Mogherini “korrigjon” Merkelin: Turqia mbetet vend kandidat për në BE

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka deklaruar se Turqia vijon te mbetet një vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe se procesi i negociatave për anëtarësimin do të vazhdojë.

Deklarata vjen një ditë pas qëndrimit në një linjë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe rivalit të saj social-demokrat Martin Schulz, të cilat thanë gjatë debatit televiziv se Turqia nuk kishte vend në Europë, ndërsa Ankaraja e akuzoi për politikë populiste.

Mogherini: Bisedimet mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë janë vështirësuar dhe unë mund të rendis disa prej problemeve, që të gjithë ju i njihni – nga të drejtat e njeriut deri te liritë themelore. Për dua të bëj të qartë se Turqia është një vend kandidat. Në të ardhmen, do të sugjeroja që të shohim përtej asaj që thuhet në fushatat elektorale, si në Turqi ashtu edhe në Bashkimin Evropian. E ardhmja e marrëdhënieve tona do të përcaktohet në tryezën e përbashkët të bisedimeve.

Ndërkohë, duke folur nga Sllovenia, ku ndodhej në të njëjtin forum me Mogherinin, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, theksoi se anëtarësimi në BE “mbetet një qëllim strategjik për Turqinë”.

Ai tha se Ankaraja ishte gati për bisedime të mëtejshme, por procesi është përballur me pengesa politike.

Mevlut Çavusoglu: Anëtarësimi në BE vijon të mbetet një qëllim strategjik për Turqinë. Kjo ishte zgjedhja jonë, dhe ne dëshironim të ishim anëtarë me të drejta të plota, dhe negociuam me vendet e atëhershme të BE dhe nënshkruam një marrëveshje për anëtarësimin e plotë. Dhe që atëherë kemi biseduar, pasi Turqia nuk ka asnjë problem të hapë ndonjë kapitull dhe të negociojë çdo çështje teknike. Për ne nuk ka asnjë problem, por problemi është pengesa politike me të cilën jemi përballur.

Drita e gjelbër për bisedimet e anëtarësimit të Turqisë u dha disa muaj para se Merkel të bëhej kancelare në vitin 2005, dhe në atë kohë ajo deklaroi se do ta respektonte atë vendim.

Por komentet e Kancelares ditën e dielë, për ndërprerjen përfundimtare të negociatave me Turqinë për integrimin në BE, kanë tensionuar marrëdhënien mes dy vendeve.

(Oranews)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply