MendimeOpinione

Koha që muslimanët të zgjohen nga gjumi

Nga Ibrahim KALLËN*

Vendet muslimane po ballafaqohen me një numër problemesh të brendshme dhe të jashtme. Sado të vështira dhe tronditëse që mund të duken, ato nuk janë të pazgjidhshme. Nevojitet një llogari serioze për t’i adresuar ato. Vendet muslimane nuk jetojnë në izolim. Ato janë pjesë e rendit aktual global, i cili padyshim është i padrejtë, jofunksional dhe diskriminues. Trashëgimia e kolonializmit është ende e gjallë dhe vazhdon t’i mbajë nën presion vendet muslimane. Gara globale për pushtetin, epërsinë dhe luftërat e ndërsjellta kanë një çmim të lartë për të tashmën dhe të ardhmen e tyre. Ka shumë fajtorë që mund të numërojmë për ndërhyrjet e jashtme, që kanë për qëllim mbajtjen e një rendi të hegjemonisë dhe shfrytëzi

Por popujt muslimanë gjithashtu vuajnë nga plagët e shkaktuar nga vetë ata. Ndarjet e brendshme, mungesa e vizionit dhe lidershipit, keq-qeverisja, keqpërdorimi i burimeve natyrore, nacionalizmi etnik dhe sektarizmi dëmtojnë potencialin e tyre të vërtetë dhe i bëjnë ato vulnerabël ndaj manipulimit. Mungesa e pushtetit politik dhe ekonomik korrespondon vetëm me varfërimin intelektual. Mungesa e një kuptimi të saktë të traditës nga njëra anë, dhe modernizmi në anën tjetër çojnë deri tek të gjitha llojet e problemeve të identitetit dhe vetë-perceptimit. Terrorizmi i brendshëm dhe ekstremizmi i dhunshëm, të ushqyer dhe të manipuluar nga faktorë dhe palë të ndryshme, jo vetëm që i vendosin muslimanët në pozitë të turpshme, por edhe shkatërrojnë jetën dhe shpresat për një të ardhme më të mirë.

Vendet muslimane posedojnë një sasi të konsiderueshme të burimeve natyrore në botë duke përfshirë naftën, gazin, mineralet dhe pyjet. Ata kanë një popullsi më të re në krahasim me Evropën, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara. Por kontributi i tyre ndaj PBB-së së botës është shumë i vogël. Muslimanët përbëjnë 21 për qind të popullsisë së botës (1.5 miliardë), por përbëjnë vetëm 5 për qind të PBB-së botërore (pak më pak se 5 trilionë dollarë). GDP mesatare për frymë është rreth 5,000 dollarë, që është tre herë më pak se mesatarja globale prej rreth 13,000 dollarë. Vetëm disa vende muslimane kanë një model të qëndrueshëm zhvillimi dhe tregojnë shenja të suksesit për lehtësimin e varfërisë dhe për shpërndarjen e barabartë të pasurisë. Vetëm një pjesë e vogël e universiteteve në vendet muslimane bëjnë pjesë në listën 100 apo 500 më të lartë botërore. Numri i rezultateve shkencore në këto universitete dhe institute kërkimore është i papërfillshëm.

Si rezultat, kjo nuk jep një pasqyrë të mirë. Dhe këtu duhet të fillojmë: duhet të pranojmë që kjo nuk është një skenë e ndritshme dhe të mos pretendojmë se vetëm për shkak se besojmë në një Zot, ne gjithmonë do të jemi të suksesshëm. Besimi nënkupton inteligjencën dhe kërkon punë dhe përkushtim të madh. Ne duhet të kuptojmë se nuk mund të presim që të tjerët të bëjnë atë që është e mirë për ne. Ne duhet të kërkojmë një adresim të drejtë të veprimeve tona dhe të punojmë më shumë se kurrë për të formësuar të ardhmen tonë. Pa ndjenjën e pronësisë dhe drejtimit, nuk mund të pretendojmë të jemi një forcë për të mirë për veten dhe për të tjerët.

Ne duhet të shkojmë përtej versioneve të ndryshme të nacionalizmit dhe të përvetësojmë një pikëpamje më të gjerë për botën. Asnjë nga problemet tona lokale dhe kombëtare nuk do të zgjidhet pa i kushtuar vëmendje problemeve të fqinjit tonë. Pa marrë parasysh se sa dryna kemi vënë, shtëpia jonë nuk do të jetë e sigurt pa ndërtuar një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë. Meqenëse problemet tona janë të ndërlidhura dhe kërkojnë partneritet, ne duhet të punojmë së bashku. Parabarazitë në botën muslimane vijnë me një çmim të lartë për çdo çështje madhore, nga Palestina në Somali, nga luftimi i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm deri te zbutja e varfërisë.

Uniteti nuk do të thotë uniformitet dhe pluralizmi nuk do të thotë kaos dhe çrregullim. Qëllimi është të shohim unitetin prapa shumëllojshmërisë së formave. Ky parim, të cilin Ibn al-Arabi e quan “uniteti brenda diversitetit”, zbatohet për të gjitha sferat e ekzistencës. Është një përpjekje për të parë botën me të gjitha dimensionet e saj pa humbur perspektivën mbizotëruese të unitetit dhe integritetit. Ajo që është ironike dhe e trishtë për mungesën e unitetit në botën muslimane është se besimi islam bazohet në parimin themelor të unitetit hyjnor (teuhid), por vendet muslimane nuk mund të arrijnë unitet as në shpirtrat e as në veprimet e tyre kolektive. Siç thotë Mulla Sada, ata që nuk mund ta realizojnë njëshmërinë brenda shpirtit të tyre, nuk mund ta realizojnë kuptimin e njëshmërisë së Zotit. Rezultati është kaos, çrregullim dhe një humbje e mjerueshme e burimeve shpirtërore, intelektuale dhe natyrore.

Bota muslimane duhet të zgjohet nga gjumi i saj dhe të marrë pronësinë e të tashmes dhe të ardhmes së saj. Vetëm me fajësimin e të tjerëve për problemet tona nuk do mund t’i zgjidhim kursesi këto të fundit. Kjo vetëm do të çojë në përtacinë intelektuale dhe një ndjenjë të rreme të rehatisë. Nuk ka dyshim se ne duhet të ruhemi nga ndërhyrjet shfrytëzuese dhe imperialiste. Por ne gjithashtu duhet të vendosim rregull në shtëpinë tonë.

Ne nuk mund të luftojmë siç duhet në botën e jashtme, pa arritur më parë paqen, forcën dhe integritetin e brendshëm. Pamja e jashtme, mënyra se si dukemi, është një manifestim i asaj çfarë kemi brenda nesh. Pamja shqetësuese e gjendjes aktuale të botës muslimane është një pasqyrim i kaosit, çrregullimit dhe varfërisë së saj të brendshme. Këtu duhet të fillojë lufta. /tesheshi.com/

*Ibrahim Kalin është këshilltar i posaçëm i Presidentit turk dhe zëdhënës presidencial i Presidentit turk. Ai është gjithashtu anëtar i lartë në Qendrën Prince Alwaleed Bin Talal për Mirëkuptim mes Muslimanëve dhe të Krishterëve në Universitetin Georgetown