Islamisitikë

Lufta kundër stresit sipas mënyrës së Pejgamberit a.s.

828views

Jeta e njeriut është e mbushur me strese dhe secili prej nesh është i ekspozuar ndaj ndonjë lloji të këtyre presioneve. Presioni mendor nuk është i keq në vetvete, por mënyra me të cilën përballemi me këto presione ndonjëherë është e gabuar. Njerëzit nuk janë të njëjtë në rezistencën e tyre ndaj vështirësive dhe presioneve psikologjike. Disa përshtaten dhe e kontrollojnë situatën në të cilën ndodhen, dhe janë të gatshëm të përballen me probleme.

Të tjerë, megjithatë, me mërzi vendosen kundër situatës dhe ndjejnë averzion ndaj saj. Ka njerëz që zemërohen në situata të vështira dhe të krizave.

Pejgamberi savs zemërimin e ka përshkruar si prush i cili digjet në zemër: „Zemërimi është një gacë që digjet në zemër.“ (Tirmidhiu)

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Të cilët e fshehin zemërimin, e ua falin fajet njerëzve. Se Allahu i don bamirësit.“ (Alu Imran, 134)

Imam Ahmedi e thekson transmetimin e Ebu Hurejres r.a. se Pejgamberi savs ka thënë: „Nuk është i fuqishëm ai që i mposht të tjerët, por i fuqishëm është ai që e përmban vetveten në zemërim!“ (Buhariu dhe Muslimi)

Imam Ahmedi e thekson edhe transmetimin e Harith ibn Kuddame es-Sadij, i cili përmend se e ka pyetur Pejgamberin savs: „O i Dërguari i Allahut, ma thuaj një fjalë, që do të më bëjë dobi, por të jetë e shkurtër, që ta mbaj mend!“ Pejgamberi savs i tha: „Mos u zemëro!!“ Ai e përsëriti këtë disa herë, vazhdimisht duke i thënë: Mos u zemëro!
Imam Ahmedi e thekson edhe transmetimin e sahabiut Atijje Ibn Sa’di es-Sadij, se ka thënë: „Ka thënë Pejgamberi savs: ‘Zemërimi është nga shejtani; shejtani është i krijuar nga zjarri, kurse zjarri shuhet me ujë! Prandaj, kur njëri prej jush zemërohet, le të merr abdest!’“ (Transmeton Ebu Davudi)

Imam Ahmedi e thekson transmetimin e Ebu Hurejres r.a. se Pejgamberi savs, në lidhje me fjalët e Allahut: „të cilët e fshehin zemërimin“ ka thënë: „Kush e mposht zemërimin, duke pasur mundësi për ta shprehur, Allahu do t’ia mbushë brendinë me siguri dhe besim.”

I Dërguari i Allahut savs e përshkruan ilaçin për zemërimin, kur thotë: „Nëse ndonjëri prej jush zemërohet, le të ulet; nëse zemërimi edhe atëherë nuk i kalon, atëherë le të shtrihet!“ (Ahmedi)

Shkenca ka vërtetuar se adrenalina e hormoneve gjatë zemërimit rritet shumëfish. Ky nivel është më i lartë kur qëndrojmë në këmbë, ndërsa zvogëlohet nëse ulemi apo shtrihemi, pikërisht ashtu siç ka vepruar Pejgamberi savs, kur është shqetësuar për diçka, ai sigurinë e kërkonte në namaz. Ai (savs), ka thënë: „Gëzimi im është në namaz!“

Një lloj tjetër i njerëzve i nënshtrohet presionit psikologjik dhe përmbytet në pikëllim, depresion dhe shqetësim. Simptomat më të zakonshme të kësaj gjendjeje janë: ndjenja e depresionit dhe pikëllimit, ndjenja e pafuqisë, e mungesës së shpresës dhe dëshira për të qarë. Këta njerëz mund të ndiejnë një përzierje të depresionit dhe shqetësimit. Një gjendje e tillë mund të lërë gjurmë në trup dhe të shkaktojë çrregullime të përkohshme ose afatgjata. Njeriu në këtë gjendje ankohet për vështirësi të ndryshme; ndonjëherë ne i kërkojmë shkaqet me muaj dhe nuk mund t’i gjejmë – dhimbje koke, neveri, vjellje, marramendje dhe dhembje të tjera.

Njeriu në gjendje të tillë mund të tërhiqet dhe largohet nga njerëzit. Në këtë situatë, njeriu duhet të pyes: A mund të merrem unë me të gjitha detyrimet ditore? A do t’i gëlltis unë ndjenjat dhe emocionet e mia, apo do t’i ndaj me dikë që mund të më ndihmojë në zgjidhjen e problemeve? A po lë çdo ditë nga pak kohë për pushim?

Nuk ka dyshim se besimi në Allahun dhe kërkimi i ndihmës nga Ai, paraqet mekanizmin më të mirë mbrojtës. Besimi tek Ai, na inkurajon për përballimin e vuajtjes dhe për përparim. Durimi është i domosdoshëm në raportin tonë me problemet dhe ne nuk guxojmë të rrëzohemi para tyre. Pejgamberi savs na inkurajon edhe për durim, e thotë: „Durimi me të vërtetë shihet në goditjen e parë të një fatkeqësie apo shqetësimi.“ (Muttefekun alejh)

I Dërguari i Allahut savs na paralajmëron për rrezikun e akumulimit të shqetësimeve, kur thotë: „Ai që ka shumë shqetësime, do t’i sëmuret trupi i tij.“ (Ahmedi)

Si ilaç për një gjendje të tillë, ai (savs) na rekomandon lutjen dhe kërkimin e faljes si ilaç për gjendje të tilla. Në Sunetin e Ebu Davudit, theksohet transmetimi i Ebu Bekrit r.a se Pejgamberi savs ka thënë:
„Lutja në telashe është: „O Zoti ynë, të lutem Ty për mëshirën Tënde, mos më lër të dorëzuar në vetvete për asnjë moment dhe më bëje më të mirë gjendjen time, nuk ka zot tjetër përveç Teje!“

Përshtati: Miftar Ajdini