Mbi 2 milionë haxhinjë sot fillojnë ditët e ritualeve të Haxhit

  • 30 gusht, 2017 – dita e tetë e Dhul-Hixh-xhes

Kur të vijë dita e 8-të e Dhul’Hixh’xhes, pas faljes së mëngjesit dhe pas lindje së diellit të gjithë haxhinjtë drejtohen për në Mina. Aty fal namazin e drekës, iqindisë, akshamit dhe jacisë. Namazet falen të shkurtuara dhe në kohën e tyre pa i bashkuar. Qëndrimi në Mina është i sunet. Në Mina kujtohet Ibrahimi a.s. dhe akti i tij për të sakrifikuar djalin, Ismailin a.s.

  • 31 gusht – dita e nëntë e Dhul-Hixh-xhes – Dita e Arafatit

Qëndrimi në Arafat është shytllë e Haxhit, nëse nuk qëndron në Arafat, Haxhi nuk vlen. Pas lindjes së diellit, haxhinjtë drejtohen për në Arafat, duke thënë telbijen, tekbirin dhe format e ndryshme të lutjes dhe dhikrit. Në Arafat duhet qëndruar, si një minimum i kërkuar, nga dreka e deri në aksham. Në këtë kohë, në kohën e namazit të drekës, haxhinjtë falin drekën dhe iqindinë së bashku, duke i bashkuar. Përveç kësaj, haxhinjtë luten me gjithë zemër dhe mundohen që sa më shumë t’i kërkojnë falje Allahu xh.sh. Në këtë vend, në malin e Rahmetit, thuhet se janë takuar Ademi a.s. dhe Hava, pas largimit të tyre nga Xhenneti.

Muhammedi a.s. thotë: “Haxhi është Arafat”.

Po ashtu ka thënë:  “Allahu në ditën e Arafatit fal shumë robër nga Zjarri, Allahu zbret ditën e Arafatit në Arafat, lavdërohet me robërit e tij para engjëjve duk thënë: “Çfarë kërkojnë (që t`ua jap)?!

  • 01 shtator – dita e dhjetë e Dhul-Hixh-xhes, dita e Kurban Bajramit

Haxhinjtë qëndrojnë në Arafat deri pas perëndimit të diellit, dhe kur prijësi i Haxhit niset, të gjithë shkojnë pas tij me qetësi, pa u nxituar dhe pa rrëmujë. Akshamin dhe jacinë duhet t`i falin në Muzdelife, falen të shkurtuara dhe të bashkuara. Falja e Akshamit dhe Jacisë bëhet në kohën e Jacisë. Qëndrimi (fjetja) në Muzdelifeh është detyrë qoftë edhe fare pak.

Në Muzdelifeh është e pëlqyeshme që të mblidhen guralecët. Të paktën shtatë guralecë t’i marrë në Muzdelife kurse të tjerat gjatë rrugës

Drejtimi për në Mina

Pas lindjes së diellit, haxhinjtë drejtohen për në Mina. Kur arrijnë në Mina ata kryejnë këto veprime:

1- Gjuajtjen e shtatë(7) guralecëve tek Xhemratul Akabesë. Hedhja e gurëve bëhet një e nga një. Në çdo hedhje thuhet Allahu ekber. Rrugës për tek Xhemratul Akabeh thotë: “ALL’LLAHU EKBER, ALL’LLAHU EKBER, ALL’LLAHU EKBER, LA ILAHE IL’LALL’LLAHU, ALL’LLAHU EKBER, ALL’LLAHU EKBER UE LIL’LAHIL’HAMD”.

2- Therja e kurbaneve për ata që e kanë detyrë (Haxhi Temettu dhe Kiran).

3- Qethja e plotë ose shkurtimi i flokëve. Gratë shkurtojnë nga flokët, vetëm sa një majë gishti.

4- Tavafi i Haxhit, siç quhet ndryshe Tavafu-z-zijarah ose Ifadah 

Pas heqjes së flokëve haxhinjtë drejtohen për në Mekë për të kryer Tavafin e Ifadas (apo vizitës). Ky tavaf është shtyllë e Haxhit. Haxhi nuk vlen, nëse nuk kryejmë Tavafin e Ifadas. Është e pëlqyeshme të kryhet ditën e Kurbanit, por mund të kryhet edhe në ditët e tjera të Kurbanit. Pas tavafit falim dy rekate.

  • Ditët e Kurbanit dhe gjuajtja e guralecëve   (11, 12, 13 Dhul-Hixh-xheh)

Në këto ditë haxhinjtë shkojnë sërish në Mina dhe gjuajnë gurët, me këtë rast ata gjuajnë në secilën ditë nga 21 gurë, në të tre xhemeratet, apo siç quhen në popull, shtyllat e shajtanit.

Pas hedhjes së gurrëve, haxhinjtë qëndrojnë në Mekke të lirë, ndërsa kur vendosin të largohen nga qyteti, ata bëjnë edhe tavafin e fundit, atë të Lamtumirës.

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Gjëja e fundit bën (në Meke) të jetë takimi (tavafi) me Qaben”.

Këto ishin vetëm disa nga veprimet më kryesore që do t’i kryejnë haxhinjtë gjatë këtyre ditëve, ndonëse ka edhe veprime të tjera, të ndërmjetme, të cilat nuk janë të detyrueshme, por sunete dhe nafile.

Sipas të dhënave nga ministria e Haxhit, sivjet haxhin do të kryejnë mbi 2 milionë haxhinjë nga e gjithë bota.

Të gjithë haxhilerëve, Portali ynë, Breziiri.com, ju uron një Haxh të pranuar, Haxh mebrur.

Përgatiti: Mehas Alija

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply