Mijëra gra palestineze dhe izraelite, marshim paqeje nëpër shkretëtirë

Mijëra gra izraelite dhe palestineze marshuan të dielën nëpër shkretëtirë për t’u bashkuar në brigjet e lumit Jordan, ku mbajtën një tubim paqeje midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Të veshur me të bardha, ato zbritën nga kodrat e thata dhe shkëmbore deri te lumi dhe atje ngritën një “tendë për paqe” të quajtur Hagar (Haxhere) dhe Sara, sipas nënave biblike e njëherësh kur’anore të Ismailit dhe Is’hakut, gjysmë vëllezërve dhe paraardhësve të myslimanëve dhe hebrenjve.

“Ne jemi gra nga e majta, e djathta, hebrenje dhe arabe, nga qytete dhe fshatra … kemi vendosur që të ndalim luftën e ardhshme”, tha Marilyn Smadja, një nga themeluesit e grupit “Gratë për Paqe”.

Pothuajse 5,000 gra morën pjesë në këtë marshim, njoftuan organizatorët.

Tubimet filluan muajin e kaluar në disa vendbanime izraelite dhe do të përfundojnë para zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Organizata “Gratë për Paqe” u themelua pas luftës pesëdhjetë ditore në Gazë në vitin 2014, ku u vranë më shumë se 2,100 palestinezë, kryesisht civilë.

Sipas të dhënave izraelite, 67 ushtarë izraelitë dhe gjashtë civilë vdiqën gjatë përleshjeve. /tesheshi.com/

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply