Nacionale

Kosovë: miratohet projektligji për lirit fetare, shtohet bashkësia e re e tarikateve

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë,me 61 vota për, 4 kundër dhe 13 abstenime.

Me ndryshimet që i janë bërë këtij ligji, nga pesë bashkësi fetare në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e Besimit Hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore, i është shtuar edhe një bashkësi fetare, ajo e Tarikateve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në prezantimin e projektligjit për lirinë fetare para deputetëve ka thënë se këto bashkësi përbëjnë edhe trashëgimin historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Ai ka shtuar se projektligji është hartuar duke u bazuar në konventat ndërkombëtare dhe opinionin e Komisionit të Venedikut.

Haradinaj ka ftuar deputetët që ky ligj të miratohet dhe ka theksuar se miratimi i këtij ligji është njëri nga kushtet për anëtarësim në UNESCO.

(Agjencitë)