Globus

Malajzi, Mahathir Mohamad fitues në zgjedhjet parlamentare

317views

Koalicioni i kryesuar nga ish-kryeministri Mahatahir Mohamad ka siguruar shumicën në parlament në zgjedhjet e djeshme të përgjithshme në Malajzi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Zgjedhor njoftoi se aleanca Harapan Rakyat (Shpresa e Popullit) e Mahathirit ka arritur të sigurojë 122 ulëse në parlamentin me gjithsej 222 vende.

Ndërkaq, Partia Nacionale e Bashkuar Malaje (UMNO) e kryesuar nga kryeministri aktual Najib Razak ka rënë në 79 vende në parlament, pasi në zgjedhjet e vitit 2013 kishte fituar 133.

“Unë dhe shokët e mi e pranojmë vendimin e dhënë nga populli”, tha Najib, duke pohuar se asnjë parti deri më tani nuk ka siguruar epërsi.

Ai tha se Sultan Muhammad do të vendosë se kush do të jetë kryeministër.

Ndërkohë, Partia Islame e Malajzisë (PAS) e udhëhequr nga Abdul Hadi Awang ka fituar 18 vende kurse tre kandidatë të pavarur po ashtu do të jenë deputetë në parlament.

Komisioni Zgjedhor njoftoi po ashtu se të drejtën e votimit e kanë shfrytëzuar 76 për qind nga 15 milionë votues të regjistruar.

Mahathir kishte udhëhequr vendin për 22 vite, nga viti 1981 deri më 2003.