Kushtet për vlefshmërinë e kurbanit

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të nderuar vëllezër;

Tema e hutbes së sotme është: Kushtet për vlefshmërinë e kurbanit

Pasiqë Ademi a.s. dhe Havva u dëbuan nga xheneti në Tokë, ata dëshiruan që të kenë fëmijë. Allahu i Plotfuqishëm ua plotësoi këtë dëshirë, dhe Havva filloi të lindë fëmijë. Ajo i pati 20 lindje dhe çdo herë, ajo i lindi nga dy fëmijë bineq, një mashkull dhe një femër. Kështu, në njërën lindje Ademi dhe Havva për pasardhës patën Kabilin dhe motrën e tij, kurse në një lindje tjetër patën Habilin dhe motrën e tij. Ademi a.s. dhe Havva ishin të lumtur për shkak se i begatoi Allahu duke ju dhënë fëmijë të mirë dhe të ndershëm.

Pasiqë Havva i lindi binjakët ata po rriteshin nën kujdesin prindëror. Në mes veti kishin dashuri vëllazërore. Kur u rritën e panë se jeta kërkon punë, zell dhe përpjekje.

Edhe Kabili edhe Habili duhej të angazhohen në këtë Tokë në kërkim të furnizimit, të mirës dhe lumturisë. Kabili pa se toka mund t’i rrisë farërat dhe ushqimet, andaj u bë bujk duke jetuar nga puna e tij në bujqësi. Habili, nga ana e tij, pa se Allahu i ka dhuruar njeriut edhe krijesa të tjera, si dele dhe dhi, andaj dëshiroi që t’i kultivojë kafshët. Ata hanin nga ajo që e fitonin me duart e tyre.

Familja jetonte në lumturi dhe mirëqenie derisa erdhi koha për martesë. Atëherë, Allahu i Plotfuqishëm e urdhëroi Ademin a.s. që për këtë t’i njoftojë dy djemtë e tij, dhe ta urdhërojë Kabilin që ta merr motrën Habilit për grua, kurse Habili ta merr motrën e Kabilit.

Këtu duhet të theksohet se në fillim të njerëzimit ishte e ndaluar të merret për grua vetëm motra binjake, por kur njerëzimi u përhap, Allahu i Plotfuqishëm këtë dispozitë e shfuqizoi.

Ademi a.s. ua përcolli dy djemëve të tij urdhrin e Allahut, por Kabil e kundërshtoi atë, sepse motra e tij që duhej ta merrte Habili për grua ishte më e bukur sesa motra e Habilit të cilën duhej ta merrte Kabili.

Dhe kështu, Kabili nuk ishte i kënaqur me këtë ndarje. Bukuria u bë shkak për kundërshtimin e tij. Ai refuzoi të martohej me motrën e Habilit. Ishte këmbëngulës në këtë.

Konflikti mes dy vëllezërve u përkeqësua … Babai ra në dilemë. Çka të bënte? Ai kishte frikë se konflikti do të çojë në diçka të keqe që Allahu nuk e do.

Ditët po kalonin, ndërsa Ademi a.s. nuk dinte sesi ta zgjidhte këtë problem, për aq kohë derisa ia dërgoi Allahu një zgjidhje të drejtë në mes të dy vëllezërve të grindur, dhe ajo ishte që të dy prej tyre, edhe Habili edhe Kabili, të flijojnë nga një kurban për Allahun e Plotfuqishëm. Atij që Allahu ia pranon kurbanin, ai e merr atë motër të cilën e dëshiron.

Kështu, Habil i cili ishte pronar i kopesë së deleve, si kurban e ofroi dashin më të mirë, ndërsa Kabili i cili ishte bujk dhe kishte shumë të lashta, si sakrificë e ofroi kulturën më të dobët që kishte.

Pas kurbanit të ofruar të dy filluan t’i luten Allahut që t’ua pranojë kurbanin e tyre. Secili shpresonte se kurbani i tij do të pranohet tek Allahu.

Allahu e pranoi kurbanin e Habilit të mirë, bujar dhe të devotshëm, por nuk e pranoi kurbanin e Kabilit, sepse ishte i pa sinqertë, koprrac dhe i pabindur ndaj Allahut të Plotfuqishëm.

Ky rezultat e zemëroi Kabilin i cili e mbyti vëllanë e tij Habilin dhe kështu u bë një nga banorët e zjarrit.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Na, me të vërtetë, të kemi dhënë ty shumë të mira, – andaj, bënë namaz për Zotin tënd dhe ther kurban. – Me të vërtetë, ai që të urren ty, ai vetë është farësosur.” (el-Kevther, 1-3)

“Dhe (therjen) e devesë e kemi bërë për ju (njërën) nga dispozitat e Allahut, dhe ju keni dobi nga ato; andaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato (gjatë therjes), duke u radhitur në këmbë, e kur të bien në tokë (pasi t’i therni), hani nga to, dhe ushqeni edhe atë që nuk lypë, edhe atë që lypë; kështu i kemi nënshtruar Ne ato për ju, për t’u bërë ju falënderues.” (el-Haxh, 36)

Vëllezër të dashur,

Akti i therjes së një deve, lopë, dele ose dhi në ditët e Bajramit, në kohë të caktuara, duke dëshiruar me këtë akt arritjen e afërsisë dhe kënaqësisë së Allahut, quhet kurban (ar. ud’hijje).

Fjala kurban, fjalë për fjalë, do të thotë afrim me dikë apo diçka. Ai që ther kurban, me këtë akt i afrohet Krijuesit të Madhërishëm. Fjala “ud’hijje”, fjalë për fjalë, do të thotë sakrificë. Kurbani të cilin e therim është një sakrificë që ia ofrojmë Zotit tonë si falënderim për begatitë që na ka dhënë. Me këtë akt ne tregojmë se nga dashuria për Zotin tonë ne jemi të gatshëm ta sakrifikojmë pasurinë tonë më të mirë, dhe se ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë.

Të dashur vëllezër,

Nëse nga turma e lopëve, deleve, dhive… të cilat Allahu na i ka dhënë si begati, ne e zgjedhim për kurban atë që na pëlqen më pak, e cila nuk ka qumësht, e cila nuk mund të mbetet barsë, e cila është e dobët, e shëmtuar, e çalë, e sëmurë… e cila nuk na pëlqen as neve për vete; çka mendoni a do të na e pranojë i dashuri Allah? A është ky kurbani të cilin Allahu e kërkon nga ne?

Pejgamberi savs ka sakrifikuar për kurban më të mirën që ka pasur, e jo sikurse ne më të keqen që kemi (nëse nuk bën për asgjë, bën për kurban), dhe në këtë mënyrë na ka treguar se nëse ne duam dashurinë dhe afërsinë e Zotit tonë, atëherë për Të duhet ta sakrifikojmë cilësinë, e jo koprracinë..

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O besimtarë! Jepni nga të mirat që keni fituar ju dhe nga ato që ua kemi dhënë Ne, nga frytet e tokës. Mos dhuroni nga ato gjëra të pavlefshme të pasurisë suaj të cilat ju nuk do t’i pranonit ndryshe pos symbyllur. Dinie ju se Allahu është i pasur (i panevojshëm për asgjë) dhe vetvetiu i lavdëruar.” (el-Bekare, 267)

Vëllezër të dashur,

Nga ky tregim për Habilin dhe Kabilin, nga këto ajete kur’anore dhe hadithe, shihet qartë se çka është kurbani, e çka është raca, prandaj ju lutem, që me kurbanat tanë mos të bëjmë cirk, por ta bëjmë një vepër e cila do të na afrojë te Allahu i Plotfuqishëm dhe do të na shpëtojë nga zjarri i xhehenemit.

Pejgamberi savs ka thënë: „Kurbani më i preferuar për Allahun Fuqiplotë është ai që është më i vlefshëm dhe ai që është më i majmë.“ dmth. pa kurrfarë të meta.

„Me të vërtetë veprat vlerësohen në bazë të qëllimeve, dhe me të vërtetë secili njeri do shpërblehet sipas qëllimit.“

O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!

O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit! Kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me
njerëz të mirë! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply