Kryerja e gabimit gjatë faljes së namazit me xhemat

Pyetje:

 A duhet bërë sehvi sexhde në fund të namazit në rast se falemi me xhemât dhe bëjmë ndonjë gabim për të cilin kryerja e sehvi sexhdes është e obligueshme? Nëse po, ju lutem përshkruani mënyrën e saktë për të njëjtën gjë dhe na sqaroni situatat në të cilat duhet të kryejmë një sexhde të tillë, ndërsa jemi duke kryer namazet me xhemât.

Përgjigje:

Në rast se ndonjëri kryen namazin me xhemât dhe bën ndonjë gabim për të cilin, normalisht,  bëhet sehvi sexhde, ai nuk ka nevojë dhe nuk duhet të bëjë sehvi sexhde, meqenëse sehvi sexhdeja është e obligueshme në rast se njeriu falet vetmas, individualisht, ose këtë e kryen imami i cili udhëheq namazin (në rast se ai bën ndonjë lëshim).

Rregullat e sehvi sexhdes nuk vlejnë për njeriun i cili falet pas imamit si muktedi. Namazi i tij do të jetë i vlefshëm pa sehvi sexhde, mirëpo në rast se ndodh që të lëshojë ndonjë vepër që është farz, si për shembull sexhden, rukunë etj., në këtë rast sehvi sexhdeja nuk është e mjaftueshme për korrigjimin e lëshimeve, pra namazi i tij do të jetë i pavlefshëm dhe ai do të duhet ta përsëris namazin edhe një herë.

Gabimet të cilat ka mundësi të korrigjohen me sehvi sexhde për imamin apo për ata që falen vetmas, falen nëse njeriu është duke u falur pas imamit, dhe namazi i tij konsiderohet i kompletuar pa kryerjen e sehvi sexhdes.

Megjithatë, në rast se njeriu është vonuar një ose dy rekât në namazin me xhemât dhe pas dhënies së selamit nga ana e imamit ai plotëson rekatet e ikura, do ta bëjë sehvi sexhden nga shkaku se, gjatë plotësimit të pjesës së ikur nga namazi, ai konsiderohet si personi që falet vetëm , dhe në këtë rast sehvi sexhdeja është e obligueshme sikur tek namazet e tjera individuale.

 

Fetvatë nga: Mufti Muhamed Teki Usmani

Përshtati: Lutfi Muaremi

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply