Histori islame

Myslimanët dhe Izraeli

523views

Nga Alija Izetbegovic

I

Dikush mendon se gjenerata bashkëkohore dallohet për mosnjohjen e historisë.Ndoshta e vërteta e këtij konstatimi kurrkund nuk manifestohet kaq qartë sa në çështjen e Palestinës. Sa herë që fillon biseda për këtë çështje, gjenden çuditërisht ide të ngatërruara, e jo vetëm tek ata që e konsiderojnë veten intelektualë. Prandaj po japim, para së gjithash, disa të dhëna historike të bazuara:

– Rreth vitit 1270 p.e.s. Musai (Moisiu) i nxjerr hebrenjtë nga Egjipti në të ashtuquajturën tokë e premtuar.

– Katër shekuj të mbretërisë herreje përfshinë periudhën nga shekulli X deri në shek. VII p.e.s. Mbreti Davud (rreth 990) dhe mbreti Solomon (rreth 960).

– Në shekullin IX, qeveria herreje ndahet në dy qeveri: Izrael dhe Judej. Asirianët në 721 p.e.s. e nënshtrojnë Izraelin, Judej rrëzohet më 604, por përsëri u rimëkëmb disi dhe qëndroi 70 vjet pas Isait a.s., kur mbreti romak Titi e nënshtron Jeruzalemin.

– Në vitin 587 p.e.s. Nabuku i dytë i shpërngul hebrenjtë në Babiloni (gati të gjithë, përveç një numri të vogël nga shtresa e ulët që shkoi në Egjipt).

– Në vitin 540, hebrenjtë kthehen nga robëria babilonase dhe ndërtojnë përsëri faltoren (tempullin).

– Më 142 të erës sonë, Tertuliani i shpërnguli gati të gjithë hebrenjtë. Disa i dërgoi në Gali, ndërsa të tjerët në Ren, që të mbrojnë mbretërinë nga barbarët (nga këta të fundit rrjedhin Ashkenët).

Nga këto të dhëna duket qartë se qeveria hebraike në Palestinë ka qenë në gjendje të mirë p.e.s. Nga viti 70 deri në 14.05.1948 – nëntëmbëdhjetë shekujt e fundit, nuk ekziston asnjë lloj qeverie në truallin e Palestinës.

Në pjesën e parë të kësaj periudhe prej 6 shekujsh, Jeruzalemi i ka ndërruar pushtuesit (Romë, Persi, Bizant). Në vitin 638 Jeruzalemin e morën myslimanët, dhe kalifi Omer, i cili e mori atë personalisht nga patriarku Sofron, konsolidon statusin e qytetit me liri fetare për të tre religjionet fetare.

Nga kjo kohë deri më 1918, thuajse 13 shekuj Palestinën dhe Jeruzalemin e drejtojnë myslimanët. Kjo vazhdimësi e pushtetit islam në Palestinë ka pasur vetëm dy ndërprerje relativisht të shkurtra: I pari zgjat 88 vjet (1099-1187), kur Jeruzalemin e mbajnë kristianët e Gotfrid Bujonit dhe i dyti, që zgjati 16 vjet (1228-1244), kur këtë qytet sipas marrëveshjes me mbretin Fatimid e mban mbreti Frederiku i Dytë.

Nga këto të dhëna mund të konkludohet se si qëndron çështja e të ashtuquajturve “të drejtat historike” të hebrenjve në Palestinë.

II

Izraeli pa dyshim paraqet një dukuri të veçantë në politikën historike. Në momentin e krijimit, kjo qeveri nuk ka pasur as territor, as vendbanim. Territorin e sajoi duke blerë dhe grabitur, ndërsa popullatën duke kolonizuar vendin me emigrantë nga e gjithë bota. Ideja e parë e përcaktuar për qeverinë hebreje në Palestinë u shfaq në veprën Der Jedenstaat (Qeveria Hebreje) të Teodor Herzlit, themeluesit të organizatës sioniste, rreth vitit 1895. Momentet më të rëndësishme për realizimin e kësaj ideje dhe krijimin e Izraelit të sotëm janë:

Deklarata e Balfourit më 1917, me të cilën parashikohet ndihma e Britanisë së Madhe për krijimin e qeverisë hebreje në territorin e Palestinës.

Emigrimi i hebrenjve në Palestinë në bazë të kësaj deklarate (ndërmjet dy luftërave në këtë formë u shpërngulën më tepër se 400 mijë hebrenj).

14 maj 1948, agjencia hebreje (organi suprem i organizatës sioniste) e shpall Izraelin shtet. Menjëherë pas kësaj shpërthen lufta ndërmjet Izraelit dhe shteteve fqinje arabe. Armëpushim 18.07.1948 dhe copëtimi i Palestinës. Izraeli fiton 6400 milje, ndërsa arabët 3600 kuadrat milje.

Dy zgjerimet e Izraelit u bënë paralelisht me rrëmbimin e tokës dhe dëbimin e arabëve: i pari pas luftës 1956, i dyti pas luftës 1964.

Llogaritet se në momentin e krijimit të Izraelit në vitin 1948 në Palestinë jetonin afërsisht 750.000 hebrenj, kështu që raporti ndërmjet arabëve dhe hebrenjve ishte 3 me 1 në favor të arabëve.

Pas krijimit të Izraelit e deri më 1964, erdhën e u ngulën edhe 1.350.000 hebrenj. Sipas disa të dhënave, Izraeli më 1967 numëronte më pak se 2 milion e 300 mijë banorë. Mjetet për popullimin e pjesë më të madhe e jep “Fronti Popullor Hebre” (Kejmet), që është themeluar në fillim të shekullit XX dhe që grumbullon vullnetarë hebrenj nga tërë bota.

Hebrenjtë evropianë, ashkenasit, përbëjnë shumicën e hebrenjve të Izraelit. Dhe jo vetëm kaq, ata posedojnë tërë postet në qeveri, ushtri dhe administratë. Hebrenjtë si origjinë janë nga Lindja e Mesme, kryesisht fuqi punëtore e pakualifikuar. Ashkenasit, të cilët më parë nuk kanë pasur kontakte me arabët, kanë qenë bartës të kursit arrogant ekstrem ndaj arabëve. Ata vijnë nga Franca, Rusia dhe Gjermania dhe, të armatosur mirë, të arsimuar, mizorë e të pamëshirshëm, zmbrapsin botën vendase duke krijuar “hapësirë jetese” për qeverinë e re.

Çfarë mund të pritet nga kjo qeveri e lindur nga padrejtësia e dhuna? Disa gjëra që krijojnë “ideologjinë” e Izraelit, me paradoksin e vet trullosin, topisin. Ja disa prej tyre:

– Sionizmi, që u krijua si reaksion i dëbimit të hebrenjve nga Evropa, tërë helmin e vet e ka derdhur mbi arabët në hapësirën ku hebrenjtë kanë jetuar vazhdimisht të sigurt e të mbrojtur. Izraeli sot është në armiqësi me arabët dhe në qoftë se sipas çdo arsyeje, duhej pritur ndryshe.

– Hebrenjtë, që vazhdimisht deklaroheshin si kozmopolitë dhe internacionalistë (të paktën të tjerët besonin se duhet të ishin të tillë) janë bërë shembulli më fanatik i nacionalizmit.

– Hebrenjtë që kanë qenë viktimat më të mëdha të racizmit e gjenocidit, sot janë bartësit e tij (gjenocidit). Ata janë bërë praktikisht vazhduesit e metodave hitleriane të përdorimit të forcës pa arsye, gjenocidit, arrogancës ndaj të mundurve, madje dhe të taktikave ushtarake të sulmit të befasishëm, të mizorisë, të likuidimit të llogarive dhe shpagimit.

– Hebrenjtë kanë qenë ideologë të lëvizjes me parulla për lirinë, vëllazërinë, legjitimitetin dhe liberalizmin, por tek Izraeli i sotëm gjejmë një edukatë spartane, organizimin e shoqërisë sipas kërkesa ushtarake, gërshetuar me principet makiaveliane të politikës shtetërore dhe me devizën niçiane për të drejtën e më të fortit dhe moralin e forcës. Kjo filozofi e forcës askund nuk shfaqet kaq qartë sa në parimet përçmuese të së drejtës ndërkombëtare dhe injorimin publik të institucioneve mirëbërëse.

– Kështu për shembull, OUN (Organizatë Ndërkombëtare) shpall rezolutën e 11.12.1948 për kthimin e të arrestuarve arabë në vendbanimet dhe në pasuritë e tyre duke ua kompensuar dëmet e shkaktuara. Në vend të kësaj, Izreali sekuestron pasurinë e arabëve mërgimtarë, shkatërron shtëpitë e tyre dhe në vendbanimet e tyre ngre vendbanime për hebrenjtë e shpërngulur nga Evropa.

– Më 9.12.1949 ShBA-të shpallin rezolutën për internacionalizimin e Jeruzalemit. Izraeli jo vetëm që nuk e pranon këtë rezolutë, por vetën e vitit 1967 shpall vendimin për aneksimin e Jeruzalemit. Më tutje do të shohim se si e konsiderojnë këtë aneksim johebrenjtë:

– Në korrik të vitit 1967 OKB e urdhëron Izraelin që të tërhiqet nga territoret e pushtuara arabe, kurse Aba Aban, ministri izraelit i Punëve të Jashtme gjatë debatit, shprehet: “Izraeli nuk do të kthehet në kufijtë(linjat) e armëpushimit edhe sikur mbledhja e përgjithshme me 121 vota pro, e me një kundër, të sjellë një vendim të tillë. Gjithë-gjithë, Organizata Botërore deri më 1970 ka nxjerrë 70 rezoluta për çështjen palestineze. Izraeli u tregua i shurdhër ndaj të gjitha rezolutave.

III

Duke shqyrtuar lidhjet ndërmjet hebrenjve dhe myslimanëve, vazhdimisht duhet të kemi parasysh këtë gjë: hebrenjtë kanë jetuar në tokat ku myslimanët kanë qenë shumicë dhe kanë pasur pushtetin, kjo për shekuj me radhë. Në kundërshtim me këtë, myslimanët asnjëherë nuk kanë jetuar nën sundimin e hebrenjve, përveçse në kohë të shkurtër nën Izraelin.

Se ç’marrëdhënie kanë sot hebrenjtë me myslimanët, këtë e di gjithkush, sepse kjo është një e vërtetë e ditëve të sotme. Ndërkohë, se ç’marrëdhënie kishin myslimanët me hebrenjtë në kohën e qeverisjes myslimane, kjo është më pak e njohur e kjo është problem i historisë. Mund të mendohet se në forcën e sotme ndaj myslimanëve, hebrenjtë ua kthejnë atyre “kujdesin për dashuri” duke “barazuar” llogaritë historike. Historia dëshmon qartë për dy gjëra:

  1. Hebrenjtë në tokat islame ku kanë përjetuar paqen maksimale dhe tolerancën fetare.
  2. Nëse ka pasur sulme të rralla sporadike kundër hebrenjve, ato kanë qenë ngjarje të izoluara të cilat shuhen në lidhjet dhe ndikimet reciproke. Një reaksion i përgjithshëm kundër hebrenjve në mendimin evropian të antisetizmit nuk ka ekzistuar asnjëherë në botën arabe.

Kur më 1492, ra Granada, qeveria e fundit myslimane në Spanjë, myslimanët dhe hebrenjtë përjetuan të njëjtin fat, atë të persekutimit dhe shfarosjes. Gati 300 mijë hebrenj asokohe emigruan, nga të cilët (llogaritet afërsisht 200 mijë) u strehuan në perandorinë osmane, ku u pranuan me zemërgjerësi dhe ku gjetën tërë konditat për jetë dhe punë normale.

Enciklopedia hebraike njeh publikisht se jeta e hebrenjve në Spanjë nën pushtetin arab “arriti përparim që s’mund të anashkalohet sidomos në fushën e kulturës”. Prej këtej ka dalë dhe fenomeni i ashtuquajtur simbioza e kulturës arabo-hebreje, që jetoi shekuj me radhë në vende të ndryshme. Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: Kujt i duhet ky konfrontim i arabëve me hebrenjtë dhe si u arrit deri në këtë pikë? Kjo çështje është aktuale në qoftë se lidhja nuk vlerësohet momentalisht, por në perspektivën e stërgjatur. Atëherë është e qartë, me të vërtetë, se nuk po punohet për konfrontim ndërmjet hebrenjve dhe palestinezëve, as ndërmjet hebrenjve dhe arabëve. Duke pasur në konsideratë kuptimin specifik të Jeruzalemit, ky konfrontim duket herët a vonë, të rritet shumë ndërmjet hebrenjve e myslimanëve në përgjithësi.

Çfarë do të ndodhë kur çështja e Jeruzalemit do të bëhet çështje e të gjithë myslimanëve, gjë që në të vërtetë ka filluar?

Nga kjo perspektivë globale, Izraeli na paraqitet një “Geto” e madhe e llojit të vet në detin e botës islame, një trup i huaj në një organizëm të madh. Por, kësaj radhe edhe këtë geto, edhe urrejtjen me të cilën është e rrethuar çdo geto, e kanë krijuar vetë hebrenjtë. Kjo gjë e bën specifike këtë situatë.

Babai shpirtëror i Izraelit, Theodor Herzl, në qeverinë hebreje, me romanet vizionare që prej 70 vitesh, për çudi ka parashikuar migrimin e hebrenjve, krijimin e Izraelit, ndërtimin e bujqësisë moderne dhe të industrisë mbi baza shkencore, organizimin e shoqërisë si dhe shumë çështje të tjera deri në detaje. Është interesante, me ose pa ndërgjegje, se ai ka parashikuar një faktor vendimtar: rezistencën e banorëve autoktonë. Qeveria e tij jeton dhe zgjerohet sikur rreth saj territori është i pastër, s’ka banorë. Ky “parashikim” i Herzlit bën që misioni i tij profetik të bjerë në tërësi, sepse faktori i rezistencës do të jetë ai që do të ndikojë jo vetëm në karakterin e vërtetë të qeverisë së tij, por edhe në vetë fatin e saj të natyrshëm.

IV

Jeruzalemi nuk është qytet i zakonshëm, por një qytet i veçantë ku tre religjionet botërore kanë objektet e tyre të shenjta, të cilat nuk mund të mohohen. Kush mund të sigurojë një Jeruzalem të lirë, të hapur dhe të barabartë për të gjithë? Teorikisht dhe praktikisht këtë mund ta bëjnë vetëm myslimanët. Teorikisht, se vetëm Islami e njeh Musain e Isain, Ungjillin e Torën, kurse kristianët në të kundërtën nuk njohin Muhamedin a.s. e Kuranin. Kjo gjë është një element i superioritetit të myslimanëve në këtë çështje.

Praktikisht, sepse Jeruzalemi ndodhet në botën myslimane. Çdo qeveri joislame në Jeruzalem paraqet një gjendje jo të natyrshme që mund të mbahet vetëm me forcë dhe gjendja e nderë asnjëherë nuk është gjendje lirie. Historia shumë qartë përforcon këto qëndrime.

Jeruzalemi gjatë gjithë kohës së qeverisjes islame ka qenë qytet i lirë për të tre religjionet. Mungesa e lirisë në Jeruzalem, përputhet me mungesën e qeverisë myslimane. Kjo ka ndodhur në dy periudha. Herën e parë kur Jeruzalemin e pushtuan kryqtarët (1099-1187), dhe herën e dytë tani në kohën tonë, që është në duart e Izraelit.

Në Enciklopedinë Britanike lexojmë këto rreshta rreth pushtimit të Jeruzalemit në luftën e parë të kryqtarëve: “…Pas rrethimit që zgjati pak më tepër se një muaj, Jeruzalemi u pushtua (më 15 korrik 1099). U bë terror i frikshëm; nëpër rrugë rridhte gjaku i të vrarëve. Por, kur ra nata, kryqtarët, duke qarë nga gëzimi prej budallai, shkuan te varri i shenjtë ku filluan të luten me duar të përgjakura. Kështu ka përfunduar atë ditë të nxehtë korriku lufta e parë e kryqtarëve.”

Krahasoni këtë pushtim të Jeruzalemit me ardhjen e myslimanëve më 638, siç e përshkruan këtë ngjarje H. G. Wells në historinë e vet botërore: “… me rastin e bisedimeve për dorëzimin e Jeruzalemit u vendos një kusht jo i zakonshëm: kërkesa që t’i dorëzohet personalisht vetëm kalifit Omer… Omeri përshkoi një rrugë të gjatë prej 600 miljesh deri në Jeruzalem, vetëm e vetëm me një shoqërues. Hipur mbi një gamile me lëkurë deveje të mbushur me elb, tjetra mbushur me hurma, një enë me ujë dhe një pjatë për drekë… Ai u takua me patriarkun e Jeruzalemit, i cili, me sa duket, mori drejtimin e qytetit nga pushtetmbajtësi bizantin. Të dy ata u morën vesh. Patriarku e mori kalifin për t’i treguar vendin e shenjtë dhe Omeri përsëri erdhi në humor duke vështruar me ironi veshjen e tij luksoze. Myslimanët e morën Jeruzalemin me qetësi, si drejtues të sinqertë e të ndershëm, në atë mënyrë sikur t’u përkiste me shekuj. Ky nuk ishte pushtim, por mision. Për 88 vitet që Jeruzalemin e sunduan kryqtarët, as këmba e myslimanit e as ajo e hebreut nuk mund të shkelnin në tokën e tij, përkundrazi, organizatori i luftës së parë të kryqtarëve, Petër Pustinjaku, disa herë është rikthyer në Jeruzalem e ka banuar aty, kur Jeruzalemin e kishin në dorë myslimanët.

Kur Jeruzalemin e mori më 1187 Salahudini i madh, ai ua mundësoi hebrenjve kthimin në qytet dhe futi zakonin e njohur të vëllazërimit ndërmjet fëmijëve myslimanë dhe fëmijëve hebrenj, zakon që s’ka të dytë në marrëdhëniet ndërmjet dy popujve të ndryshëm.

Hebrenjtë erdhën në Jeruzalemin e begatuar më 1967. Çfarë regjimi për lirinë e fesë sollën ata në qytetin e tri (besimeve). Për këtë çështje pak kohë më parë janë dhënë fakte që i kanë transmetuar zotërinjtë e kishës katolike, të kishës greke dhe evangjeliste për komisionin e OKB-së. Këto të dhëna përforcojnë atë që mundëm të paraqesim më lart. Peshkopi katolik, Semaani, ka njoftuar se izraelitët e kanë shkatërruar plotësisht kishën katolike siriane, e cila ndodhet drejtpërdrejt murit të Jeruzalemit të vjetër. Një pjesë e mureve të kishës së Shën Andonit është prishur në mënyrë që makinat ushtarake izraelite të kalonin nga një pjesë e qytetit në pjesën tjetër. Kisha armene e Sh. Snathit pothuajse është zhdukur plotësisht. Dritaret e saj janë shndërruar në frëngji të ushtrisë izraelite dhe nga ajo është marrë mozaiku bizantin i shek. IV. Arqipeshkvi Diedoros, kryetari i kishës ortodokse greke ka thënë se ushtria izraelite i ka shkallmuar kishën e Shën Jovanit të kryqit në Ajn Karinë dhe ka marrë çdo gjë që mund të merrej. Ushtarët kanë shkruar nëpër mure dhe ËC dhe sigurisht kisha është shndërruar në nevojtore. Nga kisha e Shën Elijasit në rrugën Betlehem oficerët dhe ushtarët izraelitë i morën ikonat, vazot dhe orenditë. Në Zaga izraelitët kanë rrëmbyer mbishkrimet antike nga xhamia e vjetër, ndërsa nga kisha kopte në të njëjtin qytet është plaçkitur çdo gjë.

Natyrisht është djegur Xhamia Al-Aksa, vend i shenjtë i myslimanëve, që ishte pasojë e natyrshme e atmosferës së atjeshme që izraelitët krijuan rreth objekteve të kultit johebraike në Jeruzalem. Kuptimin e parë të këtyre veprave historike e merr vesh ai që nuk e njeh këtu rastësinë, por legjimitetin shekullor. Çështja është, siç u përmend më lart, se qëndrimi parimor i Islamit ndaj religjioneve të tjera është ndryshe nga ajo që ata transmetojnë.

Marrëdhënia e Islamit me Kristianizmin dhe Hebraizmin, nuk është marrëdhënie tolerance, por marrëdhënie mirënjohje. Islami nuk toleron, por i njeh meritat e Kristianizmit dhe Hebraizmit. Lutjet e tyre janë lutje të vërteta. Në to përmendet dhe lavdërohet Zoti.

Në të kundërtën, ne nga kristianët dhe hebrenjtë, në Jeruzalem e gjetkë, në rastin më të mirë presim tolerancë, dhe toleranca vazhdimisht është jo detyrim, ajo përkohësisht është bazë e gjendjes së dispozitave aktuale.

Duke konkluduar këtë paraqitje, dëshirojmë të tërheqim vëmendjen në një vepër që për çudi anashkalohet. Fuqia e Izraelit, në këtë konfrontim me arabët është rezultat i mbështetjes dhe i solidaritetit të jashtëzakonshëm të diasporës nga të gjithë hebrenjtë e botës. Dobësia jonë, në këtë kundërtën, është pasojë e përçarjes, e mbështetjes së pamjaftueshme dhe në disa raste të kundërshtimeve të hapura. Këtu ndodhet uniteti përballë përçarjes.

Sa e natyrshme do të ishte që, të paktën një herë, me një agresivitet të përgjithshëm fetar, t’u kundërviheshim armiqve për mbrojtjen e panislamizmit.

Në qoftë se të gjithë hebrenjtë e botës do të bashkoheshin për të mbrojtur një luftë dhe sulm të padrejtë, në këtë rast myslimanët të parët kanë të drejtë që të bashkohen për një mbrojtje të drejtë, që të sigurohet një paqe e rregullt.

Solidariteti i hebrenjve nuk kufizohet me fjalë.

Nga 1950 deri më 1963 në ekonominë izraelite janë investuar 900 milionë dollarë nga kapitali i huaj, kryesisht izraelitët nga Perëndimi. Pas 1963, investimet hebreje arrijnë më tepër se gjysmë miliard (hebrenjtë nga Kanadaja). Dhurata individuale përbëjnë afërsisht 15 milionë dollarë në vit. Vetëm familja Rotshild me rastin e ditëlindjes së të atit dhuroi 100 milion dollarë. Thirrja e unionit hebre i sjell Izraelit 150-200 milionë dollarë. Llogaritet se Izraeli në rrethana të ndryshme për 20 vjet ka marrë si dhuratë afro 7,5 miliardë dollarë ose 3100 dollarë për banor.

Në gusht të vitit 1967, në Jeruzalem u mbajt konferenca e miliarderëve, ku u mblodhën 60 industrialistë dhe financierë nga 15 vende që ishin të gatshme të kontribuonin për zhvillimin ekonomik të Izraelit. Nuk duhet t’i urrejmë izraelitët për shkak të këtij solidariteti. Në vend të kësaj, duhet të nxjerrim mësime. Duhet të përpiqemi që të bëhemi të bashkuar e të fuqishëm si ata. Forca jonë nuk do të jetë e dobishme vetëm për ne.

Ai që është i dobët, është i padrejtë jo vetëm me veten, por edhe me fqinjët, sepse mund ta provojë që ta sulmojnë. Nuk është fare rastësi që ideja për Izraelin lindi në momentin kur forca politike e Islamit ishte zero. Sikur deri në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli në botën islame të mos sundonte ajo gjendje që ishte deri në atë kohë, as anglezëve, as hebrenjve, asnjëherë nuk do t’u shkonte ndërmend që qeverinë hebreje ta mendonin mbi trupin tonë të gjallë. Me dobësinë tonë i kemi çuar, nxitur në rrugë të shtrembër, u kemi dhënë shansin e aventurizmit dhe megalomanisë së tyre dhe kemi lejuar që në kokat e tyre të gëlojnë lloj-lloj mendimesh, jo vetëm për Izraelin e madh ose të vogël, por edhe për sundimin e viseve të gjera të botës sonë. Meqë jemi bërë qengja, ata u bënë ujqër. Prandaj duhet të bëhemi të fortë edhe për vetë, edhe për ata, edhe për paqen që duhet të sundojë në këtë pjesë të botës.

Por deklarojmë: jo për atë që nesër Jeruzalemi të jetë vetëm i myslimanëve, por që të bëhet përsëri i hapur për të gjithë dhe të mbetet burim i pastër nga i cili rrjedhin tre lumenj të njerëzimit.

Përktheu: Ismail Dizdari

/Drita islame