Muftini

Kreu i komunitetit islam të Maqedonisë nderohet me çmim nga presidentit amerikan

238views

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, me një ceremoni të mbajtur në Shkup ka pranuar çmimin “Të arriturat jetësore”, të cilin e ndan presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin shoqëror të personaliteteve nga jeta politike, fetare bdhe shoqërore, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prani të mysafirëve të shumtë nga jeta fetare, politike dhe shoqërore në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, në mesin e të cilëve ishte edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnave dhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, çmimin e ndau i autorizuari i Shtëpisë së Bardhë, profesori nga univerziteti Publik në Florida, Otto von Feigenblatt.

Në adresimin e tij, Feigenblatt tha se çmimi në fjalë është nga më të rëndësishmit që ndan SHBA për të vlerësuar kontributin shoqëror, të cilës i paraprinë një proces i analizimit të hollësishëm, që në rastin e Rexhepit, siç tha ai, ka qenë e thjeshtë nga shkaku i biografisë së tij të pasur.

Në letrën e nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump, të cilën e lexoi i autorizuari i tij, thuhej se “SHBA-të janë falenderues për punën e Rexhepit për të përmirësuar jetët e njerëzve, gjë të cilën e vlerësojnë miqtë amerikan”.

“Ju shërbeni si një model i frymës amerikane dhe orët e shumta të cilat i keni kaluar në shërbim kanë sjell shumë bashkëpunime, kanë rritur besimin dhe kanë bashkuar njerëzit, duke ndihmuar në adresimin e shumë çështjeve”, thuhet mes tjerash në letrën e nënshkruar nga Trump të cilën e lexoi Feigenbad.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, në adresimin e tij falenderoi presidentin amerikan për mirënjohjen e ndarë, për të cilën tha se “nuk është e rastësishme, sepse reflekton bashkëpunimin në drejtim të lartësimit të vlerave të popullit shqiptar dhe atij amerikan”.

Rexhepi theksoi se shqiptarët me kohë janë rreshtuar përkrah popullit amerikan dhe vlerave të tyre, vlera të cilat sipas tij, respektojnë dhe çmojnë secilin që angazhohet për paqe, tolerancë, mirëqenie dhe bashkëjetesë.

“Nuk pretendoj se jam njohës i thellë i politikave të përgjithshme amerikane, por jam i sigurt se të gjitha përpjekjet dhe angazhimet e mia janë sikron, janë në harmoni dhe në një vijë me ato të SHBA-ve”, tha Rexhepi.

Çmimi “Të arriturat jetësore” është një çmim civil i ndarë nga presidenti i SHBA-ve, që është inicuar me urdhër ekzekutiv nga ish-presidenti amerikan, George W. Bush, me të cilin nderohen personat që japin shërbim duke ndihmuar të tjerët.