Ministri i jashtëm turk, së bashku me gruan e Erdoganit, në Bangladesh

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili me bashkëshorten e Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, Emine Erdoğan dhe delegacion turk vizituan kampin Kutupalong në Bangladesh, ku janë strehuar muslimanët e Arakanit, thanë se kanë ardhur për të mbështetur ata, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne deshëm të tregojmë se jemi me këta njerëz. Këtë do ta bëjmë në mënyrë të vazhdueshme me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin. Përveç kësaj, ne u dërgojmë mesazh miqve tanë në Bangladesh: Së bashku të ndihmojmë këta njerëz”, tha Çavuşoğlu.

Ai tha se ndodhen këtu për t’i treguar gjithë botës situatën në atë zonë.

“Nuk mjafton vetëm të tregohet. Përpjekjet tona vazhdojnë. Duam rezultatet e përpjekjeve të cilat i ka bërë Presidenti ynë që nga fillimi. Në Astana, do të mbajmë takim me krerët e botës islame. Duam të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e Arakanit, ashtu që më pas do të organizojmë takim të zgjeruar në New York”, tha Çavuşoğlu.

Ai shtoi se janë në kontakt me autoritetet e Mianmarit.

“Presidenti Erdoğan ka biseduar me Suu Kyi (Ministren e Jashtme të Mianmarit). I është thënë se duhet të ndalohen sulmet ndaj muslimanëve të Arakanit. Ata na thanë se po bëjnë atë që është në fuqinë e tyre. Por, ata injorojnë disa foto dhe video që shohim. Është e nevojshme që së bashku të gjejmë një zgjidhje për këtë problem”, tha Çavuşoğlu.

Bashkëshortja e Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, Emine Erdoğan, bisedoi me refugjatët rreth zhvillimeve të fundit.

“Është e pamundur që njeriu të mbetet indiferent. Allahu u ndihmoftë. Shpresoj se mbarë bota do të merret me këtë çështje, të merret seriozisht, qoftë nga aspekti i ndihmës, qoftë nga aspekti politik”, ka thënë Emine Erdoğan.

Ajo kosideron se kjo është një çështje që duhet zgjidhur.

“Secili prej nesh ka fëmijë. Nuk mund ta injorojmë, sepse nuk ka të bëjë me fëmijët tanë. Të gjithë kemi përgjegjësi. Prandaj jemi këtu. Ne erdhëm që ti themi botës. Ne erdhëm për të ndihmuar. Ju lutem, të gjithë le të bëjnë çfarëdo që munden”, porositi Erdoğan.

Ajo shtoi se presidenti turk këtë çështje do të paraqesë edhe në Kombet e Bashkuara (OKB).

Pas vizitës në kamp, zonja e parë e Turqisë dhe delegacioni i saj biseduan edhe me zyrtarët e kampit të cilët u larguan pas ndarjes së ndihmës.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply