Globus

Lojërat Olimpike 2020: Japonia planifikon “xhamitë e lëvizshme”

829views

Japonia është duke përpunuar planet për të vendosur “xhami të lëvizshme” në fushat e eventeve, kampet e stërvitjes dhe në vende të tjera ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios të vitit 2020 për përdorim nga atletët muslimanë dhe pjesëmarrësit e tjerë.

Xhamitë mendohet të vendosen në kamionë të mëdhenj, duke u mundësuar atyre që të zhvendosen kudo në çdo kohë për përdorim nga myslimanët si vende të sigurta të faljes.

Ideja u formësua nga Yasuharu Inoue, një banor 58-vjeçar i Tokios, i cili është president i një kompanie organizimi të eventeve. Inoue prezantoi “footbath”-in në Olimpiadën Verore 2004 në Athinë dhe organizoi një event në Lojrat e Londrës 2012 për të shprehur mirënjohjen për mbështetjen e ofruar nga vendet e huaja pas tërmetit të madh në Japoni.

Përmes këtyre dhe ngjarjeve të tjera, Inoue ka përdorur Olimpiadën si një mundësi për të bashkuar atletë dhe pjesëmarrës të huaj dhe japonezë.

Ideja më e fundit e Inoue u nxit nga një projekt kulturor japonez që ai ndihmoi të organizohet në Katar.

“Falja e namazit është një praktikë esenciale për muslimanët. Unë dua t’i mirëpres ata në Lojrat 2020 në Tokio me mikpritjen japoneze, duke siguruar një ambient të rehatshëm për adhurim”, tha ai.

Inoue po punon me prodhuesit vendas dhe entitete të tjera për të krijuar xhamitë e lëvizshme, dhe i ka kërkuar një dizajneri të brendshëm nga Katari për të planifikuar pjesën e brendshme (të xhamive).

Modeli i parë pritet të përfundojë këtë vit, me planet për të prodhuar pesë deri në 10 njësi deri në vitin 2020.

Ndërsa Katari do të jetë nikoqir në Kupën e Botës në futboll 2022, Inoue tha se po bisedon edhe me komitetin e tij organizues rreth vendosjes së xhamive të lëvizshme për këtë ngjarje.

“Dua që Lojërat e Tokios të jenë një mundësi për të zgjeruar kontributin e Japonisë për shoqërinë islamike në nivel global dhe në të ardhmen të përdorin xhamitë në kampet e refugjatëve, zonat e konfliktit dhe fusha të tjera për kauza paqësore”, tha ai. /tesheshi.com/