Globus

Muslimanët e Arakanit vazhdojnë të strehohen në Bangladesh

335views

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) njoftoi se muslimanët e Arakanit që ikin nga sulmet e Mianmarit vazhdojnë të strehohen në Bangladesh edhe në ditët e para të vitit 2018, raporton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e publikuar nga IOM, organizatë që vepron në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB), thuhet se viti 2018 nuk ka sjellë përfundim të dhunës ndaj muslimanëve të Arakanit.

Mendohet se në dhjetor të vitit 2017, në Bangladesh kanë kaluar dy mijë e 400 muslimanë të Arakanit, ndërkohë që civilët vazhdojnë të kalojnë kufirin edhe në ditët e para të vitit 2018.

Më tej në njoftim theksohet se kalimet ditore të kufirit janë më të pakta në krahasim me periudhën kur operacionet e Mianmarit ishin më intensive dhe se shumica e të sapoardhurve në vend janë përballur me probleme të cilat e kanë vonuar ikjen e tyre.

“Nuk kemi dalë nga shtëpia as për të mbledhur drunj”

50-vjeçari Ahmed, njëri prej muslimanëve të parë të Arakanit të ardhur në Bangladesh në vitin e ri, tha se: “Nuk mundëm të dalim më herët sepse fshati ishte i rrethuar. Dy muaj më parë i vranë dy djemtë e mi të cilët kishin shkuar për peshkim”.

Ahmed, i cili në kampin Balukhali të qytetit Cox Bazar të Bangladeshit ka ardhur me tre fëmijët e moshës 15-20 vjeçare, tha se familja e tij në fshatrat e rajonit Rathedaung të Arakanit me javë të tëra ka jetuar me frikë dhe se nuk kanë dalë as për të mbledhur drunj në afërsi.

Ai theksoi se për t’u lejuar të dalin jashtë, ka paguar ryshfet prej 112 dollarësh (150 mijë kjatë) fqinjin i cili i ka kërcënuar.

“Këtu askush nuk na ndjek, nuk ka torturon. Nuk ka frikë prej vdekjes. Isha dëshmitar i torturës ndaj vajzës sime dhe vrasjes së dy djemve të mi”, tha ai.

Ndërkaq, vajza 18-vjeçare e tij, Rajsuana, pohoi se nëna e saj ka ndërruar jetë vite më parë dhe se ka punuar shumë për t’u kujdesur për familjen.

“Këtu ndihem e sigurt”, u shpreh ajo.

“Nisën t’i djegin shtëpitë e zbrazëta në rrethinë dhe nuk mund të qëndronim më atje” 

Ndërkaq, njëra prej të porsaardhurave në kamp, 35-vjeçarja Asama Begym, tha se: “I dogjën të gjitha shtëpitë e rajonit Buthidaung (të Arakanit). Ngeli vetëm shtëpia ime”.

Duke rrëfyer se bashkëshorti i ka vdekur para ngjarjeve të dhunshme që filluan më 25 gusht dhe se ka ngelur e vetme me të birin 15-vjecar dhe me një foshnje, Begym tha se nuk kanë mundur të ikin nga fshati pasi që muaj më parë birit të saj, i cili ka pësuar nga sulmet, është dashur t’i presin këmbën për shkak të një infektimi.

“Ngela sepse biri im ishte i sëmurë. Frikësoheshim shumë nga të qëndruarit vetëm në shtëpi dhe u përpoqëm të gjejmë forcë mendore për të qëndruar. Megjithatë, më pas filluan t’i djegin shtëpitë e zbrazëta përreth dhe nuk mundëm të qëndrojmë më tepër”, u shpreh Begym.

Ajo pohoi se pas kalimit nga një shtet në tjetër, strehimi në kamp ka qenë shumë i këndshëm.

“Në vendin tonë nuk na lejohej të shëtisim lirshëm, prandaj kjo ka kuptim të madh”, shtoi ajo.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Ushtria e Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur, më 25 gusht të vitit 2017, filloi një valë të madhe dhune ndaj muslimanëve të Arakanit. Sipas të dhënave të organizatës “Mjekë pa kufij” (MSF), nga 25 gushti 2017 janë vrarë 6 mijë e 700 muslimanë. Shumë njerëz tentojnë të ikin nga Arakani, vend ky në të cilin u dogjën me qindra fshatra.

Qeveria e Mianmarit nuk lejon dërgimin e ndihmave humanitare për muslimanët të cilët nëpërmjet rrugëve malore, lumore ose detare përpiqen të kalojnë në Bangladesh. Një numër i madh i arakanasve kanë humbur jetën për shkak të urisë, sëmundjeve dhe vështirësive të tjera gjatë ikjes.

Mendohet se në vitet 1970, në Arakan kanë jetuar afro dy milionë muslimanë dhe si pasojë e spastrimit etnik nëpërmjet sulmeve sistematike, ky numër ka rënë në 350 mijë.