Muftiu çeçen njofton ndalimin e shiizmit dhe vehabizmit në Çeçeni

Salakh Mezhiyev, muftiu i muslimanëve të Çeçenisë, tha se nuk do të ketë drejtime të tjera të Islamit në Çeçeni, përveç Islamit Sunit. Ai pretendoi se ambasada iraniane në Rusi ka shpërndarë literaturë misionare për të rekrutuar ndjekës të rinj në radhët e saj.

Mezhiyev publikoi deklaratën e tij në llogaritë e tij zyrtare në YouTube dhe në Instagram.

Mezhiyev akuzoi Iranin si fajtor kryesor pas përhapjes së shiizmit në Rusi. Ai pretendon se Irani i përdor rregulloret ndërkombëtare për përhapjen e literaturës fetare anekënd Rusisë, të cilat sipas tij nuk duhet lexuar nga sunitët.

“Të gjithë duhet të jemi vigjilentë. Rusia ka marrëdhëniet e veta me Iranin, e cila përmes qendrave të saj kulturore përhapë libra të Ayatollah Said Ali el-Sistanit, Përmbledhje fetvash; Hossein Saidit, Karakteri i Profetit të Islamit dhe katakteri i Ali ibën Ebi Talibit. Këto dhe shumë libra të tjerë i hutojnë të rinjtë. Nëse nuk e njihni autorin, përmbajtjen e librit, mos e shitni, mos e blini dhe mos e lexoni! Ekzistojnë edhe përkthime në gjuhën ruse, të botuara nga shiitët.

Ne i paralajmërojmë njerëzit se nuk do të lejojmë as shiizmin, as vehabizmin dhe as ndonjë drejtim tjetër, që është në kundërshtim me sunizmin në Çeçeni “, tha Mezhiyev.

Muftiu theksoi gjithashtu meritat e udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov në forcimin e Islamit në Çeçeni dhe e quajti ‘Luani i Allahut’.

Në Çeçeni, Shiizmi dhe Selefizmi, të cilat autoritetet vendore fetare i referohen si Vehabizëm, janë ndaluar për një kohë të gjatë. Në Ingushetinë fqinje ekziston një komunitet i fshehur shiit me më pak se 100 ndjekës.

Tre vjet më parë, pasuesit Sunitë në Ingusheti organizuan një sulm në një shtëpi ku Shiitët kryenin ritualet e tyre fetare. Gjithashtu, disa autoritete fetare apeluan tek kreu i Ingushetisë, Yunus-Bek Yevkurov me një kërkesë për të ndaluar përhapjen e shiizmit. Ndërsa Yevkurov u përgjigj se Ingushetia ishte pjesë e Rusisë ku respektohet liria e fesë.

Burimi: oc-media.org

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm: