Personalitete

Mulla Ali ibn Sultan el-Karij dhe veprat e tij – Një bibliografi deskriptive –

489views

Shkruan: Gibril Fuad Haddad

Burimi: The Islamic Quarterly: vëll. 58, nr. 2, fq. 129-156

Përktheu: Fatih Ibrahimi

Nuk dihet shumë rreth jetës së dijetarit prolifik Horasanian-Mekas Sufij Hanefij, jurist, recitues kanonik, dijetar sheriati, komentues, dijetar i logjikës, muhadith, kaligraf, historian, gjuhëtar, mësues Kur’ani dhe recitues – Mulla Nur ed-Din Ebu Hasan ibn Sulltan Muhammed el-Karij el-Harewij – pastaj el-Mekki – el-Hanefi (vd. 1014/1605). Ai është përshkruar prej el-Muhibbit si “një prej prijësve të mësimit dhe dijetari i pashoq i kohës së tij, shumë i dalluar në analizat e tij dhe në sqarimin e gjuhës” dhe nga Shewkani si “enciklopediku i shkencave të transmetuara dhe të arsyes, i mbushur me sunetin pejgamberik, një prej dijetarëve erudit kryesor dhe memorizuesve të mëdhenj (të hadithit).”[1]

Burimet e njëjta thonë që el-Karij është lindur në qytetin e madh Herat të Hurasanit në Afganistanin e sotëm. Ai mësoi Kur’anin me Muin ed-Din ibn Zejd ed-din el-Harevij dhe mësoi librat bazik me dijetarët e vendit të tij. Ai shkëlqeu në memorizim, lexim kanonik dhe udhëheqje namazi në Teravi, prandaj nofka e tij ‘el-Karij’ (recituesi) para se të bëhej i famshëm si Mulla.[2]

Dijetarët ikën nga Horasani në turma kur sulltani rafidij Shah Ismail ibn Hajdar es-Sefawi (vd. 930H/1525) pushtoi Heratin në vitin 916H/1510 pas kryengritjeve shkatërrimtare. El-Karij me gjasë u zhvendos në Meke menjëherë pas 952H/1545, ku shkruan në Shemm el-Awarid: “Lavdi dhe falënderimi i takojnë Allahut që na dha sukses dhe na mundësoi që të emigrojmë prej vendit të risive tek vendi më i mirë i sunetit, i cili është vendi i zbritjes së shpalljes dhe paraqitjes së pejgamberisë, duke siguruar që unë jetoj aty pa mundin tim dhe pa fuqi nga ana ime!”[3]

Ai siguronte mbijetesën për veten e tij dhe ata që vareshin prej tij përmes kaligrafisë Kuranore dhe komentimit të saj, përshkruar nga një bashkëkohës i tij si “një prej mrekullive të botës.”[4] Shitja e një të tille i mjaftonte atij për furnizim për një vit të tërë. Ai urrente që të mbështetej tek tjerët, në veçanti udhëheqësve dhe të pasurve. Ai shkruan: “Allahu e pastë mëshiruar babain tim! Ai gjithmonë më thoshte: “Urrej që të bëhesh dijetar, e të shkosh të qëndrosh tek dyert e princave!””[5] Në Tet’hir et-Tawijje bi Tahsin en-Nijje ai e bën të qartë që pranimi i një detyre ose pune nga qeveria (udhëheqja) ishte po ashtu një burim i dyshimtë i të ardhurave, përveç nëse njeriu është i sigurtë që merr rrogë për të punuar për Allahun e lartësuar dhe që e merr prej një burimi të paqortueshëm ose që merr vetëm sasinë absolutisht të domosdoshme për jetesë.

Ai mbeti në Meke deri në vdekjen e tij në vitin 1014 siç është përcaktuar nga Lekneviu në Er-Ref wet-Takmil dhe Ibraz el-Ghajj el-Waki fi Shifa el-Ajj (botuar si Nakd Ewham Siddik Hasan Khan) dhe është varrosur në varrezat Melat. El-Muhibbi në Khulasat el-Ether ka thënë që kur lajmet e vdekjes së tij i kanë arritur ulemave të Egjiptit, ata mbajtën një funeral në mungesë të tij në Ez’her me një turmë prej 4000 personave.

Burimet përmendin në mesin e mësuesve të tij:

– dijetari Egjiptian, juristi shafi’ij Shihabudin Ebu el-Abas Ahmed ibn Muhammed ibn Muhammed, i njohur si Ibn Haxher el-Hejtemi es-Sa’di el-Ensari (909-973H/1503-1565)[6]

– dijetari Indian i hadithit, juristi hanefij dhe autori i 100 veprave, Alaudin Ali ibn Abdul-Melik ibn Kadi Khan el-Kureshi el-Xhunfuri el-Rahenfuri el-Kadirij esh-Shadhilij el-Medenij – pastaj el-Mekki, i njohur si el-Mutteki el-Hindi (vd. 975H/1568)[7]

– Mjeshtri Afgan i hadithit Muhamed Said ibn Khaxha el-Hanefi i njohur si Mir Kalan (vd. 981H/1573)[8]

– komentuesi shafi’ij i Kur’anit dhe juristi Atijja ibn Ali ibn Hasan es-Sulami el-Mekki (vd. 982H/1574), i cili dha mësim në shkollën Sulejmanije dhe të cilin el-Karij në Shemm el-Awarid e quan “sejjidi we senedi fi ilm et-tefsir”[9]

– musnidi hanefij, juristi, gramatikani dhe kadiu, Mulla Abdallah ibn Sa’duddin el-Umari es-Sindi el-Meddeni – pastaj el-Mekki (vd. 984H/1576)[10]

– muftiu Indian hanefij, historiani dhe komentuesi i Kuranit Kutbuddin Muhammed ibn Ahmed ibn Muhammed el-Guxharati en-Nahrewali – pastaj el-Mekki (vd. 990H/1582), të cilin el-Karij e quan “shtylla e dijetarëve të mëvonshëm dhe ajka e oqeaneve të erudicionit, mësuesi ynë, muftiu i muslimanëve në Haremin e Allahun, Mewlana Kutb ed-Din.”[11]

– juristin Egjiptian shafi’ij dhe komentuesin (e kuranit) në të nëntëdhjetat e tij, Shihabuddin Ahmed ibn Bedrudin el-Abbasi el-Misri – pastaj el-Hindi (vd. 992H/1584).[12]

– juristin hanefij dhe përkujtuesin Sinan ud-Din Jusuf ibn Abdullah el-Emasi er-Rumi el-Mekki (vd. 1000H/1592), i cili shkroi disa vepra në ritualet e haxhit, doktrinë dhe etikë.[13]

– musnidi erudit Indian, asketi Zekerijja el-Hasenij el-Jemenij el-Mekki (vd. 971H/1501).[14]

– dijetari Egjiptian i hadithit dhe juristi Muhammed ibn Ebi Hasan Muhammed ibn Xhelaludin Muhammed ibn Abdurrahman ibn Ahmed el-Bekri (vd. 993H/1585),[15] dhe

– musnidi i Kajros Shemsudin Muhamed ibn Ali ibn Ahmed ibn Salim el-Xhunaxhi – pastaj el-Kahirij el-Maliki el-Ez’heri (vd. 935H/1529) i cili me sa duket i ka dhënë el-Kariut një ixhazeh të hershme (siç tregon në parathënien e Mirkat), prej të cilës rrjedh që lindja e këtij të fundit është para vitit 935 dhe që ai ka jetuar mbi 80 vite.

Në mesin e nxënësve të el-Karij ishin:

– imami i mekamit, ligjëruesi kryesor në haremin e Mekës, muftiu, filologu, juristi, historiani dhe autori i veprave në Sira (biografi profetike), doktrinë, poezi dhe histori, Muhijuddin Abd el-Kadir ibn Muhammed ibn Jahja ibn Mkerrem el-Muhibb Muhammed et-Taberi el-Husejni esh-Shafi’ij el-Mekki (976-1033H / 1569-1624)[16]

– historiani, juristi, kadiu, muftiu dhe autori pjellor Abdurrahman ibn Isa ibn Murshit el-Umeri el-Murshidi el-Mekki el-Hanefi (975-1037H/1568-1628)[17]

– kryemuhadithi i Indisë dhe komentuesi i Mishkat në mesin e shumë veprave, Abdulhak ibn Sejfuddin ed-Dihlawi (958-1052H/1551-1642)[18]

– Sejjid Muazzem el-Husejni el-Belhi, përndryshe i panjohur, emri i të cilit përmendet në Ethbat të Ibn Abidinit, nga el-Kuzbari dhe tjerë, si nxënës i el-Kariut.[19]

– Mësuesi hanefij i Mekës, juristi dhe thirrësi Ebu Abdallah Muhammed ibn Munla Farukh ibn Abd el-Muhsin er-Rumi el-Murawi (996-1061/1588-1651)[20]

– Shemsudin el-Inani el-Mekki, një tjetër i panjohur i cili përcjell veprat e Kariut tek i biri i tij Abdullahu, muftiu i hanefijve në Meke i cili i përcjell ato tek i biri i tij Asad ibn Abdullah ibn Shemsuddin el-Inani, i cili i përcjell ato tek Shah Weli Allah ed-Dihlawi sipas Ubejd Allah ibn el-Islam es-Sindi në Thabat, et-Temhid li-Ta’rif Aimmat et-Texhdid, dhe

– Sulejman ibn Safiuddin el-Jemeni, emri i të cilit paraqitet në një certifikatë që i është dhënë atij nga el-Karij në mësimin e fikhut, hadithit dhe tefsirit.

Një bibliografi deskriptive e 108 veprave të dijetarit hanefij Mulla Ali el-Karijut

1. El-Edeb fi Rexheb, një vepër e vogël rreth mirësisë së namazit vullnetar dhe agjërimit në muajin Rexhep, në të cilën el-Karij merr anën e Ibn es-Salah (kundër Ibn Abduselamit dhe shumicës) në mbrojtjen dhe promovimin e Salat er-Reghaib (namazit të Regaibit).

2. El-Afaf an Wad el-Jed fi’l-Tawaf, një fetva dyfaqëshe rreth ndalesës së të vendosurit të dorës në gjoks gjatë tavafit.

3. El-Ahadith el-Kudsijje el-Erbainijjeh, një përmbledhje e kujdesshme e dyzet haditheve Kudsij, e cila është botuar me tituj të ndryshëm.

4. El-Exhwibat el-Muharrere fi el-Bejdat el-Khabitha el-Munekkere, një ekspozim i origjinës pagane të ritualeve krishtere të vezëve të pashkëve.

5. El-Alamet el-Bejjinat fi Bejan ba’d el-Ajat, e botuar si Bejjinat fi Bejan etj., një shpjegim i frazës “disa nga shenjat” (6:158)

6. Enwar el-Huxhaxh fi Esrar el-Hixhaxh, një trajtesë dhjetëfaqëshe rreth dimensioneve shpirtërore të haxhit në të cilën el-Karij rreth origjinës së Tavafit, citon përgjigjen e imam Ali ibn Husejn Zejn el-Abidin (38-95H/658-714): “Kur Allahu i lartësuar iu tha engjëjve:““Unë në tokë po caktoj një mëkëmbës”! Ata i thanë: – A po bën aty dikë që do të bëjë turbullira e gjakderdhje, kurse ne Ty të madhërojmë e të lavdërojmë dhe të lartësojmë? Ai tha: Unë e di atë që ju nuk e dini.” (2:30), engjëjt u frikësuan që ajo që thanë mos po merrej si protestim i tyre ndaj Zotit, kështu që ato kërkuan strehim përmes Fronit. Ato i bënë Tavaf fronit nga frika e Zemërimit hyjnor, me ç’rast El-Bejt el-Ma’mur u ngrit për ta dhe ato i bënë tavaf asaj. Atëherë Ai dërgoi engjëj dhe tha: “Ndërtoni një shtëpi të tillë për mua në tokë,” dhe Allahu urdhëroi krijesat e Tij që t’i bëjnë tavaf kësaj, siç i bënin banorët e qiellit tavaf Bejt el-Ma’murit.

7. Enwar el-Kur’an we Esrar el-Furkan, një komentim Kur’ani në 750 folie, dy vëllime të stërmëdha, e botuar në vitin 2013 në pesë vëllime.

8. Akd el-Nikah ala Lisan el-Wekil, një fetva njëfaqëshe e cila konfirmon validitetin e kontratës martesore (nikahit) përmes përfaqësimit të mbikëqyrësit (vekilit).

9. El-Esrar el-Merfua fi el-Akhbar el-Mewdu, e njohur po ashtu si “el-Mewduat el-Kubra” (vepra e madhe rreth trillimeve), në të cilën ai thotë: “Ja tek jemi, pas vitit njëmijë e dhjetë e ca.”[21] duke e datuar këtë libër ndër më të fundit të tij me Sherh Ajn el-Ilm dhe Sherh el-Muvetta.

10. El-Ethmar el-Xhenijje fi Esma el-Hanefijje, një shkurtim dhe plotësim i veprës El-Xhewahir el-Mudijjeh të Ibn Ebi el-Wefa (696-775), një fjalor biografik i juristëve hanefij.

11. Behxhet el-Insan fi Muhxhet el-Hajawan, një shkurtim i enciklopedisë shtazore të Ed-Demirit (vd. 808/1405) Hajat el-Hajavan në 132 folio.

12. Bejan fi el-Khajr idha Dhakhale Mekkete men Haxhxhe an el-Ghajr, një fetva në të cilën ai adreson çështjen e haxhiut bedel i cili kalon pikënisjen (mikat) pa e veshur ihramin.

13. Bidajat el-Salik fi Nihajat el-Mesalik, një komentim rreth Mensek el-Saghir të Rahmet Allah el-Sindi. El-Karij po ashtu ka shkruar margjinalia e veprës Lubab el-Menasik (botuar së bashku me tekstin) në vitin 1287H/1870.

14. El-Birreh fi Hubb el-Hirreh, një përgjigje tre-folio, shih “dashuria për macet” (hubb el-hirreh) në Esrar.

15. El-Burhan el-Xhali el-Ali ala Men Summije min Ghajri Musemmen bi’l-Weli, një korrigjim i gabimeve të një predikuesi të famshëm rreth emrit të të cilit el-Karij jep shenjë në titull, rreth statusit të namazit gjatë hytbes së imamit në ditën e bajramit dhe çështje tjera.

16. Dew el-Me’ali li Bad el-Amali, një komentim që studiohet shpesh rreth poezisë së el-Ushi (vd. 569) rreth doktrinës maturidite, në të cilën el-Karij krahason ibadetin dhe veprat e Khalefit (gjeneratës së katërt e tutje), prej të cilave të dyja ndërpriten (me kalimin) në botën tjetër, dhe nënshtrimit (ubudijeh) dhe të kënaqurit [me caktimin e Zotit] (rida), prej të cilave të dyja vazhdojnë në botën tjetër, prandaj dhe superioriteti i kësaj të fundit.

17. Edh-Dhekhirat el-Kethireh fi Rexha el-Maghfireh lil-Kebira, në të cilën ai kundërshton edhe mësuesin e tij Hejtemiun, dhe Mir Padishah el-Bukhari el-Hanefij rreth çështjes së faljes së mëkateve të mëdha të atyre që kryejnë haxhin. Ai thotë që i pari (Hejtemiu) në tërësi mohon që mëkatet e mëdha mund të falen përmes haxhit, ndërsa i fundit kishte pohuar në terme absolute që ata janë të falur.

18. Ed-Duurrat el-Mud’ia fiz-Zijarat el-Mustefewijjeh er-Radijjeh, një trajtesë mbi vizitimin e Pejgamberit (s.a.v.s.), xhamisë së tij, Kubës (jeshile), shehidëve të uhudit, etj.

19. El-Fadl el-Mu’awwel fi es-Saff el-Ewwel, një traktat i shkurtër në të cilin el-Karij thotë që arsyeja e preferimit të rreshtit të parë në namaz është afërsia me Shtëpinë e Allahut te’ala për xhematin në Qabe, jo për faktin që dikush rri në sajf (rresht) të parë diku tjetër.

20. Fara’id el-Kala’id ala Ahadith Sherh el-Akaid, një dokumentim konciz i shtatëdhjetë e ca haditheve të përmendura nga Taftazani në komentimin e tij të famshëm të akidës së Nesefiut, të cilën el-Karij e kishte mbaruar në Shewwal 1004/Qershor 1596.

21. Ferr el-Awn li-men Jedda’i iman Firawn, e shkruar kundër eruditit Xhelaluddin ed-Dawwani (vd. 907H/1501), i cili ndoqi qëndrimin e atribuuar Ibn Arabiut që Faraoni pranoi Islamin para vdekjes.[22] Shejhu Marokien Ahmed el-Ghumari (1320-1380 / 1902-1960) sulmoi el-Kariun në mbrojtje të qëndrimit të Ibn Arabiut por u përgënjeshtrua nga vëllai i tij Abdullah el-Ghimari (1328-1413 / 1910-1993).[23]

22. Fet’h Ebwab el-Din fi Adab el-Muridin, e njohur si Sherh Adab el-Muridin, një komentim i madh (180 folie) në një trajtesë nga Ebu en-Naxhib Suhrawardi (490-563 / 1097-1168) mbi edukatën e kërkuesve (murid) sufij.

23. Fet’h el-Esma fi Sherh es-Sema, një trajtesë në të cilën el-Karij ndalon këndimin dhe recitalet muzikore si të ndaluara kategorikisht në fe.

24. Fet’h bab el-Inaje bi Sherh en-Nukaje, një komentim mbi veprën Nukaje Muhtesar el-Wikaje të Sadr esh-Sheria UbejdAllah ibn Mes’ud el-Mahbubi (vd. 747/1346), kjo e fundit një shkurtesë e Wikajat er-Riwaje fi Mesail el-Hidajeh nga gjyshi i tij në Fikhun Hanefij, rreth Hidajes së Merghinanit (vd. 593H/1197), një komentim ky mbi veprën e tij Bidajat el-Mubtedi, e cila përbashkon veprën El-Muhtesar të Kuduriut (vd. 428H/1037) me Xhami es-Saghir të Shejbaniut (vd. 189H / 805). El-Karij e përfundoi në 1003H/1595 dhe në të citoi argumente për qëndrimet e fikhut hanefij, nga Kur’ani, Suneti dhe analogjia ligjore.

25. Fet’h Bab el-Isad fi Sherh Kasidet Banet Suad, një komentim mbi poezinë e famshme të Ka’b ibn Zuhejr el-Muzanit, me ç’rast ai (s.a.v.s.) mori mantelin e tij dhe ia vuri atij.

26. El-Fet’h er-Rabbani fi Sherh Tesrif ez-Zenxhani, një libër në morfologji bazuar në manualin e Izzudin Ibrahim ibn Abdulvehab ez-Zenxhani (vd. 655H/1257) në 26 folie.

27. Fet’h er-Rrahman bi Fadail Shaban, e cila fillon me fjalët El-Hamdu lilah el-ledhi kaddere el-erzake wel-axhal, në të cilën ai citon hadithe dhe transmetime tjera mbi mirësitë e mesit të muajit Shaban dhe diskuton gradimin e tyre, duke shtuar një komentim të Sures Kadr dhe fillimin e Sures ed-Dukhan. Kjo vepër është botuar në Bulak në vitin 1307/1890 dhe mund të jetë e njëjta si et-Tibjan fi Bejan ma fi Lejlet en-Nisf min Sha’ban. El-Karij në këtë monografi mbron legjitimitetin e namazit grupor 100 rekatesh që kishte origjinën në Kuds, përmendur së pari nga Ebu Talib el-Mekki (vd. 386H/996) në seksionin e 20-të të veprës së tij Kut el-Kulub dhe marrë prej tij nga Ebu Hamid Gazaliu (450-505/1058-1111) në kapitullin e shtatë të namazeve vullnetare (nafile) në Ihja dhe Abdulkadir Gjilani (470-561/1077-1166) në Ghunja, por i gjykuar nga shumica si një novacion i pabazë.

28. Fejd el-Faid fi Sherh Rawd er-Raid fi Mesail el-Faraid, një trajtesë në ligjin e trashëgimisë.

29. Fejd el-Mu’in ala Xhem el-Erbain fi Fadl el-Kur’an el-Mubin (Vërshimi i Ndihmuesit në mbledhjen e dyzet haditheve për mirësitë e Kur’anit të gjithë-ndritur), një përkthim i të cilës është botuar së fundmi me titullin “Forty Hadiths on the Blessing of Reading the Qur’an” (Dyzet hadithe rreth bekimit të leximit të Kuranit).

30. El-Fejd es-Semawi fi Tahrixh Kira’at el-Bejdawi, një libër reference i madh për leximet kanonike të përmendura në Tefsirin e Bejdaviut.

31. El-Fusul el-Muhimme fi Husul el-Mutimme, një studim i 13 haditheve në lidhje me drejtimin e gjymtyrëve gjatë namazit kundër prishjes së namazit prej atyre që tejkalojnë imamin në namaz me xhemat ose që shkojnë në sexhde pa u drejtuar pas rukusë, pastaj – me fjalët e hadithit – “jepni tokës dy përulje” në vend që të ulet drejtë në mes dy sexhdeve.

32. Ghajat et-Tahkik fi Nihajat et-Tadkik një përpjekje shtatë faqesh për të zgjidhur mospajtimet ndër-medhhebore të banoreve të dy Haremeve rreth pasimit të imamëve të shkollave tjera në namaz, kohës së ikindisë dhe përsëritjes së namazit, çështje që el-Karij i vazhdon në Lisan el-Ihtida.

33. Hashije ala Sherh Risalat el-Wad, një margjinale për komentimin e Khwaxha Ali Samerkandit (vd. 860H/1456) mbi trajtesën e Xhurxhanit (vd.816/1413) rreth neologjizmave.

34. Hashije ala Tefsir el-Bejdawi, një komentim mbi xhuzin e fundit të tefsirit të Bejdaviut Enwar et-Tenzil.

35. El-Hazz el-Efwar fi Haxh el-Ekber, një fetva në të cilën ai diskuton bazën e emërimit e Haxhit të tillë kur dita e Arafatit bie të shtunën.

36. El-Hibet es-Sanijje el-Alijje ala Ebjat esh-Shatibijje er-Raijje, një komentim mbi Akilat Etrab el-Kasaid fi Esna el-Mkasid të Shatibiut, kjo një strofëzim i Mukni i Ebu Amr ed-Dani (vd. 444) mbi tekstin Kur’anor.

37. El-Hirz eth-Themin lil-Hisn el-Hasin, një manual lutjesh që ai e përfundoi në vitin 1008/1600 bazuar në “Kështjellën e pathyeshme” (El-Hisn el-Hasin min Kelam Sejjid el-Murselin) të Ibn el-Xhezari, të cilën ky i fundit e shkroi në kohën kur Tatarët sulmonin Damaskun.

38. El-Hizb el-Azam wel Wird el-Efkham, një manual lutjesh në shtatë kapituj, një për secilën ditë të javës, të cilën el-Kariu e përzgjodhi prej “librave të famshme, me nam, si Hisn i el-Xhezarit, Edhkar i Neveviut, El-Kalim et-Tajjib, dy Xhami të Sujutiut dhe Dur el-Menthur dhe Kawl el-Bedij nga Shewkani, paraprirë nga lutjet Kur’anore.” Kjo vepër ka marrë disa komentime, në veçanti nga dijetarë turk.

39. El-I’lam bi Fadail Bejt Allah el-Haram, një vepër në 68 folie mbi meritat e pakrahasueshme të Qabes së mrekullueshme.

40. El-Inba bi-enne el-Asamin Sunen el-Enbija, një diskutim një faqesh mbi shkopin e ecjes si sunet të Pejgamberëve, të cilin el-Kariu e sjell përsëri në veprën e tij Esrar me titullin “Mbështetja në shkop është sunet i Pejgamberëve.”

41. El-Istid’a fil-Istiska, një përmbledhje e rregullave të lutjes për shi.

42. El-Istina fil-Idtiba, një demonstrim tre faqesh që idtiba (mbështetja e supeve) është sunet për meshkujt në shtatë rundet e rrethrrotullimit që Sa’iu bën dhe që për hanefijt nuk ka fare idtiba në sa’i.

43. Istinas en-Nas bi Fadail ibni Abbas, një biografi në 11 folie rreth sahabiut Ibn Abbas.

44. El-Itina bil-Ghina fil Fena, një trajtesë në ndalimin e përgjithshëm të instrumenteve muzikore, këndimit dhe vallëzimit në përgjigje të pyetjes së një muslimani të devotshëm, botuar në vitin 2002 në Dar el-Farfur në Damask në titullin Es-Sema wel-Ghina.

45. Xhem el-Wesail fi Sherh esh-Shemail, një komentim mbi Shemail të Tirmidhiut që el-Karij e ka përfunduar në vitin 1008H/1600 në të cilin ai citon prej komentimeve të mëhershme, sidomos prej shejhut të tij kryesor dhe vendasi i tij Mirak Shah Emir Nesimuddin ibn Sejjid Xhemaluddin (vd. 981H/1573), një ekspert hanefij nga Herati, komentimi i mësuesit të tij Hetemiut Eshraf el-Wasail fi Sherh esh-Shemail, Shemsuddin Mulla el-Hanefij (vd. pas 927/1521), Isamuddin el-Isfarejini (vd. 943/1536) dhe tjerë.

46. El-Xhemalejn ala el-Xhelalejn, komentimi i tij mbi komentin e famshëm Tefsir el-Xhelalejn, për të cilin disa dorëshkrime janë gjetur në Indi, Turqi dhe vende tjera.

47. Keshf el-Khidr an Amr el-Khidr (Zbulesa e çështjes së Hidrit), e botuar në Damask si El-Hadher min Amr el-Khidr (Kujdes ndaj çështjes së Hidrit), të cilës el-Karij i referohet në Esrar dhe të cilën e përfundon me një përgënjeshtrim të qëndrimit që Hidri nuk është më gjallë.

48. Lisan el-Ihtida fil-Iktida, një tjetër kërkim në 13 faqe se si të akomodohen dallimet medhhebore ngjashëm me Ghajat et-Tahkik dhe të sjell ndërmend një trajtesë të ngjashëm të shkurtër nga një nxënës i Ibn el-Humam (vd. 861/1457) në të njëjtën temë, Bejan el-Iktida bi Shafijje wel-Khilafi fi Dhalik nga Ali es-Sindi.

49. Lub el-Lubab el-Menasik we Hub Ubab el-Mesalik, një përmbledhje në 22 folie e Lubab el-Menasik we Ubab el-Mesalik nga Rahmetullah ibn Abdullah ibn Ibrahim es-Sindi (vd. 978) për të cilën el-Karij po ashtu kishte shkruar një Hashije.

50. El-Maden el-Adeni fi Fadl Uvejs el-Karani, një biografi në 13 folie për të famshmin Uvejs el-Karani nga Jemeni, të cilën el-Karij e përmbyll me fjalët:

“Dije që ajo që është bërë e famshme në masë se Uvejsi kishte shkulur të gjithë dhëmbët e tij nga pikëllimi kur dëgjoi që dhëmbi i Resulullahut (s.a.v.s.) është dëmtuar në betejën e Uhudit – dhe ai nuk e dinte cili dhëmb ishte – është e pabazë sipas dijetarëve, pa përmendur që është në kundërshtim me ligjin e pastër, prandaj asnjëri prej sahabëve nuk e bëri, ndonëse mjafton që një vepër e tillë është një abuzim që vetëm një budalla do ta bënte.”

51. Menakib el-Imam el-Azam we-As’habih, një biografi 106 folie e Ebu Hanifes dhe sahabëve të tij e cila gjendet po ashtu në pjesën e parë të El-Ethmar el-Xhanijje dhe është risjellë në vëllimin e dytë të botimit të Dairet el-Mearif en-Nizamije të El-Xhewahir el-Muddije të ibn Ebi el-Wefa.

52. Mekalat el-Adhba fil-Imameti wel-Adhebe, një trajtesë mbi turbanin në të cilën el-Karij thotë:

Dije që është vërtetuar në hadithet e transmetuar që Pejgamberi (s.a.v.s.) ka mbajtur turban dhe është rekomanduar në shumë hadithe. Edhe nëse ato janë të dobëta, pesha kolektive e tyre ofron fortësi që i ngre ato në nivelin e vërtetësisë dhe përcjell pëlqyeshmërinë (istihbab) për mbajtjen e turbanit.

53. El-Mes’ele fil-Besmele, një fetva dy faqesh që thotë që qëndrimi i mbështetur në medhhebin hanefij është që është e ndaluar të lexohet bismilahi në fillim të Sures Tewbe, në kundërshtim me qëndrimin e Imam Ebu Lejth es-Samerkandi në Fetava en-Nawazil. Thotë që, është në kundërshtim me Kuranin, Sunetin dhe konsensusin dhe atribuimi ndaj Ebu Hanifes është i gabuar.

54. El-Meshreb el-Wardi fi Hakikati Medhheb el-Mehdi, në të cilën ai përgënjeshtron pretendimet: që el-Khadir ka mësuar fikh nga Ebu Hanife, qoftë në jetën e tij qoftë në varr pas vdekjes së tij, që Isa ibn Merjem dhe Mehdiu do të pasojnë shkollën hanefite pas ardhjes së tyre. El-Berzanxhi preku këtë temë në El-Isha’a fi Ahbar es-Sa’a, duke cituar origjinën e saj tek Xhami er-Rumuz fi Sherh en-Nukaje nga el-Kahistani. El-Karij përfundon që Mehdiu do të jetë muxhtehid mutlak dhe që Isa do të merr mësime nga askush tjetër pos Pejgamberi Muhammed (s.a.v.s.).

55. El-Meslek el-Mutekassit fil Mensek el-Mutewassit, një koment mbi veprën e një mësuesi të el-Kariut, Mulla Abdullah es-Sindi, mbi ritualet e haxhit.

56. El-Mensu fi Ma’rifet el-Hadith el-Mewdu, libra e tij e vogël rreth haditheve të trilluara. Kjo është më e vogla nga dy përpilimet që ai ia kushtoi haditheve të trilluara, me 417 shënime. Dijetari specialist i hadithit Abdulfettah Ebu Ghude e botoi me një parathënie rreth këtij zhanri.

57. El-Newrid er-Rawi fil-Mewlid en-Nebevij, një vepër mesatare (47 folie) e shkruar për përdorim në festimet e ditëlindjes së Pejgamberit (s.a.v.s.), në të cilën el-Karij thotë, “Pasi që e kam të pamundur t’i shërbej (gostisë) njerëzit fizikisht, i kam shkruar këto faqe që të mund të mund t’i shërbej ata metaforikisht dhe me dritën e kohërave që do vijnë – pa kufizim në vit ose muaj të veçantë.” El-Kariu shkroi një monografi të dytë në të njëjtën temë, të titulluar thjeshtë “Risale fil-Mewlid”.

58. El-Minah el-Fikrijje bi Sherh el-Mukaddimet el-Xhezarijje, një trajtesë mbi Mukaddime Xhezarije, një poezi e famshme mbi leximet kanonike nga Muhamed ibn Muhamed ibn Muhamed el-Xhezari (vd. 833H/1430).

59. Minah el-Rawd el-Ez’her fi Sherh el-Fikh el-Ekber, një komentim mbi kredon sunite atribuuar Ebu Hanifes që është bërë në vete një libër shpesh i studiuar mbi doktrinën,

60. Mirkat el-Mefatih Sherh Mishkat el-Mesabih, komentimi i tij masiv mbi Mishkat e Muhammed ibn Abdullah el-Hatib et-Tibrizi (vd. 741H/1340) – kjo e fundit një zgjerim i Mesabih es-Sunneh nga Ebu Muhammed el-Beghevi (433-516H / 1042-1122) të cilën ai (el-Karij) e përfundoi në vitin 1008H/1600.

61. El-Mubin li Fehm el-Erbain, një komentim i madhësisë mesatare për koleksionin e famshëm të dyzet haditheve nga Neveviu të cilin el-Karij e fillon me një parathënie rreth simbolikës së numrit dyzet.

62. El-Mulemma fi Sherh en-Na’t el-Muressa, një fjalor termesh për veprën e tij en-Na’t el-Murassa bil-Muxhennas el-Musaxha – një vepër e shkëlqyer për dërgim salavateve mbi Pejgamberin (s.a.v.s.) e shkruar me një mostër përsëritëse të rimës së brendshme (saxh) e ndërtuar në aliteracion (xhinas) – fjalë që dallojnë në kuptim por janë fonetikisht dhe/ose grafikisht (p.sh. përmes pikave, zanoreve, ose variacionit të shkronjave) të ngjashme ose të përafërta. Fillon me: “O Allah, beko dritën më të lartë (nurik el-a’la) dhe lulen tënde më të bekuar (we newrik el-aghla).”

63. El-Mukaddimet es-Salime fi Khawf el-Khatime, në të cilin el-Karij nxjerr dëshmi që besimtari duhet të jetë në rrugë mesatare në mes frikës dhe shpresës e jo të heq dorë tërësisht nga e mesmja, në përgënjeshtrim të një bashkëkohësi që pretendonte se kushdo që e ka parë atë, do të hyj në parajsë.

64. Mu’tekad Ebi Hanifata el-Imam fi Ebewej er-Resul alejhi salat wes-selam, botuar në Adilat Mu’tekad Ebi Hanifa, etj. një vepër kontroverse për të cilën el-Karij u sulmua për shkak të pretendimit që “konsensusi i selefit dhe halefit” është që prindërit e Pejgamberit (s.a.v.s.) ndërruan jetë si jobesimtarë, një qëndrim që ai ia përshkruan Ebu Hanifes në Sherh Fikh el-Ekber. El-Karij ka prekur mbi këtë në Mirkat (Xhenaiz, kapitulli i vizitës së varreve) dhe ripërsërit qëndrimin Mu’tekad në Shem el-Ewarid, el-Mewrid er-Rawi dhe në Mukaddimet es-Salime, së fundi duke shkruar në komentimin e Shifa së Ijadit:

Sa për atë që është përmendur që ai (s.a.v.s.) i ka kthyer në jetë prindërit e tij dhe që ata kanë besuar në të – bazuar në transmetimin e Taberaniut dhe të tjerëve prej Aishes – mjeshtërit e hadithit janë pajtuar që ato janë të dobëta, siç është deklaruar nga Sujutiu. Ibn Dihja madje thotë që është i trilluar dhe kundërshton Kuranin dhe Sunetin. Unë e kam zgjeruar këtë në një monografi që shqyrton këtë çështje në detaje, në refuzim të dijetarit të madh es-Sujutiut në tri trajtesat[24] që ai ka shkruar dhe i kam ekspozuar dobësitë e argumenteve të tij.[25]

Në Esrar, të cilin ai e përfundoi pas Sherh esh-Shifa (1011/1602), el-Karij rreptëson qëndrimin e tij, të cilin e mbajti deri në fund të jetës së tij, në kundërshtim me tregimin që ai u tërhoq siç qarkullon nga disa, dhe adoptoi qëndrimin e Ibn Dihjasë, pa përmendur fare veprat e Sujutiut në kundërshtim me këtë në veprën e tij të shkurtër “Ringjallja e dy Prindërve”.

Disa ulema – në veçanti ata të familjes pejgamberike – u ofenduan në atë që ata konsideruan si motiv kryesor të veprave të el-Kariut duke tejkaluar limitin e ixhtihadit legjitim. Komentuesi Kuranor dhe filologu Sejjid Muhammed ibn Abd er-Resul ibn Abd es-Sejjid ibn Abd er-Resul el-Berzxhani esh-Shehrezuri el-Medeni esh-Shafi’ij el-Husejni (vd. 1103/1692) shkruan në Sadad ed-Din we Sidad ed-Dejn fi Naxhat el-Ebewejn esh-Sherifejn (Drejtësia fetare dhe shpagimi i borxhit në lidhje me dy prindërit fisnik):

“Është shumë e çuditshme që Ali ibn Muhammed el-Karij el-Harevij, një prej hanefijve të mëvonshëm, shkroi një komentim për versionin e dyte të Fikh el-Ekber që ai supozonte që është shkruar nga Imam Ebu Hanife në të cilën ai kalon të gjithë kufijtë duke lënduar dy prindërit, por kjo nuk i mjaftoi atij. Ai patjetër duhej të shkruante një monografi për këtë çështje. Pastaj ai thotë në komentimin e Shifa-së, duke u lavdëruar me krenari: “Unë kam shkruar një monografi rreth Kufrit të tyre!” Së paku, nëse nuk kishte ndërmend të kujdesej për të drejtën e të Dërguarit të Allahut, pasi që ai e kishte lënduar atë në këtë gjë, sikur të ishte ndjerë i turpëruar që ta përmendte në komentimin e Shifa, një libër dedikuar për nderimin e Mustafasë! Por shihni, meqë ra fjala, që autorit të Shifa-së ia shohin për të madhe që në të ka përmendur që nuk është kategorikisht e detyrueshme (në namaz) që të dërgohet salawat për të, duke pohuar që vetëm Shafiu kishte thënë këtë gjë – ndërsa e tërë kjo, s’ka të bëj me librin! Pastaj Allahu i lartësuar fuqizoi mbi këtë Aliun një prej bashkëkohësve të tij, Imam Abdulkadir et-Taberi esh-Shafi’ij, i cili shkroi një trajtesë të rreptë në përgënjeshtrim të tij.”[26]

El-Berzanxhi pastaj citon një pasazh nga përgënjeshtrimi i fundit në të cilën Taberiu – nxënësi më i dalluar i el-Kariut dhe pasardhës i Pejgamberit (s.a.v.s.) – thotë që kishte parë në ëndërr duke gjuajtur el-Kariun nga një palë shkallë të larta. “Mëngjesin tjetër, më thanë që ai (el-Karij) ishte i sëmurë për shkak të një rrëzimi të keq. Ai nuk jetoi gjatë pas kësaj – Allahu e pastë mëshiruar.”[27]

Në komentimin e tij të frazës Kuranore “përkuljen tënde në mesin e atyre që bëjnë sexhde” (26:219) – të transmetuar nga Ibn Abasi si “ardhja jote nga ijët e një pejgamberi tek një tjetër pejgamber”[28] – komentuesi dhe sejjidi Mahmud el-Alusi (1217-1270/1802-1854) ka thënë:

“Ky ajet është nxjerrë si dëshmi për besimin (monoteist) të dy prindërve të tij dhe unë kam frikë që kushdo që flet (keq) për ta kalon në mosbesim (kufr), përkundër asaj që Ali el-Karij dhe soji i tij thonë të kundërtën.”[29]

65. En-Namus fi Talhis el-Kamus, një fjalor i arabishtes i shkurtuar prej Kamus el-Muhit të Fejruzabadit (vd. 729H/1329)

66. Nuz’hat el-Khatir el-Fatir fi Terxhemet Sejjidi Abd el-Kadir, një biografi e shejh Abdulkadir Xhilanit në 32 folie.

67. El-Kawl el-Sedid fi Khulf el-Wa’id, një trajtesë në të cilën el-Karij paraqet dëshminë e argumentit të tij që mundësia që Allahu i lartësuar mund të zbus atë me të cilën Ai ka kërcënuar nuk është konsensusi por është kontestuar nga një numër i konsiderueshëm i specialistëve të doktrinës të cilët mbajnë qëndrimin që kjo përjashtohet.

68. Kajd esh-Sharid min Akhbari Jezid, në të cilën el-Karij dokumenton – siç përmend po ashtu në Sherh esh-Shifa dhe Salat er-Risaleh – ndalueshmërinë e mallkimit të Jezidit në pajtim me qëndrimin e shumicës së dijetarëve.

69. El-Kiwam lis-Suwwam, një vepër në mbrojtje të agjërimit vullnetar në muajin Rexhep dhe muajt tjerë, të cilën ai e citon në seksion e “Përmbledhjeve” në Esrar (seksioni 17: “Namazet e veçanta të shpikura”) në përgënjeshtrim të fjalës së Ibn Kajimit në Menar el-Munif që “çdo hadith që përmend agjërimin e Rexhepit dhe faljen në ndonjë natë specifike është gënjeshtër e trilluar.”

70. Radd el-Fusus, një përgënjeshtrim i shejh Muhiuddin ibn Arabiut në Fusus el-Hikam të cilën el-Karij në fakt e ka titulluar Mertebat esh-Shuhudijje fi Menzilet el-Wuxhudijje.[30] Kjo vepër është shtypur së bashku me Ferr el-Awn të el-Karij në Instabul, Dar el-Mearif në vitin 1294H/1877 nën titullin Risala fi Wahdat el-Wuxhud, gabimisht atribuuar Taftazaniut.[31] Në Radd el-Karij thotë: “Rruga më e sigurt në fe në lidhje me personin e Ibn Arabiut është heshtja, pasi që dijetarët kanë dalluar rreth tij.”[32]

71. Raf el-Xhunah we Khafd el-Xhenah, një koleksion e dyzet haditheve rreth virtyteve të martesës, të cilën ai e hap me imitimin e fjalëve të ajetit “mos vdisni ndryshe, përveç si musliman!” (3:102), si “mos vdisni ndryshe, përveç si të martuar!”

72. Risaleh fi Bejan Ewlad en-Nebij, një listë biografike dyfaqëshe e fëmijëve të Pejgamberit (s.a.v.s.)

73. Risaleh fi Bejan Ifrad es-Salat es-Selam: Hel Jukrehu am La? në të cilën ai u orvat që të kundërshtoj qëndrimin e Neveviut që është e papëlqyer që t’i dërgosh bekime (salat) Pejgamberit (s.a.v.s.) pa dërguar përshëndetje (selam).

74. Risaleh fi Bejan et-Temettu fi Ashhur el-Haxh lil-Mukim bi-Mekkete min Am, një përgjigje njëfaqëshe në të cilën ai argumenton për lejueshmërinë e haxhit Temettu për haxhiun udhëtar Mekas, në kundërshtim me qëndrimin hanefij.

75. Risala fi Lamat we Marifat Aksamiha, një trajtesë mbi shkronjën Lam (L) dhe përdorimet e ndryshme gramatikore.

76. Risala fi Ma Jetealeku bi lejleti en-Nisfi min Shaban we Lejleti el-Kadr , shih Fet’h er-Rrahman bi Fadail esh-Shaban (nr. 27).

77. Risalat el-Mehdi, në të cilën Kariu sikurse mësuesi i tij el-Mutteki el-Hindi në Burhan fi Alamat Mehdi Akhir ez-Zaman dhe Risalat er-Radd, përgënjeshtron sejjid Muhammed ibn Sejjid Khan el-Kazimi el-Husejni el-Xhuwanpurin (847-910/1443-1504) i cili pretendonte se është Mehdiu i premtuar.[33]

78. Sened el-Enam fi Sherh Musned el-Imam, një komentim mbi hadithet e transmetuara nga Ebu Hanife, të njohura si Musnedi i tij, në të cilat el-Karij thotë: “Mendimi i mirë për Ebu Hanifen është që ai ka zotëruar hadithin – të fortat dhe të dobëtat.” Abdul Fetah Ebu Guda distancohet nga ky pretendim, duke e interpretuar si “shumicën e hadithit dhe Sunenit.”[34]

79. Sanat Allah fi Sighat Sibghat Allah, një mbrojtje për Bejdaviun i cili përmend në Tefsirin e tij (fundi i Sures Fatiha) një hadith të transmetuar nga Tha’lebiu në Tefsir, të cilin Sibghat Allah ibn Rawh Allah ibn Xhemal Allah el-Berwaxhi el-Medeni el-Husejni en-Nakshbendij (vd. 1015/1606) e kishte deklaruar si të trilluar (siç ka bërë Weliuddin el-Iraki para tij): “Vërtetë Allahu do ta shpërndaj ndëshkimin e përcaktuar të pashmangshëm tek një popull, me ç’rast një djalosh nga mesi i tyre do të recitoj, “Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve!” nga Libri (Kurani). Allahu do ta dëgjoj atë dhe do ta ngrit ndëshkimin prej tij për dyzet vite.”

80. Es-Sania fi Tahkik el-Buk’at el-Mani’a, një fetva dyfaqëshe që tregon se obligimi i haxhit varet në Tawafin në vendin e Qabes së shenjtë e jo në vetë objektin fizik si të tillë, kështu që detyra do të vazhdonte edhe nëse ndërtesa do të shkatërrohej.

81. Shemm el-Awarid fi Dhamm er-Rawafid, një trajtesë që anatemon shi’itët ekstrem (rafidij) si jobesimtar. Kjo është tjetër vepër nga ajo e el-Karij ne titull Selalat er-Risala në të njëjtën temë.

82. Sherh Elfaz el-Kufr, një komentim i trajtesës së Rashid Muhammed ibn Ismail ibn Mahmud el-Hanefi (vd. 768H/1367) mbi fjalët që nxjerrin në mosbesim (kufr). El-Karij ia shtoi atë komentimit të tij të Fikh el-Ekber.

83. Sherh Ajn el-Ilm we Zejn el-Hilm, një komentim i shkurtimit të Ihja Ulum ed-Din të Gazaliut nga Shemsuddin Muhammed ibn Uthman ibn Umar el-Balkhi (vd. 830H/1427), të cilën el-Karij thotë se e ka përfunduar në Rexhep 1014/Nëntor 1605, domethënë tri muaj para se të vdiste.

84. Sherh Hizb el-Bahr, një komentim në 60 folie në një tekst devocional të atribuuar Ebu Hasan el-Bekriut që el-Karij përmend në Xhem el-Wesail dhe Hirz el-Themin, duke ia atribuuar atë “mjeshtërve Bekrij.”

85. Sherh Mughni el-Bebib an Kutub el-Arib, një komentim i papërfunduar i manualit gramatikor të filologut Ibn Hisham (vd. 761H/1360).

86. Sherh Musned el-Imam Ebi Hanifa. Përmbledhje të shkurtra të hadithit të transmetuara prej deri në 22 nxënës të Ebu Hanifes (vd. 150H/767) me zinxhirë të lidhur deri tek Pejgamberi (s.a.v.s.) (17 prej të cilave janë mbledhur nga es-Salihi në Ukud el-Xhuman), por në terme absolute titulli Musned Ebi Hanifa i referohet në veçanti veprës së përpiluar nga mjeshtri i Buharasë Ebu Muhammed Abdullah ibn Muhammed ibn Jakub el-Harithi (vd. 340H/951), të cilën el-Karij e komentoi në një vepër të mesme.

87. Sherh el-Muweta bi Riwajat Muhammed ibn el-Hasan, të cilën ai e përfundoi në vitin 1013/1605.

88. Sherh er-Risalat el-Kushejrijje në dy vëllime dorëshkrim të ruajtur në Konja.

89. Sherh Sherh Nuhbat el-Fikar, një komentim mbi komentimin e Ibn Haxherit me titull Nuz’hat en-Nezar i cili është një komentim mbi veprën e tij Mustalah Ehl el-Athar ose “Mendime të zgjedhura mbi nomenklaturën e dijetarëve të hadithit,” të cilën ai e përfundoi në vitin 1006H/1598.

90. Sherh esh-Shatibijje, një trajtesë mbi Hirz el-Emani we Wexh’j et-Tehani, një poezi nga Miku i Zotit, mjeshtri i verbër Kasim ibn Fijjureh esh-Shatibi (538-590H/1144-1194) mbi leximet kanonike Kuranore të njohura si Shatibijje el-Kubra dhe Shatibijje Lamijje. El-Karij po ashtu shkroi sqarime të shkurtra për fjalët e vështira të titulluar Ed-Dabitijje lil-Shatibijje.

91. Sherh esh-Shifa, një komentim i madh mbi kryeveprën e përjetshme të Kadi Ijad, të cilën el-Karij e përfundoi në Ramazan 1011H/1602.

92. Shifa es-Salik fi Irsali Malik – një përgjigje dy faqëshe ndaj kritikës së dikujt ndaj qëndrimit të Imam Malikut për Sadl – faljes me duar të lëshuar anash me fjalët në vijim: “Muxhtehidi është i burgosur i argumentit, kështu që është e pa imagjinueshme që Imam Maliku të mos ketë bazë për këtë.”

93. Silat el-Xhewaiz fi Salat el-Xhenaiz, në të cilën ai parashtron qëndrimin që statusi i namazit të xhenazës brenda xhamisë është veprim jo i rekomanduar (mekruh tenzih), jo qortim i ndaluar (mekruh tahrimen), duke dhënë dëshmi për preferimin (el-ewla) për faljen brenda xhamisë së shenjtë të Mekës.

94. Sulalet er-Risale fi Dhemm er-Rawafid min Ehl el-Dalale, një trajtesë që demonstron se ata që ofendojnë dy halifët e parë (Ebu Bekrin dhe Omerin) nuk janë kategorikisht jobesimtarë. Kjo është vepër tjetër nga ajo Shemm el-Awarid (nr. 81) mbi të njëjtën temë.

95. Teb’id el-Ulema an Takrib el-Umera, një rishikim në 16 folie i çështjeve që kanë të bëjnë me raportin në mes dijetarit musliman, nxënësit të dijes dhe udhëheqësve.

96. Et-Ted’hin lit-Tezjin ala Waxh et-Tebjin, një vazhdim (plotësues) katërfaqësh i Tezjin el-Ibare për të përgënjeshtruar një kritik të kësaj të fundit mbi çështjen e tregimit me gisht gjashtë teshehudit (Et-Tehijjatu…).

97. Tahkik el-Ihtisab fi Tadkik el-Intisab, një korrigjim tre-faqesh i besimit të gabuar që origjina ‘e ulët’ familjare kah ana e nënës ndikon në statusin shoqëror.

98. Et-Taibijje fi Sherh et-Ta’ijje, një komentim 24 folie i një poezie mbi pendimin e shkruar nga dijetari jemenas Sherefuddin Ismail ibn Ebi Bekr el-Husejni, i njohur si Ibn el-Mukri (vd. 837H/1434) në të cilën ai këshillon të birin e tij që të pendohet. El-Karij po ashtu ka shkruar një komentim mbi strofën e të birit në përgjigje të babait të tij që fillon me fjalët “Unë kam mendimin më të mirë për Allahun.”

99. Et-Ta’likat ala Thulathijat el-Buhari, një komentim mesatar i botuar së fundmi mbi të gjitha hadithet në Sahih Buhari të cilët kanë vetëm tre persona në zinxhir, të cilat el-Karij vazhdon t’i komentoj prej disa perspektivave, përfshirë sqarimin e fjalëve të vështira.

100. Teshji Fukaha el-Hanefijje li Teshni Sufaha esh-Shafiije, në të cilën ai mbron shkollën hanefite dhe imamët e saj kundër asaj që ai e quan shpifjet e disa shafi’ijve. Ai këtë e vazhdon me një Dhejl dy faqëshe ku ai mbron veten nga akuzimi i fanatizmit medhhebor dhe përmend që edhe muftiu hanefij edhe kadiu i zonës së Mekës, Bedruddin Hasan esh-Shahawi dhe Husejn ibn Rustum el-Kefawi mbrojtën dhe arsyetuan atë.[35]

101. Teslijat el-Ama ala Belijjat el-Ama, një përmbledhje e 50 transmetimeve që i japin ngushëllim të verbrit dhe shpërblimet për durimin e tij.

102. Et-Tesrih fi Sherh et-Tesrih, një përgjigje në gjashtë folie mbi sunetin e mirëmbajtjes dhe krehjes së mjekrës.

103. Tat’hir et-Tawijje bi Tahsin en-Nijje, një shpjegim në tetë folie e shprehjes “Nijeti i besimtarit është më i mirë se veprimi i tij dhe veprimi i hipokritit është më i mirë se sa nijeti i tij”, të cilës el-Karij i kushtoi një hyrje në Esrar.

104. Tetmim el-Mekasid we Takmil el-Akaid, një përpilim pyetjesh mbi doktrinën të cilën el-Karij ia shtoi komentimit të tij të Fikh el-Ekber, botuar në tërësi në botimin e mësuesit tonë të ndjerë Shejh Vehbi Sulejman Gavoçi Minah er-Rawd ez-Ez’her. Tetmimi përfshin veprën Sherh Elfaz el-Kufr (nr. 82) të el-Kariut.

105. Tewdih el-Mebani we Tenkih el-Me’ani, një komentim mbi shkurtimin (Muhtesar) e Ibn Habib el-Halebi (vd. 808H/1405) të veprës Menar el-Enwar të Nesefiut (vd. 810H) mbi parimet ligjore.

106. Tezjin el-Ibare li Tahsin el-Ishare, një studim gjashtë faqesh mbi çështjen e ngritjes së gishtin në teshehhud në të cilën el-Karij kritikoi ashpër ata që pretendojnë që ky tregim me gisht është më mirë të shmanget, është i papëlqyer, apo edhe i ndaluar. Ai po ashtu shkroi një vazhdim plotësues, Tad’hin lit-Tezjin.

107. El-Wukuf bi Tahkik ala Mawkif es-Siddik, një fetva 5 folie mbi një çështje historike që ka të bëj me haxhin gjatë halifatit të parë.

108. Ez-Zubda fi Sherh el-Burda, një komentim i poezisë së pavdekshme të Busirit në lavdërim të Pejgamberit (s.a.v.s.).[36]

109. Zubdat esh-Shemail we Umdet el-Wesail, një shkurtim 22 folie i Shemail el-Muhammedije të Tirmidhiut.

[1] El-Muhibbi, Khulasat el-Ether fi Ajan el-Karn el-Hadi Asher, 4 vëll. (Kajro: el-Metba’a el-Wehbijje, 1284H/1868) 3:185, Shewkani, Bedr al-Tali bi Mahasin man ba’d el-Karn el-Tasi

[2] Ez-Zabidi në Taxh el-Arus e derivon nga mewla, të cilën “jo-arabët e kthyen në mawl(a)wi pastaj e korruptuan në mulla.” Shih po ashtu Hasan Halak dhe Abbas Sabbagh, El-Muxhem el-Xhami fil-Mustalehat el-Uthmanije (Bejrut: Dar en-Nahdat el-Arabijje, 2009, fq. 213)

[3] Khalil Ibrahim Kutlaj, Imam Ali el-Karij wa Atharuhu fi ilm el-Hadith (Bejrut: Dar el-Besha’ir el-Islamijje, 1408H/1987) fq, 54-55. Artikulli aktual pjesërisht mishëron dhe përditëson materialin e prezantuar nga Kutlai.

[4] Kutlai, el-Imam Ali el-Karij (fq. 57)

[5] El-Karij, Mirkat el-Mefatih Sherh Mishkat el-Mesabih, botimi i Muhammed ez-Zuhri el-Ghamrevij, 5 vëll. (Kajro: el-Metba’at el-Mejmanijje, 1309H/1892) 1:254)

[6] El-Karij, Mirkat (1:25)

[7] El-Karij, Mirkat (1:2)

[8] Siddik Hasan Khan, Ebxhad el-Ulum, bot. Abd el-Xhabir Zekkar, 3 vëllime (Damask: Wizaret et-Tehqafe wel-Irshad el-Kawmi, 1978; rishtypur Bejrut: Dar el-Kutub el-Ilmijje, n.d.) 3:232.

[9] El-Kari, Mirkat (1:2)

[10] El-Karij, në disa vende, shih Kutlaj, el-Imam Ali el-Karij (fq. 77)

[11] El-Karij, Bejan Fil-Hajr idha Dakhale Mekkete men Haxhe an el-Ghajr në Kutlaj, el-Imam el-Karij (fq. 79)

[12] Në el-Muhibbi, Khulasat el-Ether (3:185)

[13] El-Karij, Bejan Fil Hajr në Kutlaj, el-Imam Ali el-Karij (fq. 82)

[14] El-Kari, Mirkat (1:2)

[15] El-Karij, Shemm el-Awarid, shih Kutlaj, el-Imam Ali el-Karij (fq. 81)

[16] Në Abdallah el-Mirdad, El-Muhtesar min Kitab Nashr en-Nur wez-Zahr fi Teraxhim Efadil Mekke min el-Karn el-Ashir ila el-Karn er-Rabi Ashar, botimi Muhammed Said el-Amudi dhe Ahmed Ali, botimi dytë (Xhide: Alam el-Ma’rife, 1406H/1968) fq. 268

[17] Në Mirdad, Muhtesar (fq. 251).

[18] Siç nënkuptohet nga Ethbat e Shah Weliullah ed-Dihlewij, mësuesi i tij Ibn Akila dhe mësuesi i këtij të fundit Hasan ibn Ali el-Uxhejmi i cili transmeton nga Muhammed Husejn el-Khafi, nga Abdulhak ed-Dihlewi, nga Mulla Ali el-Karij

[19] Muhammed Emin ibn Abidin, Thebet Ibn Abidin el-Musemma Ukud el-Le’ali fil-Asanid el-Awali, botimi Muhammed Ibrahim el-Husejn (Bejrut: Dar el-Basha’ir el-Islamijje, 1431H/2010), fq. 406 dhe el-Kuzbari, Mexhmu el-Ethbat el-Hadithijje li Al el-Kuzbari ed-Dimeshkijjin we Sijerihim we Ixhazatihim, botimi Umar Muwaffak en-Nushukati (Bejrut: Dar el-Beshair el-Islamijje, 1428/2007), fq. 353. Cf. Kutlaj (fq. 89)

[20] Në Mirdad, Muhtesar (fq. 487)

[21] Në pjesën, “Asnjë pejgamber nuk do të mbes nën tokë një mijëvjeçar” (en-nebijju la ju’alifu tahta el-erd).

[22] Cf. Muhijudin ibn Arabi, El-Futuhat el-Mekkijje, 4 vëll. (Kajro: el-Metbe’at el-Mejmenijje, 1329/1911) ch. 364, 445 3:320, 4:60 dhe kapitujt mbi Pejgamberin Musa në Fusus el-Hikam, botimi Ebu el-Ala Afifi (Kajro: Isa el-Babi el-Halebi, 1365/1946, rishtypur Bejrut: Dar el-Kitab el-Arabi, 1966) fq. 208-213.

[23] Shih Ahmed el-Ghumari, El-Xhewab el-Mufid lis-Sail el-Mustefid (Bejrut: Dar el-Kutub el-Ilmije, 2002) fq. 96-97 dhe Abdallah el-Ghumari, Bida’ el-Tefasir (fq. 58-63) dhe Istimdad el-Awn li Ithbat Kufr Firawn, shtuar tek El-Xhewab el-Mufid (fq. 122-128) si shtojcë.

[24] Sujutiu në fakt ka shkruar shtatë trajtesa në këtë temë.

[25] El-Karij, Sherh esh-Shifa, 2 vëllime (Asitana 1290/1873) 1:648-649; (bot. Kajro 1312/1894) 3:99.

[26] Muhammed ibn Abd er-Resul el-Berzanxhi, Sedad ud-Din we Sidad ed-Dejn (Medine: Dar el-Medinet el-Munewwere, 1419/1998) fq. 114-118, cf. El-Muhibbi, Khulasat el-Ether (3:186) dhe Kutlaj, El-Imam Ali el-Karij (fq. 106-107). Por ata prapë synuan të mbërrijnë kërkesat e ixhtihadit të rekomanduar në dritën e atyre që ata panë si dëshmi hadithi siç është thënë në mënyrë retorike nga Imam Ebu Bekr Ahmed ibn el-Husejn el-Bejhaki në jo më pak se veprën e tij Dalail en-Nubuwe we Marfiet Ahwal Sahib esh-Sheria, ed. Abd el-Mu’ti Amin Kalaxhi, 7 vëll. (Bejrut: Dar el-Kutub el-Ilmijje, 1408/1988) 1:192-193: “Dhe si mund që dy prindërit e tij dhe gjyshi i tij të mos përshkruhen të tillë kur ata adhuruan idhuj deri sa ndërruan jetë dhe ata nuk deklaruan fenë e Isa ibn Mejrem?”

[27] Në el-Berzanxhi, Sedad ed-Din (fq. 117)

[28] Siç është transmetuar prej Ibn Abbasit nga Hakim Nejseburi, el-Mustedrek ala el-Sahihejn (Hiderabad: Dairet el-Me’arif el-Uthmanijje, 1334/1916, rishtypur. Bejrut: Dar el-Ma’rifa, 1986) 2:338 dhe tjerët.

[29] Mahmud ibn Abdullah el-Alusi, Ruh el-Me’ani fi Tefsir el-Kur’an el-Adhim wes-Seb el-Methani, 30 vëll. në 15 (Kajro: Idaret et-Tiba’at el-Munirijje, 1345/1926) 19:138.

[30] Cf. Kutlaj, El-Imam Ali el-Karij (fq. 126)

[31] Shejh Muhammed Zahid el-Kevtheri zbulon në Mekalat (Rijad dhe Bejrut: Dar el-Ahnaf, 1993) fq. 413 që autori i vërtetë i trajtesës gjoja nga Taftazani është Alauddin el-Buhari dhe që titulli ishte Fadihat el-Mulhidin ose Risala fi Wahdat al-Wuxhud, titulli i njëjtë i përdorur nga el-Karij. Një tjetër jurist hanefij, Ismail Kalanbawi ka përgënjeshtruar Buhariun në një fetva riprodhuar në Burhan el-Ez’her fi Menakib esh-Shejh el-Ekber nga Muhammed Rexhep el-Hilmi (Kajro: Metba’at es-Sa’ade, 1326) fq. 18-22.

[32] El-Karij, Risale fi Wahdat el-Wuxhud (Instabul: Dar el-Me’arif, 1294/1877) fq. 62

[33] Sekti Mehdewijje ka mbijetuar pjesërisht edhe në ditët e sotme në Hiderabad, Misore, Xhaipur dhe Guxherat në Indi si dhe në Shahdadpur në Pakistan.

[34] Shih Abdul-Fettah Ebu Gudda, bot., në Muhammed Abdel-Rashid en-Numani, Mekanat el-Imam Ebi Hanifata fil-Hadith, botimi 4rt (Aleppo: Mekteb el-Matbuat el-Islamijje, 1996) fq. 35 n.

[35] Xhami el-Azm (vd. 1352/1933) adreson këtë çështje në Ukud el-Xhewher fi Teraxhim Men lehum Khamsun Tesnifen fe Ekther (Bejrut: El-Metbe’at el-Ehlijje, 1326/1908) fq. 464, siç ka bërë Kutlaj në El-Imam Ali el-Karij (fq. 104-105)

[36] Shkruesi i këtyre rreshtave ka pranuar një kopje të dorëshkrimit komplet të kësaj vepre nga biblioteka e Damaskut nga musnidi i ndjerë Sejjid Muhammed Salih el-Hatib, kopjuar nga vetë dora e këtij të fundit, së bashku me dy trajtesa të el-Kariut mbi Mevludin.

(zeriislam)