Islamisitikë

Ky libër i ka rojet e veta

352views

Njëherë një hebre i bukur, i parfumosur dhe i veshur në mënyrë elegante, hyri në tubim dhe foli shumë mirë. Pas përfundimit të tubimit, el-Me’muni (halifi i VII abasid) i tha atij:

“A je ti hebre?”

Ai u përgjigj: “Po, unë jam hebre.”

El-Me’muni i tha: “Pse nuk e pranon Islamin?”

Ai u përgjigj: “Sepse unë nuk dua ta braktis fenë e të parëve të mi.”

Një vit pas kësaj ngjarje, el-Me’muni përsëri u takua me të njëjtin hebre në tubim. Për befasinë e el-Me’munit, ai e kishte pranuar Islamin dhe foli në detaje rreth ligjit Islam. Kur përfundoi takimi, el-Me’muni e thirri në një anë dhe i tha: “A nuk je ti personi me të cilin kam folur më herët?”

Ai u përgjigj: “Po, unë jam.”

El-Me’muni i tha: “Çka të shtyri që të pranosh Islamin, kurse unë edhe më herët këtë ta ofrova?”

Ai u përgjigj:

“Unë me profesion jam kaligraf, kështu me dorën time i shkrova tri kopje të Dhiatës së Vjetër në të cilat bëra disa plotësime dhe ndryshime. Ato i çova në sinagoga dhe ata i blenë.
Pastaj me dorën time i shkrova tri kopje të Inxhilit, ku gjithashtu i bëra plotësimet dhe ndryshimet e mia. I çova në kishë dhe ata i blenë.
Pastaj me dorën time i kopjova tri kopje të Kuranit, ku unë përsëri i bëra plotësimet dhe ndryshimet e mia. Ia paraqita bibliotekave të tyre, por sapo i shfletuan, ata i hodhën. Atëherë e kuptova se ky Libër është i mbrojtur dhe e pranova Islamin.”

(Nga libri i El-Muntedham i Ibn Xhevziut)

Nëse kjo kopje e falsifikuar e Kuranit do të vinte në raftet tuaja, a do t’i kishit vërejtur ndryshimet, kur ju dhe familja juaj të lexonit prej tij?

Nëse jo, atëherë ju e dini se çka duhet të bëni.

“Ata të cilët shoqërohen me Kuranin janë njerëz të Allahut dhe të zgjedhurit e Tij.” (Ibn Maxhe)

Përshtati: Miftar Ajdini