Islamisitikë

“Kush do ta blejë këtë rob me mangësi”

569views

Transmetohet se Abdurrahman bin Mahlebi ka thënë:

“Një ditë shkova në treg ku shiteshin robërit që ta blej një rob për vete që të më shërbejë. Në treg e takova një njeri i cili shiste robër, duke thënë:

“Kush do ta blejë këtë rob me mangësi.”

Unë e pyeta: “O zotëri, çfarë mangësie ka ky njeri?”

Ai tha: “Pyete atë, ai do ta thotë vetë mangësinë e tij.”

Unë iu afrova dhe e pyeta për mangësinë që po e përmend zotëria e tij, dhe ai më tha: “Unë kam shumë mangësi dhe nuk e di se me cilën jam më i njohur.”

Pastaj u ktheva kah i zoti e tij dhe i thashë: “Allahu të mëshiroftë, a nuk do të mi tregosh mangësitë e djaloshit tënd?”

Ai u përgjigj: “Ai është i çmendur dhe ka sulme epileptike kohë pas kohe.”

E pyeta robin e tij: “A a ke sulme çdo ditë apo çdo javë?”

Ai u tërhoq pak mbrapa dhe qau, pastaj më tha: “O zotëri, kur sëmundja e dashurisë e zotëron zemrën, ajo depërton përmes organeve dhe përhapet në gjithë trupin, pastaj mendja bëhet e hutuar duke e përmendur të Dashurin, zemra preokupohet plotësisht, kurse trupi qetësohet, dhe kur një njeri të tillë e sheh injoranti, ai mendon se është i çmendur dhe ka epilepsi.”

Nga fjalët e tij e kuptova se ai djalosh është i dashur i Allahut (evlija), andaj e pyeta zotërinë e tij:
“Sa kushton ky rob?” Ai u përgjigj: “100 dërhem.”

Unë i thashë: “Unë për të t’i jap 120 dërhem.”

Pastaj e çova në shtëpinë time. Vura re se ditën agjëronte kurse natën falej, kështu që shumicën e kohës kalonte në namaz dhe lexim të Kuranit. Një natë hyra në dhomën e tij dhe e gjeta në namaz nate. Gjatë namazit bënte shumë lutje dhe qante. Nga lutjet dhe bisedat e tij me Allahun, i mbajta në mend këto fjalë:

“O Allahu im, sundimtarët tokësorë dhe mbretërit janë mbyllur dhe i kanë mbyllur dyert e tyre, kurse dera Jote është gjithmonë e hapur për ata që dëshirojnë të kërkojnë prej Teje.

O Allahu im, yjet janë humbur nga shikimi, njerëzit kanë rënë në gjumë, kurse Ti je i përjetshëm, i Gjallë, të Cilin nuk e kaplon as kotja as gjumi.

O Allahu im, në qoftë se më kthen nga dera Jote, atëherë te dera e kujt do të gjej strehë?

O Allahu im, nëse më dënon mua, unë e meritoj dënimin për mëkatet e mia, por nëse më fal, atëherë Ti je Bamirësi Fisnik.

O Zoti im, Ty të janë përkushtuar ata që të kanë njohur me të vërtetë. Me mirësinë Tënde kanë shpëtuar njerëzit e mirë dhe të devotshëm. Me mëshirën Tënde mëkatarët pendohen dhe kthehen tek Ti.

O Ti që në mënyrën më të mirë i falë mëkatet, më bëj që ta shijojë ëmbëlsinë e faljes Tënde, e nëse unë nuk jam i denjë për faljen Tënde, Ti je i denjë për falje, sepse Ti je i Vetmi i denjë që njerëzit të kenë frikë nga Ti, dhe i Vetmi Ti i falë mëkatet!”

Në mëngjes e pyeta: “Vëlla i dashur, si ke fjetur mbrëmë?”

Ai u përgjigj: “Si do të flejë ai që ka frikë nga zjarri dhe nga qëndrimi para Allahut në Ditën e Gjykimit?!” Pastaj filloi të qajë.

Unë i thashë: “Vëlla, shko, je i lirë! Unë po të liroj në emër të Allahut.”

Mirëpo, ai nuk u gëzua shumë për atë që dëgjoi.

Ai më tha: “Unë kam pasur dy shpërblime: Shpërblimin e ibadetit për Allahun, dhe shpërblimin për shërbimin ndaj teje, kurse ti tash më ke privuar nga njëri shpërblim (për shërbim ndaj teje), Allahu ta shpëtoftë dhe ruajtë fytyrën tënde nga zjarri i xhehenemit.”

Pas kësaj, unë i ofrova që ta furnizojë, por ai më refuzoi, duke thënë: “AI QË ËSHTË PËRGJEGJËS PËR FURNIZIMIN TIM, ËSHTË I PËRHERSHËM, I GJALLË DHE NUK VDES.”

Pastaj shkoi dhe u largua nga unë. Sa herë që i kam kujtuar fjalët e tij, unë qaja, duke iu lutur Allahut që të më ringjallë në shoqërinë e robërve të Tij të sinqertë dhe të mirë, të cilët jetën e kanë kaluar në ibadet dhe në vepra të mira, në mënyrë që ta fitojnë dashurinë dhe simpatinë e Allahut.”

Pershtati: Miftar Ajdini