Kuran

Kuptimi etimologjik i nocionit “tefsir”dhe “te’vil”

309views

Muin Sulejmani

Nocioni “tefsir” rrjedh nga folja “fesere” që do të thotë: sqarim, shpjegim, shfaqje, nxjerrje në sheh, nxjerrje e diç sendi që është e mbuluar ose e fshehur. “el-Fesru” do të thotë të analizuarit e ujit për të treguar mjeku sëmundjen.[1] Ndërsa ez-Zerkeshiu thotë: “Tefsir” do të thotë: shpjegim (komentim) dhe shfaqje. Në esencë kjo fjalë i referohet mjekut i cili analizon ujin për të treguar sëmundjen, sepse si mjeku i cili analizon ujin për të treguar sëmundjen gjithashtu edhe komentatori (mufessir) tregon kuptimet dhe shkakun e zbritjeve të ajeteve. [2]

Imam es-Sujutiu thotë se nocioni “tefsir” rrjedh nga folja “sefere” e cila është shndërruar në “fesere” dhe se fjala “tefsir do të thotë: “sqarim dhe zbulim”. Nga aspekti gjuhësor sefere do të thotë: shfaqja e ditës nga nata (esfere’s-subhu).[3] Gjithashtu edhe pse fjala sefere është fjalë amfibolike e cila, por në gjuhën arabe më së shumti e mbartë kuptimin të nxjerrët e diç sendit të mbuluar apo të fshehur në shesh, me shndrit. Nga kjo arabët thuan “Seferetil-Mer’etu an vexhhiha” Gruaja e zbuloi fytyrën.

Emin el-Huli thotë: Shprehjet “fesere” dhe “sefere” që të dy tregojnë zbulim. Kështu që shprehje “sefere” tregon zbulim ezoterik dhe material ndërsa “fesere” zbulim shpirtëror. Nga kjo këto kur shndrohen në formën e zgjeruar të foljeve et-tef’il do të thotë: me bë zbulim, me nxjerr diç në shesh.

Ndërsa shprehja “te’vil” rrjedh nga folja “evl” e cila do të thotë me kthye.[4] Gjithashtu kjo fjalë mbartë kuptimin shpjegim dhe sqarim. Ibn Mandhuri thotë se edhe kur shndrohet në formën tef’il kjo gjithashtu jep kuptim për shpjegim dhe sqarim. Gjithashtu edhe Ragib el-Isfehani thotë se te’vil rrjedh nga shprehja evl e cila në esencë është që tregon kthim nga një send.

Nga këto nënkuptojmë se nuk bartin një dallim për nga aspekti etimologjik këto dy shprehje përkundër asaj nga aspekti terminologjik që bartin kuptime të kundërta nga disa dijetar dhe periudha te tefsirit.

Kuptimi terminologjik i nocionit “te’vil” dhe “tefsir”

Nga dijetarët Islam nocioni tefsir është përdorur për të sqaruar kuptimet e ndryshme dhe tekstet të cilat gjenden në Kur’an si garib (jo të njohura) dhe mushkil për të sqaruar këto ato.

Ebu Hajjan el-Endelusi (v. 1344) thotë: “Tefsir është shkencë e cila merret me studimin e qëllimit të fjalëve dhe se në çka aludojnë ata”.[5]

Ndërsa sipas edh-Dehebiut: “Tefsiri është shkencë e cila merret me studimin e Kur’anit nga mundi njerëzorë që tregon se çka ka për qëllim All-llahu”.[6]

Gjithashtu ky nocioni “tefsir” mund të përdoret edhe në shkencat tjera për sqarime dhe shpjegime.

Ndërsa për kuptimin e nocionit “te’vil” sipas dijetarëve të hershëm (selefëve) dhe dijetarëve të vonshëm (muteahirunve) ka dallime.

Te’vil do të thotë të shpjeguarit, sqaruarit, e fjalës dhe kuptimin e saj. Sqarimi qoftë ezoterik apo jo janë të njëjtë. Nga kjo nënkuptohet se te’vil dhe tefsir janë në kuptim të njëjtë. Një nga përfaqësuesit e këtij mendimi është Ibn Xherir et-Taberiu autori i librit Xhamiu’l-Bejan an te’vilil-Kuran, i cili në këtë vepër i përdorë që të dy termet në kuptim të njëjtë. Kështu gjatë komentimit të ajetit thotë “fi te’vilil Kur’an” si dhe “bi tefsiril-Kur’an”.[7] Gjithashtu edhe në disa raste ka përdorë: “el-Kaulu fi te’vili kaulihi teala” si dhe Ihtelefe ehlut’te’vili fi hadhihil-aje”.

Në krye të këtij mendimi është Ebu Ubejde dhe Ibn Xherir et-Taberi. Ndërsa dijetarët e vonshëm kanë bërë dallim në mes këtyre dy nocioneve tefsir dhe te’vil.

Nga kjo këto dijetarë duke bërë dallim në mes tyre e kanë kuptuar në këtë mënyrë te’vilin: Te’vil është të zgjedhurit e një kuptimi të shprehjes nga dy kuptimet e shprehjes.

Të kuptuarit e gjithë kësaj që treguam nga terminologjia e kuptimi të këtyre shprehjeve mund të përfundojmë në këto pika që të tregojmë dallimet në mes tefsirit dhe te’vilit:

Tefsir dhe Te’vil kanë një kuptim.[8] Ebu Ubejde dhe Ibn Xherir et-Taberi.
Tefsiri është më i përgjithshëm se te’vili.[9]
Tefsiri është në bazë të transmetimeve ndërsa te’vili në bazë të logjikës.[10]

Të kuptuarit e te’vilit dhe tefsirit sipas ebu Mansur el-Maturidiut

Në lidhje me të kuptuarit e tevilit dhe tefsirit sipas Imam Maturidiut i cili e ka paraqitur në veprën e tij “Te’vilatul-Kur’an” para komentimi të sures el-Fatiha. Ndërsa një kopje e këtij libri i cili ekziston në librarinë “Kopryly” nuk ekziston pjesa në të cilën tregon dallimin në mes tevilit dhe tefsirit ndërsa në bibliotekat tjera në të cilat ekzistojnë kopjet tjera përveç kësaj në të gjithat ekziston pjesa në të cilin e vë dallimin mes te’vilit dhe tefsirit.[11]

Imamu’l-Huda (Prijësi i Udhëzimit), Reisu Ehli-Sunnet (Prijësi i Sunnive), Imamu’l-Mutek-kelimine (Prijësi i Mutekkelimëve –Apologjetikëve) Ebu Mansur el-Maturidiu thotë:

“Dallimi në mes tefsirit dhe te’vilit është se tefsiri është (koment, sqarim) i sahabëve r.a. (shokëve të Pejgamberit a.s.) ndërsa te’vili (koment, sqarim) i dijetarëve. Kjo do thotë se sahabet kanë qenë vetë prezent të ndodhive dhe duke i përjetuar ato i kanë mësuar shkaqet e zbritjes së Kur’anit. Tefisir i tyre është shumë i rëndësishëm ngase ata vetë i kanë parë me sy dhe kanë qenë prezent të ndodhive.Ngase ky tefsir (sqarim) aludon për atë çka është për qëllim. Kjo është kështu sikur që dëgjohet diç prej dikujt që dinë atë ose si ai i cili e vështron atë vetë. Në lidhje me këtë siç është hadithi: “Kush e komenton (shpjegon, sqaron) Kur’anin sipas racios së tij le të përgatit vendin e tij në zjarr”[12] Kjo është për ata të cilët e bëjnë tefsir dhe për saktësinë e saj ia dëshmojnë All-llahut.

Ndërsa te’vil është: Sqarim i përfundimit të çështjes. Kjo fjalë rrjedh nga folja “ale” ”jeulu” e cila do të thotë me kthye. Ndërsa kuptimi i këtij nocioni është ashtu siç thotë Ebu Zejdi: “Të drejtuarit e një kuptimi të fjalës prej kuptimeve tjera që i bartë fjala.” Vështirësia e cila gjendet në tefsir e tillë nuk është në te’vil. Sepse te’vili nuk i dëshmohet All-llahut ngase komentatori (muevvili) gjatë komentimit (te’vilit) nuk tregon qëllimin, e as nuk thotë: Në lidhje me këtë All-llahu ka për qëllim këtë ose ka dashur të thotë kështu. Përkundër kësaj thotë: (Ky ajet) përmban këto kuptime dhe se mund të komentohet me njërën prej tyre. Kjo është në lidhje me atë çka vetë njerëzit flasin njëri me tjetrin ndërsa All-llahu nga urtësia e Tij e dinë se cila është më e saktë.

Këtë është mirë të plasojmë me një shembull: “Ehlut-Tefsir (Komentatorët tradicional) janë në mospajtim në lidhje me komentimin e ajetit të parë të sures el-Fatiha, El-Hamdu lil-lahi rabil-alemin. – Falënderimet i takojnë vetëm All-llahut Zotit të botëve.- Një grup prej tyre pretendojnë se All-llahu i Lartëmadhëruar e ka falënderuar vetë Qenien e Tij, ndërsa grupi tjetër thotë se All-llahu ka urdhëruar që të falënderohet. Kështu që kush thotë se me këtë është për qëllim kjo, njërën prej dy kuptimeve, ai është mufessir (komentator tradicional).

Ndërsa Ehlut-Te’vil (Komentatorët Racional) në lidhje me ajetin e parë të sures el-Fatiha thuan se: El-Hamdu siç është shprehje e cila tregon lavdinë e All-llahut gjithashtu kjo shprehje mban kuptim i cili urdhëron për të falënderuar All-llahun, dhe se vetëm All-llahu është Ai i Cili e dinë se çka ka për qëllim.

Më në fund mund të themi se tefsir është shpjegim i cili ngërthen vetëm një kuptim (koment) ndërsa te’vil është shpjegim i cili ngërthen më shumë kuptim (komente).”[13]

Referenca:
________________________________________________________________________________

[1] Ibn Mandhur, “Lisanu’l-Arab”, 5/55.

[2] Bedruddin Muhamed b. Abdullah ez-Zerkeshi, “el-Burhan fi Ulumi’l-Kur’am”, 2/47.

[3] Xhelaluddin es-Sujuti, “el-Itkan fi Ulumi’l-Kur’an”, 2/173.

[4] Ibn Mandhur, “Lisanu’l-Arab”, XI/32; Ragib el-Isfehani, “el-Mufredat fi Garibil-Kur’an”, fq: 38.

[5] Es-Sujuti, El-Itkan, 2/174.

[6] Edh-Dhegebi, Tefsir, 1/5.

[7] Ibn Xherir et-Taberi, “Xhamiul-Bejan”, 1/34.

[8] Es-Sujuti, el-Itkan, 2/173; el-Alusi, Ruhul-Meani, 1/4.

[9] El-Alusli, Ruhul-Meani, 1/4. eZ-Zerkeshi, 2/149.

[10] El-Alusi, Ruhul-Mean, 1/5, Es-Sujuti, el-Itkan, 2/173.

[11] Muhamed Eroglu, Ebu Mansur el-Maturidi, fq: 27.

[12] Transmeton Abdullah bin Abbasi në formë tjetër: “Kush thotë diç në lidhje me Kur’anin sipas racios së tij…. Et-Tirmidhiu, vëll. 5, fq: 199. Nr. Hadithit, 2951.

[13] Imam Maturidi, “Te’vilat Ehlis-Sunne”, vëll. I, fq:1.