Islamisitikë

Ky nuk është xhemat, o jarani im!

484views

Është për tu çuditur se sa gabimisht dhe në mënyrë të reduktuar ne e kuptojmë domethënien e xhematit.

Disa njerëz konsiderojnë se xhemati është një bankë, në të cilën ata vijnë për t’i tërhequr 25 shpërblime për 5-6 minuta namaz të përbashkët dhe – vazhdojnë rrugën.

Nuk e respekton imamin, por e dëshiron shpërblimin që falet pas tij. Ai shpesh falet pas imamit, kurse nijetin e bën pas nefsit të vet.

Vjen dhe hyn kur të dojë, del dhe shkon kur të dojë. Por shpërblimin prej 25 e do!

Kur xhamia pastrohet para ramazanit (ose në ndonjë rast tjetër) – nuk gjendet as për ilaç, por 25 shpërblimet i do dhe i dëshiron.

Kur mblidhen para për të blerë mjete për ngrohjen e xhamisë, ai e ka njëfarë filozofie të tij, por i dëshiron 25 shpërblimet për secilën herë, për ato pak minuta.

Kthehet në të djathtë, nuk mund ta mendojë – injorant i padijshëm… kthehet në të majtë, si të ishte vëlla i atij në anën e djathtë… por, i do 25 shpërblimet e tij, të cilat, mendon se i përkasin.

Kur është koha me xhematin për të ndërtuar, riparuar, punuar,… ai nuk ka kohë për punë të tilla – por, në hapësirën e pastër, të ngrohtë, të ajrosur, …. në xhami vjen dhe i dëshiron 25 shpërblimet e tij.

Kur vjen, e shtynë dhe e frynë vetëm tregimin e tij… Nuk kujdeset për tjetrin, për të drejtën (hakun) e tjetrit, për qetësinë, për rendin … por i dëshiron për vete ato 25 herë më shumë!

Trupi i tij është i përzier me njerëzit derisa e falin namazin bashkërisht me xhemat, pas imamit, kurse zemra e tij kush e di se ku është… por sigurisht, aty me ata njerëzit nuk është. Megjithatë, për të është me rëndësi të mendojë për atë 25-shin.

Gëzohet për çdo problem, sprovë, dobësi dhe vështirësi në të cilën bie xhemati “i tij” duke u kënaqur, sepse ai e ka ditur se kjo do të ndodhte.

Si është e mundur që të llogarisim në shpërblimin e namazit në xhemat, nëse për xhematin fare nuk kujdesemi?!

Nëse me gjithë qenien tonë, nuk i ndjejmë njerëzit përreth nesh edhe para edhe pas namazit… nëse nuk jemi për ta aty, edhe atëherë kur janë në bela, por edhe kur janë të lumtur… vallë, a ka kuptim ta presin shpërblimin e namazit të kryer bashkërisht me ta? Sepse ne, me të vërtetë, aty nuk bëjmë pjesë.

Ne bëjmë pjesë aty ku e kemi zemrën tonë, dhe jo aty ku është trupi ynë.

Për çfarë lloj xhemati dhe namazi në xhemat po flasim, o jarani im, kurse xhamia, sikur të mund të qante – do të qante!

Në të, njerëzit e shikojnë njëri-tjetrin mrrolshëm! Nuk mund ta mendojnë! Askush nuk mërzitet që kundërmon abdesthana e tyre! Në tualet nuk ka letra tualeti. Çesmet e prishura dhe çdo e dyta nuk punon. Pantoflat njëra e djathtë e tjetra e majtë nuk janë larë, prej kur janë sjellë në abdesthanë! Dritaret plot pluhur. Zoti e di kur janë thithur tërësisht. Nëpër qoshe merimangat…

Por ai dëshiron ose ne e dëshirojmë shpërblimin e namazit në xhemat… Çfarë shpërblimi, o njeri!

Xhemati nuk është i imamit, as i muteveliut, as i Hasanit, as i Salihut … Ai është edhe i imamit, edhe i muteveliut, edhe i Hasanit, edhe i Salihut, … por EDHE I YTI.

Për derisa namazin nuk e ndjen me zemër, kurse ata që vijnë në të, nuk i konsideron si vëllezër, dhe derisa për xhematin nuk sakrifikohesh… si ke guximin të presësh shpërblim 25 herë më të madh sesa kur je vetëm me veten dhe me Zotin tënd?

Sabahuddin Sijamhoxhiq;

Përshtati: Miftar Ajdini