Mospajtimi me të keqen

Hfz. Mehas Alija

Pejgamberi ynë i bekuar në një hadith të lartë na porosit:

“Ju do të keni udhëheqës te të cilët ka gjëra që do t’i pëlqeni prej tyre dhe ka të tilla që do t’i urreni. Kush i urren (punët e tyre), do të jetë i pastër nga punët e tyre, e kush do t’i kundërshtojë (punët e tyre), do të jetë i shpëtuar, mirëpo (mjerë për ata) kush pajtohet dhe i pason ata. Të pranishmit e pyetëm: A t’i luftojmë? Pejgamberi a.s., tha: Jo, derisa ata e falin namazin në mesin tuaj.” (Transmeton Muslimi).

Nuk do shumë mend për të kuptuar esencën e kësaj thënie profetike, ashtu që të futemi në shpjegime dhe komente të thella. Këtu shihet mirësia dhe botëkuptimi i gjërë i mëshirës së Allahut xh.sh., të derdhur midis njerëzve.

Pejgamberi a.s. na mëson se nuk ngritet dora apo arma për pak e për shumë, deri sa nuk zhduken të gjitha elementet e besimit te njeriu dhe të përhapet padrejtësia pafund. Pejgamberi i Zotit e përmendi namazin, por kjo nuk donë të thotë që vetëm ai është kushti. Namazi është vetëm një, nga shumë kushte të tjera që mund të jenë. E rëndësishme është që njeriu të ruaj ngjyrën e besimit dhe në emër të kësaj vlere, ta ruajnë ekuilibrin njerëzor e jetësor.

Lufta që u përmend në hadith, nuk duhet që ajo të kuptohet vetëm në aspektin dhe kuptimin e ngushtë të saj, pra të frontit dhe të përleshjes, apo edhe të likuidimit. Lufta mund të jetë edhe e dimensioneve të tjera. Ajo mund të jetë fizike, por edhe intelektuale dhe zemërore. Varësisht prej situatës dhe kohës, ajo patjetër të shikohet si mundësi për kthimin e ekuilibrit dhe të mirëqenies.

Defekte ka gjithsecili dhe kështu, në fakt, njerëzorja e njeriut ka kuptimin më të plotë. I plotë është vetëm Krijuesi i gjithësisë. E pa të meta është vetëm Lartmadhëria e Tij.

Andaj, nuk prishet ekuilibri dhe nuk rrënohet shtëpia, kur brenda saj ka ca defekte që të mund të rregullohen.

E keqja nuk luftohet me të keqe, por ajo “luftohet” me masën e kufijve të arsyes. Pastërti është ta urresh të keqen, kurse lumturi dhe altruizëm është ta mënjanosh atë. Ama, e tëra kjo vlerësohet në bazë të mundësive dhe dhuntive poseduese.

Në fund fare, e tërë filozofia e luftimit të së keqes është ajo që të mos pajtohesh kurrë me të. Lufta ndaj së keqes është e vazhdueshme, por askush nuk mund të mendojë se ajo përfundon vetëm me një individ apo vetëm me një grup shoqëror të një periudhe të caktuar. Fundja, ta urrejmë të keqen, po nuk patëm mundësi ta largojmë atë me mënyrat dhe mundësitë legjitime. Kurse legjitimitetin e kësaj e jep Urdhri hyjnorë dhe e drejta pozitive shoqërore.

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply