Islamisitikë

Kurbani si afrim i besimtarit me Allahun e Madherishem

342views

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve për begatinë e udhëzimit dhe aftësinë për ta dalluar të mirën nga e keqja. Vetëm për Të bëjmë ibadet, vetëm tek Ai pendohemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë falje të mëkateve. Ai është i Gjithëmëshirshëm, andaj në mëshirën e Tij të pafund, kërkojmë shpëtim dhe strehim.

O Allah shpëtoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit ashtu siç e shpëtove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit, se me të vërtetë Ti je i Lavdëruar e i Famshëm. O Allah bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit, se me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Famshëm.

Të dashur vëllezër!

Këto ditë i përcollëm haxhilerët tonë, të cilët nga të gjitha pjesët e vendit tonë shkuan në vendet e shenjta Mekë dhe Medinë, për ta kryer haxhin, dhe në këtë mënyrë ta plotësojnë shartin e pestë të Islamit. Haxhilerët në ditët e ardhshme, duke i kryer ceremonitë e haxhit, zemrat e tyre edhe më shumë do t’i forcojnë me iman, ndërsa njohuritë e tyre për Zotin e botëve, do t’i pasurojnë me përvojën e pashprehur të ibadetit dhe lutjeve në afërsi të Qabesë dhe vendeve tjera të shenjta, të cilat më së miri përshkruhen në Kuran:

إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبَارَكًا وَهُدًى لِلْعَالَمِينَ (96( فِيهِ آيَاتٌ بَيِّنَاتٌ مَقَامُ إِبْرَاهِيمَ وَمَنْ دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنْ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلاً وَمَنْ كَفَرَ فَإِنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ عَنْ الْعَالَمِينَ (97)

“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëz, është ajo në Bekke (Mekke), e uruar dhe udhërrëfyese e popujve. Në të ka shenja (simbole të dukshme, siç është) vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim). Kush hyn në të është i sigurt. Allahu i ka obliguar njerëzit, ata që kanë mundësi t’i përballojnë rrugës, ta vizitojnë (haxhxhillëk) këtë Faltore. E kush i mohon urdhrat e Allahut (e dëmton veten). Se, me të vërtetë, Allahu nuk ka nevojë për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.” (Alu Imran, 96-97)

Këto ditë, ne gjithashtu, i bëjmë përgatitjet e fundit për therjen rituale të kurbanit, të cilën, me vullnetin e Zotit, si detyrë të rëndësishme të besimtarit, do ta plotësojmë në ditët e Bajramit të Kurbanit. Me kurban besimtari e falënderon Zotin, që ia ka mundësuar duke e sakrifikuar një dele apo lopë, ta mbrojë jetën dhe pasurinë e tij, të sigurojë për vetveten dhe familjen e tij bereqet dhe paqe, si dhe ta pastrojë shpirtin e tij nga egoizmi dhe lakmia.

Kurbani, siç tregon edhe etimologjia e fjalës, e afron besimtarin te Zoti, e mbulon me mëshirën e Tij, ndërsa e largon nga zemërimi dhe dënimi i Tij i tmerrshëm.

Rreth asaj se kush është i detyruar të therë kurban, për atë se si theret kurbani, si dhe për mënyrën e veprimit me mishin dhe lëkurat e kurbaneve, imamët tanë me kohë japin shpjegime dhe udhëzime të hollësishme.

Bashkësia islame edhe këtë vit në mënyrë të organizuar do t’i qaset ofrimit të shërbimeve për therjen e kurbaneve sipas rregullave të sheriatit. Ne jemi të vetëdijshëm se, edhe përkundër vullnetit të mirë për ta bërë vetë, shumë prej besimtarëve tonë në atdhe dhe diasporë, nuk kanë kushte adekuate që vetë ta bëjnë therjen e kurbanit dhe ndarjen e mishit të tij. Bashkësia Islame të gjitha kapacitetet e saj i ka vënë në dispozicion, që atyre besimtarëve t’ua bëjë të mundur kryerjen e detyrimit të therjes së kurbanit sipas sheriatit, dhe, njëkohësisht ata të shprehin bamirësi ndaj vëllezërve dhe motrave me gjendje më të dobët materiale, si dhe ndaj kategorive të tjera të popullatës, të cilat kanë të drejtë (hak) në kurbanet tanë.

Në aksion të përbashkët blihen kurbanet, sigurohet kontrolli mbi blerjen dhe therjen e kurbaneve, ndërsa mishi i kurbaneve, përveç medreseve, u ndahet edhe familjeve të varfra përmes Këshillave të BI, spitaleve, shoqatave humanitare, konvikteve etj….

Duke pasur parasysh faktin se kurbanet do t’i therim në kushte të verës dhe në temperatura të larta, i lusim të gjithë besimtarët (xhematin) të cilët vetë e bëjnë therjen e kurbaneve, që lëkurave të kurbaneve tu hedhin kripë sipas rregullit, dhe kështu të ruhen lëkurat nga dëmtimi, e njëherit të ruhet edhe vlera e kurbanit.

Secilit kurban të cilin e therim në emër të Allahut të Plotfuqishëm, duhet t’i qasemi me vetëdijen dhe njohurinë fetare se kurbani është ibadet, dhe jo një therje e zakonshme. Pa këtë vetëdije thelbësore për kurbanin, pa devotshmëri që i paraprinë, e shoqëron dhe vërteton aktin e therjes së kurbanit, pa një kujtesë në madhështinë e sakrificës së Ibrahimit (a.s.), kurbani e humb kuptimin e tij themelor dhe qëllimin për të cilin theret.

Të dashur vëllezër,

Ne jemi të brengosur për shkak të qasjes sipërfaqësore dhe banale ndaj therjes së kubaneve e cila po popullarizohet në media dhe në skenën publike. Kurbani gjithnjë e më theksueshëm po trajtohet si produkt komercial për qëllime humanitare. Kurbani po paraqitet dhe interpretohet si një mall i konsumit të zakonshëm i destinuar për kategori të ndryshme sociale. Një trajtim i tillë i kurbanit, edhe pse i mbështjellë me motive fisnike humaniste, shumë lehtë mund të çojë në rrugë të gabuar!

Therja e kurbanit, në mësimin dhe praktikën shumë shekullore muslimane fetare, kurrë nuk ka qenë vetëm aktivitet humanitar.

Kurbani është një akt sublim i ibadetit dhe dispozitë fetare e themeluar në Kuran dhe Sunet. Është e papërgjegjshme, dhe nga pikëpamja fetare mëkat, që këtë obligim fetar ta vendosim në të njëjtin rang me donacionet dhe aksionet humanitare, të cilat njerëzit, si shprehje të bamirësisë personale mund t’i kryejnë në çdo kohë dhe kudo. Duke iu përgjigjur thirrjeve të disa shoqatave të cilat organizojnë therjen e kurbaneve me njohuri të dyshimta për Islamin dhe me vetëdije të dyshimtë fetare, ai i cili vepron në këtë mënyrë, rrezikon ta humbasë kuptimin thelbësor dhe vlerën e sakrificës së tij.

Kurbani nuk theret vetëm për shkak të qëllimeve të tij sociale dhe humanitare, edhe pse ai pa dyshim është i rëndësishëm. Therja e kurbanit e ka kohën e vet të përcaktuar saktësisht, është e përcaktuar mënyra e ndarjes së mishit, nënkupton plotësimin e rregullave dhe kushteve të sheriatit, dhe para së gjithash dhe mbi të gjitha, akti i therjes së kurbanit paraqet shprehje të vetëdijes më të lartë fetare, të shpresës në faljen e Allahut, si dhe pritjen e shpërblimit për kurbanin që e therim.
Pejgamberi (savs) i ka thënë vajzës tij Fatimes (r.a.): “Shko dhe prezanto në therjen e kurbanit tënd, sepse me çdo pikë gjaku të tij, ty do të falet çdo mëkat që ke kryer!”

Kur nga padituria, nga harresa dhe për shkak të filozofisë gjithnjë e më të dukshme konsumuese të jetës, qëllimet universale të ibadetit po zëvendësohen vetëm me formën e jashtme, atëherë është e pashmangshme që t’i kujtojmë këto fjalë të Allahut të Plotfuqishëm:

لَنْ يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلاَ دِمَاؤُهَا وَلَكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنْكُمْ كَذَلِكَ سَخَّرَهَا لَكُمْ لِتُكَبِّرُوا اللَّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَبَشِّرْ الْمُحْسِنِينَ.

“Te Allahu nuk arrin as mishi i tyre as gjaku i tyre, por te Ai arrin vepra e mirë – e bërë nga ju, kështu Ai – ua ka nënshtruar juve ato, për ta madhëruar ju Allahun, që ju ka udhëzuar (në rrugën e drejtë). Dhe, merru myzhde bamirësve!” (el-Haxh, 37) (…)

O Zoti ynë, vetëm Ty të falënderojmë për begatitë të cilat na dhuron. Me të vërtetë, namazi ynë, edhe ibadetet tona, jeta jonë, dhe vdekja jonë, të përkasin vetëm Ty.

O Zoti ynë, pranoji prej nesh ibadetet dhe sakrificat tona të cilat i bëjmë vetëm për Ty. Na falë dhe na mëshiro, sepse me të vërtetë, Ti shumë mëshiron dhe fal.

Akos.ba; Përshtati: Miftar Ajdini