton gjërat për tërë vitin vijues. Në natën e Beratit regjistrohen edhe ata që do të vdesin atë vit dhe atij numri asgjë as nuk i shtohet as nuk i hiqet.

Këtë vit, siç theksova më parë, nata e Beratit bie të hënën më 30 prill. Andaj, le të angazhohemi, nëse dimë, me lexim të Kuranit, me Jasin dhe Fatiha t’i kujtojmë të vdekurit tonë, të falim namaz nafile, t’i lutemi Allahut për të mirën e kësaj bote dhe të botës tjetër.

O Allahu i Plotfuqishëm, të lutemi për mëshirë dhe falje në natën e bekuar të Beratit, në këtë muaj të bekuar, na i falë mëkatet tona dhe na udhëzo në rrugën e drejtë.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Breziiri)