Fikh

Namazi i natës “i huaj apo një mik i afërt”?

Ekziston një pjesë e natës kur e gjithë bota ndryshohet. Gjatë ditës kaosi dominon jetën tonë. Obligimet në punë, në shkollë dhe familje marrin pjesën më të madhe të kujdesit tonë. Përveç kohës që e shfrytëzojmë për faljen e pesë kohëve të namazit, shumë vështirë gjejmë kohë për pushim dhe meditim. Shumica prej neve jetojmë një jetë aq të shpejtë sa që ndonjëherë nuk e shohim se çfarë lëshojmë.

Mirëpo ka një pjesë e natës kur puna mbaron, trafiku fle dhe heshtja është zëri i vetëm. Në këtë kohë – kur çdo gjë  rreth nesh fle – është Ai që gjithmonë është Zgjuar dhe i Cili pret që ta thërrasim. Në një hadith kudsij na është thënë: “Zoti ynë i Madhëruar zbret çdo natë në qiellin e dunjasë, atëherë kur ka mbetur ‘e treta e natës dhe thotë: “Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush më kërkon diçka Unë t’ia jap? Kush më kërkon falje që Unë ta fal?” (Buhariu dhe muslimi)

Mund të paramendojmë se çka do ndodhte nëse ndonjë udhëheqës ose mbret do të vinte në derën tonë duke na ofruar çdo gjë që dëshirojmë. A nuk  është normale që çdo person i mençur do ta bënte alarmin që të zgjohet në këtë mbledhje të rëndësishme? Nëse do të na thuhej që një orë para sabahut, në pragun tonë do të jetë një çek me 10 milion dollarë, vallë a nuk do të zgjoheshim t’i merrnim?

Allahu i Madhërishëm na ka treguar se në këtë pjesë të natës, pikërisht një orë  para sabahut do të na ofrojë mëshirën e Tij. Paramendoni këtë. Pronari i universit na ofron mundësinë e takimit dhe bisedimit me Të. Zoti i cili pret, të bisedojmë me Të, ndërsa shumë prej nesh e lëshojnë këtë mundësi, duke fjetur në dyshekët e rehatshëm. Allahu i Madhërishëm na pyet se çka dëshirojmë nga Ai. Krijuesi i çdo gjëje na thotë se do të na jap gjithçka që do ta lusim.

Ndërsa ne flemë!

Do të vij koha kur perdja e mashtrimit do të ngrihet. Kurani thotë: “(Mohuesit do t’i thuhet): Ti ke qenë i pavëmendshëm për këtë. Tashti ta kemi ngritur perden (e syve), dhe shikimi yt sot është i mprehtë”? (Kaf, 22)

Atë ditë shumë qartë do ta shohim realitetin. Atë ditë do ta kuptojmë se dy reqate namaz kanë qenë më të vlefshme se gjithçka ka një qiej dhe tokë. Do ta shohim atë çekun  e lënë në pragun tonë çdo natë, derisa ne kemi fjetur. Do të vij dita kur ne do të japim gjithçka vetëm të kthehemi dhe t’i falim ato dy reqate namaz. Do të vij dita kur ne do të hiqnim dorë nga gjithçka që kemi dashur në këtë botë, nga  çdo gjë që okuponte  zemrat tona – vetëm ta kemi atë bisedë me Allahun. Mirëpo për fat të keq atë ditë disave Allahu do t’ua kthej shpinën… dhe do të na harrojë ashtu siç ne e harruam Atë. Kurani thotë: “Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë”? (Allahu) do t’i thotë: Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar. (Ta’ha, 125, 126). “(U thuhet): “Mos u lutni sot! Ju nuk do të keni ndihmë prej Nesh. (Mu’minun, 65).

A mund ta paramendojmë se çka na tregojnë këto ajete? Kjo nuk është njëjtë sikur të jesh i harruar nga miku apo ndonjë anëtarë i familjes. Kjo tregon se si është të harrohesh nga Zoti i të gjitha botëve. Jo në xhehenem, as në ujë të valuar, as në djegie të lëkurës. Nuk ka dënim më të madh se sa të jesh i harruar nga Zoti i gjithësisë…

Dhe ashtu siç nuk ka dënim më të madh se kjo më lartë, nuk ka as shpërblim më të madh se sa ajo që e përshkruan i Dërguari i Allahut s.a.v.s: “Kur banorët e xhenetit do të futen në të, i Madhërishmi do t’i pyes: A doni t’u jap edhe më tepër? Ata do të përgjigjen: A nuk i bëne veprat tona të rënda dhe na i zbardhe fytyrat, na fute në xhenet dhe na ruajte nga zjarri i xhehenmit?! Pastaj do të hiqet perdja dhe ata do ta shohin Allahun dhe nuk u është dhënë diçka më e dashur se shikimi në Allahun, Zotin e Mëshirshëm.” (Muslimi).

Ne nuk duhet të presim atë Ditë që të shohim pasojat e kësaj pjese të natës të kaluar në adhurim ndaj Allahut të Madhërishëm. Në fakt, nuk ka fjalë që mund ta përshkruaj ndjenjën që u kaplon pas atij momenti. Për ta kuptuar këtë duhet ta përjetoni.  Rëndësia e kësaj për jetën tonë është pamatur. Kur ju e përjetoni kijamin, namazin e vonshëm të natës, pjesa tjetër e jetës suaj transformohet tërësisht. Për një moment barra e madhe që u shtypte kthehet në dritë dhe shkëlqim. Paraqitet zgjidhja e problemeve për të cilat mendonin se nuk ka mundësi të zgjidheshin. Ndërsa kjo afërsi me Krijuesin, që ndonjëherë mendonit se është e paarritshme, bëhet streha e vetme e juaj.

Autor: Yasmin Mogahed

Përktheu: Arsim Dauti

(Breziiri)