Mëkati i harrimit të Kur’anit famëlartë

Për atë se janë gabimtarë ata që harrojnë së paku diçka prej tekstit të mësuar nga Kur’ani flasin disa hadithe, prej të cilëve posaçërisht dallohen tre: “Mua më janë paraqitur gabimet e pasardhësve të mi, dhe nuk kam parë gabim më të madh se dikush të mësojë përmendësh një sure ose ajet nga Kur’ani dhe pastaj ta harrojë”.

Harresa e lartëpërmendur paraqitet sepse i këndojmë vetëm ato pjesë që i dimë mirë. Kjo ndodh me ata që pak shoqërohen me Kur’anin; njerëzit e këtillë rrallë ose asnjëherë nuk e falin namazin, sepse namazi, siç është përmendur, nuk mund të mendohet, gjegjësisht nuk vlen pa këndimin e Kur’anit.

Namazi është rasti më i mirë dhe më i shpeshtë që gjithë tekstin kur’anor, të cilin e dimë përmendësh, vazhdimisht ta përsërisim dhe ashtu ta mbrojmë nga harresa. Në këtë doemos të ushtrohemi dhe për secilin namaz, sipas mundësisë, të përgatitim tekst të ri. Kjo praksë më vonë nuk do të paraqet kurrëfarë mundimi dhe ne kështu do të jemi të përjashtuar nga kërcënimi të cilin e përmban hadithi i lartëshënuar.

Njerëzit e diciplinuar, posaçërisht hafizët gjejnë rast për veti dhe për të tjerët që Kur’anin e mësuar përmendësh ta ruajnë nga harresa. kështu ata shpesh, e posaçërisht për çdo të premte (xhuma), përsërisin përmendësh, ose duke shikuar në Mus’haf, diçka nga teksti i Kur’anit.

Hafizët në këtë duhet gjithsesi të prijnë. Ata duhet haptas, para publikut të paraqiten në namaz ose ndryshe, duhet Kur’anin edhe vetë çdo ditë ta lexojnë. Ata duhet, pra, më shumë se tjerët të shoqërohen me Kur’anin, dhe vetëm kështu të mbeten hafizë vërtetë të dëshmuar, e jo vetëm me emër, siç janë sot shumica e tyre. Sepse, të jesh hafiz, si është përmendur në njërin prej haditheve të lartësuara, është nder i madh te All-llahu, prandaj hafizët janë të obliguar të kujdesen që tërë jetën atë nder ta ruajnë, përkatësisht të mbeten gjithnjë hafizë të mirë. Ata, sipas kësaj, duhet gjithnjë të jenë vigjilentë për ruajtjen e hifzit.

“Kush e mëson Kur’anin dhe pastaj e harron, Ditën e Gjykimit do të takohet me All-llahun i gjymtë”.

Edhe këtu është fjala për qortimin e personit i cili ka harruar të kënduarit e Kur’anit, duke shikuar në tekst ose përmendësh. Për personin e tillë Pejgamberi a.s. në këtë hadith thotë se në Ditën e Kijametit do të jetë me shenjë, e cila do t’i shërbejë si shenjë e nënçmimit dhe hidhërimit të Zotit.

Në përmbledhjet e Buhariut dhe Muslimit hasim në këtë hadith:

“Mbani lidhjen, me Kur’anin, sepse, pasha Zotin, Kur’ani ikë më tepër se devja prej litarëve”.

Këtu nuk është fjala vetëm për atë që është e zakonshme, shoqërimin e përgjithshëm me Kur’anin, që teksti i tij, si do të mund të mendohej, të shpëtohet nga harresa, por këtu këshillohemi, se krahas harrimit të tekstit, mund të bëhemi të papërfillshëm ndaj normave të tij. Kjo shkakton largimin gradual, por të sigurt nga jetesa sipas normave islame.

Lidhjet e dobëta me Kur’anin ndikojnë të harrojmë tekstin e tij, përsëri, është gabim ndaj librit të lartësuar të Zotit, që vetes nuk do t’i lejonte asnjë besimtar i ndërgjegjshëm dhe i devotshëm.

Në fund duhet të përkujtojmë se këtu mendohet vetëm në të harruarit e paarsyeshëm të tekstit të mësuar përmendësh, si nga pakujdesia, leximi jo i rregullt etj. Por në rast sëmundjeje, siç është seniliteti, atëherë këtu nuk ka kurrëfarë mëkati.

Autor: Ibrahim Trebinjac

Përkthyes: Basri Iljazi

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm: