Nacionale

Kosovë, shënohet 20-vjetori i Epopesë së UÇK-së

341views

Me rastin e vitit jubilar, 20-vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në betejën e Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, sot në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt ceremonia ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu Agency (AA).

Parakalimi ushtarak i cili mbahet në kuadër të manifestimit gjithëpopullor “Epopeja e UÇK-së”, që organizohet nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në datat 5, 6 dhe 7 mars 2018 filloi me rreshtimin e kuadrateve të FSK-së në pistën e kazermës “Adem Jashari”.

Në këtë manifestim të pranishëm ishin presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, anëtarë të familjes Jashari, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të misioneve diplomatike, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së si dhe qytetarë të Kosovës.

Presidenti Thaçi, gjatë fjalës së tij, tha se shënimi i 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së sivjet përkoi me 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë duke i konsideruar këto dy ngjarje jubilare si epokale, historike dhe me peshë të veçantë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Thaçi theksoi se përmes rezistencës të armatosur të luftës së drejtë të UÇK-së e cila doli nga gjiri i qytetarëve të Kosovës, “Epopeja e UÇK-së” zgjoi kudo krenarinë e botës shqiptare në Kosovë, në diasporë dhe anembanë botës kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.

Sipas tij UÇK-ja me vizionin e saj fitoi mbështetjen e botës demokratike duke u bërë forcë udhëheqëse e proceseve politike në vitet ’98-’99. Ndërsa sa i përket transformimit të FSK-së në forcat e armatosura Thaçi u shpreh se është hapi final i zhvillimit të FSK-së që sipas tij ky transformim duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese. Ai tha se nuk do të lejojë askënd që të vë veto të pakufishme mbi të drejtën legjitime dhe legale të shtetit.

“Edhe pse sot është një ditë festive ku përkujtohet krenaria dhe sakrifica për liri dhe pavarësi nuk mund të mos e themi se marshin tuaj drejt ecjes përpara në transformimin profesional nuk arriti të përcillte politika jonë. Jam i bindur që ky hap final i bërjes së Kosovës me forca të armatosura pas një periudhë të gjatë të zhvillimit të FSK-së dhe në një partneritet të shkëlqyeshëm me KFOR-in dhe NATO-n është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovë nga të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon”, tha Thaçi.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj në fjalimin e tij duke nderuar dhe kujtuar me respekt të rënët për liri dhe rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jashari u shpreh se FSK-ja së shpejti do të marrë besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s. Haradinaj duke iu drejtuar pjesëtarëve të FSK-së tha se ata do të jenë të gatshëm të shërbejnë në rrethana paqeje kudo që e kërkon Aleanca Veri-Atlantike pra NATO-ja.

“Ju, që po krijoni një imazh të ri të Kosovës me shumë mund e shumë sakrifica me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merrni edhe besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s. Ushtri që në zemër dhe në shpirt mban flakën e lirisë të ndezur nga UÇK, e që është e gatshme sot të njohë dhe të mbrojë diversitetin kulturor e etnik të vendit tonë, lirinë e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë, shqiptarëve dhe të gjitha komuniteteve”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, në këtë manifestim në emër të Familjes Jashari mori fjalën edhe Rifat Jashari ku tha se në këtë ditë i kujtojmë djemtë dhe bijat e mbarëkombit shqiptarë të cilët sakrifikuan jetën për vendin e tyre.

“Ne pasardhësit e tyre e kemi obligim moral dhe të domosdoshëm për hirë të bijave dhe bijëve, për hirë të gjakut të luftës dhe duhemi ta gjejmë gjuhën e përbashkët dhe ta çojmë Kosovën përpara ashtu siç na ka hije si popull dhe si komb”, tha Jashari.

– Kuvendi i Kosovës seancë solemne për 20-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Kuvendi i Kosovës sot ka mbajtur seancë solemne për nder të shënimit të 20- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi se ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz shpalosën para tërë botës të vërtetën e madhe për Kosovën, dhe se në këtë ditë në Prekaz filloi fundi i Serbisë në Kosovë.

“Atë ditë në Prekaz ndryshoi historia dhe epoka. Erdhi fundi i epokës së pritjes dhe jetës së errët. Filloi epoka e kryengritjes dhe konfrontimit me të keqen, epoka e triumfit mbi të keqen. Epoka e çlirimit përfundimtar të Kosovës nga robëria njëshekullore. Epoka e lëvizjeve më të famshme të krijuara nga populli ynë në histori: Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Veseli.

Veseli theksoi se prej atëherë kanë kaluar 20 vite dhe se Kosova ka arritur përparim të madh, porse para tyre ende ka sfida të mëdha, veçmas zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve.

Ai theksoi se Kosovës i nevojitet një kthesë në kuptimin moral, por në sjelljen politike, meqë doemos duhet të pranohet se në demokraci nuk ka mënyrë tjetër, përveç komunikimit, kompromisit dhe konsensusit të përbashkët në interes të vendit dhe qytetarëve.

Në seancën solemne foli edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili lartë e vlerësoi sakrificën e komandant Adem Jasharit, familjes së tij dhe të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësi të Kosovës.

“Gjenerata e re e shqiptarëve dhe miqve të Kosovës na porosisin të ndërtojmë paqen për të gjithë, sepse ajo është më e vështirë se lufta, të ndërtojmë Kosovën të vlefshme për të gjithë qytetarët, Kosovën për të cilën ëndërruan heronjtë e Kosovës, pa dhunë dhe shtypje, pa padrejtësi”, theksoi Haradinaj.

Liria nënkupton, shtoi kryeministri i Kosovës, pasja e kulmit mbi kokë, punë, shtet dhe pasaportë në të cilën shtetet tjera nuk dyshojnë. Ai i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, partive politike dhe liderëve të tyre, si dhe bashkësive tjera me të cilët shqiptarët jetojnë, për unitet institucional dhe kohezion shoqëror për të mbrojtur idealin e lirisë dhe ndërtuar ardhmërinë e Kosovës.

Aktivitetet e shënimit të Epopesë së UÇK-së do të vazhdojnë edhe për dy ditë me radhë, ku nesër do të bëhen homazhe pranë varrezave të Familjes Jashari, në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt. Më pas në Prishtinë do të mbahet edhe një akademi përkujtimore kushtuar Komandantit legjendar Adem Jashari. Ndërkohë, të martën më 7 mars do të mbahet manifestimi përmbyllës me ritin e dëshmorëve dhe “Natën e Zjarreve” apo ndezjen e flakadanëve në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kurse akademi përkujtimore kushtuar Komandantit legjendar Adem Jashari do të organizohet edhe në Tiranë dhe në Shkup.

Kujtojmë se gjatë luftës së Kosovës, më 5 mars 1998, forcat e policisë serbe kishin sulmuar shtëpinë e familjes Jashari në Prekaz, ku Adem Jashari heroikisht ra së bashku me më shumë se 50 anëtarët e familjes së tij. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjati tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kjo luftë, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998.

Më 22 janar 1998 forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jasharaj i rezistuan. Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e më shumë se 50 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familajrë të ngushtë të Adem Jasharit.

Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në fshatin Prekaz të Skënderajt. Ai vite më parë ishte i organizuar në Lëvizjen Kombëtare, në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës më vonë të quajtur LPK.