Muslimanët e Britanisë përballen me sfida të mëdha

Të rinjtë muslimanë në Britani kanë “më pak gjasa të kenë sukses në tregun e punës sesa çdo grup tjetër religjioz”, ka paralajmëruar një raport nga një komision qeveritar, raporton Anadolu Agency (AA).

“Të rinjtë muslimanë që jetojnë në Britani përballen me një sfidë të madhe të mobilitetit shoqëror dhe pengohen nga arritja e potencialit të tyre të plotë në çdo fazë të jetës së tyre”, thuhet në hulumtimin e publikuar nga Komisioni i Mobilitetit Shoqëror të enjten.

Raporti zbulon disa “pengesa të rëndësishme për përmirësimin e mobilitetit social në shkolla, universitet dhe në vendin e punës”, meqë raste të “islamofobisë, diskriminimit dhe racizmit” raportohen nga shumë prej muslimanëve të rinj.

Pjesëmarrësit në hulumtimin e kryer nga Universiteti Sheffield Hallam kanë zbuluar “një ndjenjë të fortë të etikës së punës, elasticitetit të lartë dhe dëshirës për të pasur sukses në shkollë dhe më gjerë”.

“Por shumë prej tyre mendonin se duhet të punojnë dhjetë herë më shumë se jomuslimanët për të fituar të njëjtat mundësi për shkak të dallimeve kulturore dhe formave të ndryshme të diskriminimit”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të cituara në raport, vetëm një në pesë (19,8 për qind) muslimanë në Angli dhe Uells janë në punë me kohë të plotë, në krahasim me një në tre të popullsisë së përgjithshme të moshës 16-74 vjeçare.

Hulumtimi thekson se gratë muslimane në Britani kanë tre herë më shumë gjasa të jenë ekonomikisht joaktive dhe vetëm gjashtë për qind e muslimanëve janë në “profesione më të larta menaxheriale, administrative dhe profesionale” në krahasim me 10 për qind të popullatës së përgjithshme.

“Për më tepër, pothuajse gjysma e popullsisë muslimane (46 për qind) jetojnë në 10 për qind të distrikteve administrative më të privuara,” thuhet në raport.

“Kjo sjell implikime në qasjen në burime, arritjen në shkollë, përparimin në arsimin e lartë dhe disponueshmërinë e vendeve të punës, duke përfshirë ato të niveleve pasuniversitare ose menaxheriale,” theksohet më tej.

Profesoresha Jacqueline Stevenson, e cila udhëhoqi hulumtimin, tha: “Muslimanët përjashtohen, diskriminohen ose braktisen, në të gjitha fazat e kalimit të tyre nga arsimi në punësim”.

Alan Milburn, kryetar i Komisionit të Mobilitetit Social, shtoi: “Ky raport paraqet një panoramë shqetësuese për sfidat me të cilat ata ballafaqohen në arritjen e një progresi më të madh shoqëror”.

“Vetë të rinjtë muslimanë i identifikojnë barrierat kulturore në komunitetet e tyre dhe diskriminimin në sistemin arsimor dhe tregun e punës si disa nga pengesat kryesore që qëndrojnë në rrugën e tyre”, ka shtuar ai.

Ndryshe, në Britani jetojnë rreth tre milionë muslimanë.

Islamofobia dhe diskriminimi kanë shënuar rritje dramatike në vend pas sulmeve terroriste të Mançesterit dhe Londrës më herët këtë vit.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply