“Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të All-llahut…”

Hfz. Mehas Alija

Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.

  “Kryeni haxhin dhe umren për hirë të Allahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therrni për kurban) çka t’ju vijë më lehtë prej kurbanëve…” (El-Bekare, 196).

I respektuari xhemat, të shkosh dhe të kryesh Haxhin donë të thotë t’i përgjigjesh ftesës së Allahut xh.sh. Kjo ftesë nuk u është bërë vetëm pleqve, por të gjithë të rriturve, burra dhe gra, të cilët kanë mundësi të shkojnë në ato vende të bekuara.

Vëllezër dhe motra të nderuara, mos pritni gjatë për të shkuar në Haxh. Së pari, askush nuk e ka të sigurt jetën dhe askush nuk mund të thotë me saktësi se këtë vit apo këtë vit kam për ta kryer Haxhin. Nëse dje nuk ishe, as sot nuk shkon, dije se as e nesërmja nuk ta garanton këtë. Së dyti, gjendja dhe kriza globale, e sidomos ajo në botën islame, i ka vështirësuar kushtet e udhëtimit deri në ato vende të shenjta, mbase edhe vetë çmimet kanë hipur shumëfish nga sa kanë qenë 10 vitë më parë. Së treti, prolongimi dhe moskryerja e Haxhit, për ata që kanë mundësi ta bëjnë atë, është një lëshim dhe rrezik i madh.

Ka një hadith që disa e lidhin me Muhammedin a.s., e disa të tjerë thonë që është fjalë e hz. Omerit r.a., por edhe e Ebu Hurejres r.a., i cili thotë: “Kush i plotëson kushtet për të shkuar në Haxh dhe nuk shkon, para se t’i ketë ardhur çasti i vdekjes, le të vdes ai si të dëshirojë, qoftë edhe si jahudi apo si i krishter.”

Në një rast tjetër, hz. Omeri, si një halif i muslimanëve, pati thënë: “Kam vendosur që të dërgoj dikë për të parë njerëzit që nuk e kryejnë haxhin, ndërkohë që kanë mundësi për një gjë të tillë, t’i obligojnë të paguajnë xhizje. Ata nuk janë muslimanë, ata nuk janë muslimanë.”

Kurse Seid ibn Xhubejri thoshte: “Nëse në vendin ku banoj do të vdiste dikush që kishte mundësi të kryente haxhin dhe nuk e kishte kryer, nuk do t’ia falja xhenazen.”

Xhemat i shtrenjtë, këto citate i solla këtu, jo për t’ju frikësuar, e as për të shfryrë ndonjë inat, por për të kthyer vëmendjen tonë te rëndësia dhe pesha që ka haxhi në fenë tonë islame. Të mos harrojmë, haxhi bënë pjesë në adhurimet dhe veprat më të mira të fesë sonë; është njëri ndër pesë shtyllat kryesore të Islamit.

Një çështje tjetër që dëshiroj sot të përmend është edhe çështja e therjes së kurbanëve. Ata që sivjet nuk do të shkojnë në haxh, kurse kanë kushte të mira financiare, janë të obliguar të therin Kurban për hir të Allahut xh.sh., me të cilin fitohet shumë sevap, ushqehen të varfrit, afrohen afër Allahut xh.sh., si dhe largohen nga belatë.

Sipas medh’hebit tonë hanefi, therja e Kurbanit, është vaxhib (obligim) për ata që kanë kushte të mira financiare (nisab). Një gjë e këtillë nuk besoj se përbën problem për ne që jetojmë në këtë shtet (Zvicër), pasi gati të gjithë kemi mundësi të porositim apo të paguajmë Kurbanin. Përndryshe, duhet të na e tërheq vërrejtjen ky hadith i Muhammedit a.s.: “Kush ka mundësi të therr një Kurban dhe nuk e bënë një gjë të tillë, le të mos i afrohet musal-lasë sonë (pra, le të mos vijë në namaz të Bajramit).” (Imam Ahmedi, ibn Maxhe dhe Hakimi).

Besimtarë të shtrenjtë! Le t’i shfrytëzojmë mirë këto ditë dhe net të bekuara para Bajramit. Le ta madhërojmë Allahun xh.sh. në secilin hap që e bëjmë. Mos të harrojmë ta agjërojmë ditën e arifesë dhe t’i bëjmë gati kurbanët tanë. Allahu na e mundësoftë ta presim me mbarësi dhe kënaqësi festën e Kurban – Bajramit, ndërsa haxhilerëve ju shkoftë mbarë rruga dhe puna e haxhit, inshallah.

(Hutbeja e xhumasë, 18.08.2017, xhamia El-Hidaje, St. Gallen të Zvicrës)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply