Maqedoni, haxhinjtë kthehen nga tokat e shenjta

Grupi i parë i haxhinjve nga Maqedonia kanë mbërritur në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup, të cilët ishin në tokat e shenjta në Arabinë Saudite për të kryer kushtin e pestë të Islamit, Haxhin, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë vit nga Maqedonia janë nisur 800 haxhinj të cilët kanë udhëtuar me linjën ajrore Shkup-Xhida, ndërsa janë kthyer nga Medina në Shkup.

Një numër i madh i haxhinjve janë pritur nga familjarët dhe të afërmit e tyre, ndërsa në aeroport ka dominuar një atmosferë e lumtur dhe plot gëzim.

Fadil Ramadani, hoxhë në fshatin Saraj të Shkupit, në një prononcim për AA tha se, ka emocione të cilat nuk mund të përshkruhen. Ai duke shprehur dëshirën që Allahu t’ia mundësoj çdokujt, tha se t’i vizitosh vendet e bekuara është kënaqësi e madhe.

Ndërsa Ibadet Kurti, duke treguar se kanë kaluar shumë mirë në Haxh, shprehu dëshirën që edhe të rinjtë ta realizojnë sepse është një ndjenjë shumë e mirë.

Një shkupjan tjetër Ali Bekir, tha se zoti i ka mundësuar këtë vit që ta kryej Haxhin dhe u lut që të pranohet Haxhi i të gjithëve. “Kaluam mirë. Zoti i mundësoftë të gjithë besimtarëve”, tha ai.

Ndërkohë, nesër pritet që edhe grupet e tjera të haxhinjve nga Maqedonia të mbërrijnë në aeroportin e Shkupit.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply