Nacionale

Kuvendi i Maqedonisë miraton ligjin për përdorimin e gjuhëve

355views

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 69 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi ligjin për përdorimin e gjuhëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputetëve u kishte mbetur vetëm votimi i ligjit, për kalimin e të cilit nevojitej edhe votimi me shumicën e dyfishtë, ku nga 28 deputetë të komuniteteve, 27 votuan “pro”, një ishte i përmbajtur, ndërsa asnjë kundër.

Pas miratimit të ligjit, deputeti i shumicës parlamentare, Artan Grubi, tha se me votimin e sotëm në Kuvend, u rrumbullakua pjesa normative e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe se tashmë u mbetet institucioneve të zbatojnë ligjin në fjalë, me çka qytetarët, sipas tij, do të ndjenë barazinë gjuhësore të shqipes me maqedonishten në të gjitha organet e pushtetit qendror.

“Që nga momenti i shpalljes së ligjit në Gazetën Zyrtare, nuk do të ketë asnjë pengesë që mbishkrimi në ndërtesën e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Presidencës të jetë edhe në gjuhën shqipe, që është një detyrim ligjor për të gjithë bartësit e institucioneve”, tha Grubi.

Në seancën e sotme munguan deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët nuk marrin pjesë në punën e Kuvendit, në shenjë revolte për siç thonë ata, mungesën e ambientit demokratik si pasojë e arrestimit të disa kolegëve të tyre lidhur me zhvillimet e dhunshme në Kuvend më 27 prill.

Paraprakisht, Kuvendi Republikan me 68 vota pro asnjë të përmbajtur dhe asnjë kundër, dhe me 66 vota pro, asnjë të përmbajtur dhe asnjë kundër, zgjodhi Osman Kadriun dhe Darko Kostadinovskin për gjykatës të rinj në Gjykatën Kushtetuese, të cilët zëvendësojnë gjykatëset Natasha Gaber Damjanovska dhe Gëzime Starova, të cilave u skadoi mandati.

Me ligjin për përdorimin e gjuhëve, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Drejtësisë, parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të Maqedonisë, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.