Komenti i hadithit që flet për zbritjen e Allahut xh.sh.

Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Zoti ynë, Allahu, më i Lartësuari me Madhështi, më i Larti zbret çdo natë në qiellin më të afërt të dynjasë kur ka mbetur një e treta e fundit e natës dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet Mua, që Unë t’i përgjigjem atij? A ka ndonjë që më kërkon Mua diçka, që Unë t’ia siguroj atë atij? A ka ndonjë që kërkon faljen Time, që Unë ta fal atë?” (Muttefekun alejhi)

Në vazhdim do të përmendim diç në lidhje me atë se çfarë kanë shkruar Imam Neveviu dhe Imam El-Askalani, sa i përket këtij hadithi, në kometarët e tyre ndaj haditheve të Imam Buhariut dhe Imam Muslimit.

“Ky është një prej haditheve që flet për Cilësitë e Allahut dhe, sa i përket të kuptuarit të tyre, ekzistojnë dy qëndrime të njohura tek dijetarët tanë, të cilët janë përmendur më parë në kapitullin mbi besimin. Me fjalë të tjera, thënë shkurtimisht, njëri prej qëndrimeve që përmendet, e që është qëndrim i gjeneratës së parë (selefit) dhe të disa teologëve të mëvonshëm (mutekel-lim), është se ato (pra, cilësitë) duhet të besohen se janë të vërteta, ashtu siç më së miri i përshtaten lartëmadhërisë së Allahut, dhe se më këtë nuk mendohet në të kuptuarit formal, që ngjason me njerëzit, madje duke mos u futur në interpretimin e tyre, me besimin se Allahu është i pastër nga të gjitha ngjashmëritë me krijesat, sikur që janë transformimi, lëvizja dhe të gjitha tiparet e tjera të krijesave. Qëndrimi i pjesës dërmuese të teologëve dhe të disa dijetarëve nga selefi – siç përcillet nga imam Maliku dhe Evzaiu – është se ato duhet të interpretohen varësisht nga konteksti. Në bazë të kësaj, kemi dy transmetime të shpjegimit të këtij hadithi: Sipas shpjegimit të parë, në të cilin përfshihen Malik ibn Enesi dhe të tjerë, këtu mendohet për zbritjen e mëshirës së Tij, të përcaktimit, si dhe të melaqeve, sikur që rëndom thuhet se mbreti kreu punën, edhe pse këtë e bëjnë shërbëtorët sipas urdhërit të tij. Sipas shpjegimit të dytë, këtu bëhet fjalë për një metaforë që tregon për faktin se Zoti është bujar dhe përgjigjet ndaj atyre që kërkojnë prej Tij.” (En-Nevevi, El-Minhaxh, 6/36-37).

“Këtë hadith e marrin si argument ata që Allahut i caktojnë anë dhe thonë se Ai është lartë. Mirëpo, këtë e refuzojnë shumica e dijetarëve, pasi që kjo çon në të caktuarit e vendit të Allahut xh.sh., i Cili është i pastër nga kjo. Ekzistojnë mendime të ndryshme rreth “zbritjes”. Disa kanë mendim sipërfaqësor, tekstual dhe formal dhe këta janë antropomorfistët (mushebbihe), ndërsa Allahu xh.sh. është largë fjalëve të tyre. Disa të tjerë i mohuan plotësisht të gjitha hadithet e këtij lloji, e ata janë harixhitët dhe mu’tezilitët, e që kjo është një arogancë e llojit të vet. Kurse, disa të tjerë i citojnë kata hadithe, ashtu siç janë thënë, mirëpo besojnë në një kuptim të përgjithshëm, duke mohuar çdo gjë që e përgjason dhe i jep formë Allahut xh.sh., pra ky është qëndrim i pjesës dërmuese të selefit. Ka edhe të tillë që këtë hadith e komentojnë sipas përshtatshmërisë dhe njohurive të gjuhës arabe.”

Pastaj, duke vazhduar, thotë: Pas tërë kësaj, ky hadith mund të interpretohet me dy mënyra: Me këtë hadith mendohet për zbritjen e përcaktimit të Tij apo të melaqeve të cilët zbresin me urdhërin e Tij, apo se kjo është një metaforë në kuptim të bujarisë dhe të asaj se Zoti është Ai që përgjigjet ndaj kërkuesve, etj. Ebu Bekr bin Fevrik përmend se këto fjalë, disa dijetarë, i kanë cituar në kuptim të zbritjes duke u tërhequr nga objekti, që donë të thotë se zbret malaqeja. Në favor të kësaj është edhe transmetimi i imam Nesaiut, që e përcjell El-Egarra nga Ebu Hurejra dhe Ebu Se’idi r.a. se “Allahu i Lartësuar, pas gjysmësës së natës, e urdhëron thirrësin që të thotë: “A ka kush më lutet që t’ia plotësoj?”

Në fund, citohet El-Bejdaviu, i cili thotë: “Pasi është vërtetuar me argumente kategorike se Ai, i Lartësuari, është i pastër nga trupëzimi dhe të pranuarit e vendit, atëherë është e papranueshme edhe të besuarit se Ai zbret, në kuptim të lëvizjes prej një vendi në një vend tjetër. Në fakt, me zbritjen, mendohet në dritën e Mëshirës së Tij, pra lëvizje (zhvendosje) nga cilësia e Dënuesit, që nënkupton hidhërimin dhe dënimin, drejtë cilësisë së Fisnikruesit, që nënkupton mëshirën dhe butësinë.” (El-Askalani, Fethul-bari, 3/30-31)

Përktheu: Mehas Alija

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply