Hadith

Keqinterpretimi i hadithit, një shkak i përçarjes së muslimanëve

542views

Semi Ajeti

Hadithi pejgamberik është burim i dytë i Islamit pas Kur’anit. All-llahu [xhele-shanuhu] na e ka bërë obligim bindjen ndaj Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem], ndjekjen e shembullit të tij, dhe e ka bërë si kusht për të arritur dashurinë ndaj Zotit. All-llau [xhele-shanuhu] thotë:

Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.( En Nisa 34)

Pa dyshim se bindja ndaj Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] manifestohet duke respektuar fjalët e tij.

Vërtetë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] vdiq dhe shumë besimtarë dhe dashamirë të tij, nuk arritën ta takojnë, por si ngushëllim për ta la fjalët e tij, për të cilat vetë ai thotë në hadithin të cilin e transmeton Ibn Abbasi r.a se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] në Haxhin e lamtumirës tha:

“ Ju kam lënë diçka që nëse i përmbaheni nuk do të devijoni kurrë: Librin e All-llahut [xhele-shanuhu] dhe sunnetin e të dërguarit të Tij”

Kur’ani dhe Hadithi e përbëjnë një tërësi ku njëra tjetrën e plotësojnë dhe e sqarojnë, pasiqë Kur’ani përmban kryesisht parime të përgjithshme të cilat duhet të konkretizohen e hadithi është

ajo e cila sqaron dhe e kundërta. Duke u nisur nga kjo shokët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] e shihnin çdo fjalë dhe vepër të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem], sado e vogël dhe e parëndësishme të ishte si një ligj. Edhe kur qeshte, ata e shënonin dhe e merrnin si diçka të rëndësishme. Kështu hadithi arriti të rruhet dhe të arrij deri tek ne. Mirëpo fatkeqësisht sot shumë njerëz, duke u thirrur se e rruajnë hadithin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem], në fakt e keqkuptuan rruajtjen e saj. Duke u kapur për formën e jashtme të haditheve dhe duke e harruar esencën dhe bazën e saj arritën që ta keqinterpretojnë me të madhe, gjë që i sjelli dëm të madh gjithë ummetit

Roli i Hadithit në Islam

Hadithi është një burim kryesor i Islamit dhe ka një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të besimtarit. Kjo ngase si Kur’ani ashtu edhe hadithi janë inspirim (Vahj) prej anës së All-llahut [xhele-shanuhu], këtë e vërteton ajeti Kur’anor ku thotë:

“Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.” (En Nexhm 3-4)

Hadithi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] është burim i dispozitave, normave morale, politike, ekonomike etj. Sqaron dhe shkoqit atë që është cekur e përgjithësuar në Kur’an dhe e komenton në mënyrë më të përpiktë siç është rasti me çështjen e namazit, All-llahu [xhele-shanuhu] thotë: Faleni namazin dhe jepni zeqatin, dhe faluni me ata që falen (bini në rukuë me ata që bien). (El Bekare 43)

Nga ky ajet dhe shumë tjera që flasin për namazin mund të kuptojmë vetëm obligueshmërinë e tij, mirëpo nuk jepet asnjë sqarim apo rregull se si duhet të kryhet. Për ta definuar më mirë këtë obligim vjen Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] i cili thotë:

“Faluni sikur që më shihni mua duke u falur!”

Ka edhe shumë raste tjera në Kur’an ku pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] jep detaje nga ajo që është cekur e përgjithësuar në Kur’an .

Nganjëherë me hadithe vinë dispozita shtesë nga ato që janë në Kur’an, si bie fjala burri e ka të ndaluar martesën me hallën dhe tezën e gruas, pastaj ndalimi i mëndafshit për meshkuj etj, për këta dispozita Kur’ani nuk ka folur asgjë, këta i ka ndaluar hadithi.

Urtësia e kësaj se pse All-llahu [xhele-shanuhu] disa dispozita nuk i ka cekur në Kur’an, por ato ia ka inspiruar Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] që ti cekë me anë të hadithit, është që muslimanët të kuptojnë rëndësinë e madhe që e ka hadithi dhe të mos bëjnë dallim mes Kur’anit dhe hadithit.

Imam Shafiu ka thënë: “Prej gjërave me të cilat profeti është frymëzuar është suneti i tij. Ky sunet është urtësia që Zoti e ka përmendur në librin e Tij dhe gjithçka që Ai i ka zbritur atij është një libër – libri i Zotit – të gjitha këto i janë dhënë atij si të mira nga Zoti dhe nga vullneti i Tij. Këto të mira personifikohen në një të mirë (d.m.th tek mesazhi) ose marrin forma të ndryshme.

Hadithi pos që është bazë e Islamit, është edhe program jete mbi të cilën ngritet kultura njerëzore dhe përsosen moralet e saja. Hadithi urdhëron ithtarët e saj për vëllazërim, dashuri, sinqeritet, edukatë dhe pastërti shpirtërore dhe trupore. Njeriu duhet që assesi të mos bëhet koprac. Kështu na mësojnë shumë hadithë që urdhërojnë dhe nxitin për punë dhe tregti të ndershme. Porosia për mësim dhe studiim janë tema kryesore në hadith. Këto janë disa argumente që na tregojnë se hadithi është bazë pa të cilën nuk do të kuptohej islami, dhe se muslimani assesi nuk guxon të largohet nga hadithi.

Dijetarët duke u bazuar në shumë argumente janë të mendimit se mohuesi i hadithit nuk konsiderohet musliman. All-llahu [xhele-shanuhu] thotë në Kur’an:

“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”(En Nisa 65)

Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] thotë: “Do të vijë koha kur njeriut, të mbështetur në kolltukun e tij, i transmetohet hadithi nga unë, e ai thotë: Në mes nesh dhe juve kemi Kur’anin e Zotit. Atë që e gjejmë në Kur’an të lejuar e lejojmë, po ashtu atë që e gjejmë të ndaluar e ndalojmë. Por vini re atë që e ka ndaluar i Dërguari All-llahut është e ngjashme me atë që e ka ndaluar All-llahu.”

Muvefikudin ibn Kudame në librin e tij “Reudetun-Nadhir thotë:”Baza e dytë është suneti i të Dërguarit [sal-lallahu alejhi ve selem], fjalë e tij është argument, ngase (muxhizeja) e ka argumentuar së është e vërtetë dhe se All-llahu [xhele-shanuhu] i ka urdhëruar muslimanët ta respektojnë atë dhe ua ka tërhequr vërejtjen atyre që kundërshtojnë urdhrin e tij”

Detyrat e muslimanëve ndaj hadithit

E pamë vlerën e madhe që e ka hadithi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem], dhe padyshim se ndaj çdo gjëje të vlefshme kemi obligime dhe detyra. Detyrë kryesore me të cilën obligohen muslimanët ndaj hadithit është që të japin maksimumin ta mësojnë dhe ta ruajnë hadithin nga çdo qëllimkeq.

Mënyrën se si është ruajtur hadithi mund ta kuptojmë nga gjeneratat e para pas Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] të cilët arritën ta ruajnë hadithin dhe të na servojnë neve në mënyrë sa më të mirë. Po të lexojmë sakrificat, durimin dhe udhëtimet e shumta që kanë bërë ata do të habiteshim. Janë shkruar dhe hartuar volume të tërë librash, ku rrëfehen sakrificat dhe mirësitë e këtyre dijetarëve të cilët ruajtën dhe u transmetuan brezave të ardhshëm një nga trashëgimitë më të vlefshme, hadithet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem]. Kishte nga këta dijetarë të tillë që udhëtuan në të gjithë tokat islame, në kërkim të haditheve.

Ata udhëtonin në tokat e Shamit, Irakut, Samarkandit, Egjyptit dhe Indisë, për të kërkuar dhe grumbulluar hadithet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem]. Transmeton Buhariu nga sahabiu Xhabir bin Abdilah i cili thotë: “Më kishte arritur një hadith nga njëri prej sahabëve të Muhamedit [sal-lallahu alejhi ve selem] të cilin unë nuk e kisha ndëgjuar.

Menjëherë bleva një deve dhe u nisa për në Siri, ku udhëtova një muaj. Kur arrita kuptova se hadithin e njihte Abdullah ibn Unejs el Ensari. Shkova para derës së tij dhe i thash shërbëtorit të tij: Thuaj Abdullahut se kam ardhur për një hadith të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem]. Ai doli dhe kur më pa u habit dhe filloi të qajë nga gëzimi. Pastaj Xhabiri r.a ende pa hyrë brenda i tha: Kam ardhur të të pyes për një hadith ngase unë nuk jam i njohur për të dhe u frikova se mos po vdes pa e marur nga ti. Po i tha Abdullahu e kam ndëgjuar Pejgamberin [sal-lallahu alejhi ve selem] duke thënë: “Ditën e gjykimit njerëzit do të ringjallen të zhveshur…:” Me të ndëgjar këtë hadith xhabiri i hipi deves dhe u nis për në Medinë.”

Detyrë tjetër që muslimanët kanë ndaj haditht është që atë hadith që e din të ua përcjell vëllezërve të tij. Thotë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] në një hadith:”Zoti ia ndriçoftë fytyrën atij që e dëgjon një fjalë timen dhe e përcjell atë ashtu siç e dëgjon.”

Poashtu muslimani duhet që hadithin ta bënë program në jetën e tij, dhe ta respekton deri në maksimum atë, ngase siç thotë imam Maliku:”Secilit prej nesh mund t’i dëgjohet fjala dhe mund të mos i dëgjohet. Por personit që është në këtë varr, (Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem]) nuk bën veçse t’i dëgjohet fjala. Kjo, pasi ai ishte i pagabueshëm dhe fjalët e tij kishin burim hyjnor.”

Ibnu Musejjebi, hyri një ditë në xhami dhe fali dy rekate përshëndetje xhamie. Pas tij hyri një burrë i cili poashtu fali dy rekate përshëndetje xhamie. Pasi fali dy rekate, burri u ngrit përsëri dhe filloi të falej. Pasi përfundoi, Ibnu Musejjeb i tha:”O filan, namazi i përshëndetjes së xhamisë është dy rekat dhe jo katër.” Burri ia ktheu:”Zoti nuk do më ndëshkojë se falem.” Ibnu Musejjeb ia ktheu:”Nuk do të të ndëshkojë se falesh, por do të të ndëshkojë se ke braktisur sunetin e Profetit [sal-lallahu alejhi ve selem].”

Keqinterpretimi i hadithit

Hadithi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] ka pësuar keqinterpretime të shumta me anë të cilave shëmtohet e vërteta e hadithit, devijohet fjala nga domethënia e saj, kështu që largohet prej tij ajo që është thelbi i tij. Poashtu me anë të keqinterpretimit mundohet që të futet në Islam ajo që nuk është e tij, të largojnë atë që është Islame, apo të bëhen primare ato që janë sekondare dhe sekondaret primare. Pa dyshim se këto lloj keqinterpretimesh vinë nga injorantët të cilët në të shumtën e rasteve vishen me petkun e dijetarit. All-llahu [xhele-shanuhu] këta lloj njerëzish i paralajmëron me një dënim të rreptë duke thënë: “ All-llahu i di ata që tërhiqen prej jush tinëzisht, prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i idhët.”(En Nur 63)

Poashtu hadithin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] ku thotë: “Dhe kush bën shpifje ndaj meje (më bën gënjeshtar) vendqëndrimi i tij nështë zjarri”

Shumë njerëz në emër të asaj se e rruajnë hadithin ata në fakt më shumë e rruajnë formën e jashtme të saj sesa esencën e saj.

Është gjë e mirë të kujdesesh për pamjen dhe formën e jashtme të hadithit duke u kujdesur për lënien e mjekrës të gjatë, shkurtimin e pantallonave, apo mbajtja në dorë një misvak por nuk është mirë që këto gjëra të konsiderohen si esenca e hadithit apo si e gjithë feja. Poashtu nuk është mirë që ata njerëz që nuk i praktikojnë këta gjëra të akuzohen si jofetarë, apo si njerëz ndjekës së rrugës së mosbesimtarëve, kur dihet se këto gjëra dhe shumë tjera të ngjashme me këto konsiderohen si gjëra sekondare në fe e jo domosdoshmëri e fesë.

Shohim njerëz që duke u thirrur në hadithe marrin qëndrime aq ekstreme saqë shumë njerëz me besim të dobët i largojnë, e ne e dimë se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] nxiste çdoherë për më të lehtën duke thënë: “Lehtësoni e mos vështirsoni, përgëzoni e mos kërcënoni”

Në qoftë se një njeri njeh mirë metodën lehtësuese dhe tolerante të hadithit, por pëlqen të ndjekë natyrën e vet të veçantë të vështirësimit dhe sforcimit, atëherë ai nuk ka bërë asgjë pos që ka ndjekur dëshirat e veta. Pastaj keqinterpretimi i një personi edhe pse qëllimi i tij është i pastër pajtohet me qëllimin e keq të një personi që ndjek këtë keqinterpretim.

Pasojat si rrjedhojë e neglizhencës në këtë pikë janë të shumta. Shohim sot muslimanët në çfarë sprove janë duke kaluar.

Në mesin e muslimanëve u ndanë shumë grupe si pasojë e moskuptimit të drejtë e fjalëve të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] grupacione aq të rrezikshme saqë kanë filluar edhe vrasjet ndërmjet veti, apo akuzimin për mosbesimtar ndërmjet njëri tjetrit.

Llojet e keqinterpretimit

Cekëm më lartë se fatkeqësisht keqinterpretimi në hadithet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] ekziston, në vazhdim do të përmendim llojet e keqinterpretimit të haditheve.

Keqinterpretimi nga fanatikët apo ekstremët: vjen si pasojë e fanatizmit, largimit
nga maturia,toleranca dhe lehtësia metoda këto të cilat i ka përdorur Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem].

Simpatia ndaj ndonjë dispozite sheriatike ka futur disa njerëz që hadithet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] ti komentojnë ashtu siç ju konvenon atyre, duke harruar fjalën e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] : “Ruajuni nga teprimet në fe!

Pastaj asnjëherë nuk është mirë që njerëzve tu ngushtohet ajo që All-llahu [xhele-shanuhu] u ka lënë të lehtë duke dhënë gjithmonë tek më e rënda, duke i propozuar të marrin gjithmonë më të sigurtën, pa treguar lehtësimet në kohe kur ai ka nevoj për ta. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] thotë: “ All-llahu pëlqen të meren lehtësimet e Tij ashtu siç nuk pëlqen mëkatet ndaj Tij”

Nëse nuk ke njohuri ndaj ndonjë hadithi mos u ngut që të japish fetva nga hamendja por pyet ngase ilaçi i paditurisë është pyetja, dhe assesi mos e fut veten në atë që nuk ke njohuri duke thënë fjalë në emër të All-llahut [xhele-shanuhu] dhe të Dërguarit të Tij [sal-lallahu alejhi ve selem].

Keqinterptretimi nga gënjeshtarët: Gjithmonë pati tentime nga ana e armiqve të
Islamit që të futet diçka në Kur’an por pasi nuk patën sukses menduan se më lehtë do ta kenë që këtë ta bëjnë në hadithin e Pejhgamberita [sal-lallahu alejhi ve selem].

Por falë Zotit muhadithët u kanë mbyllur çdo kurth duke mos pranuar hadithe pa sened, por as senedin pa hulumtuar transmetuesit e tij një nga një derisa të mësojnë çdo gjë për të jetën, lindjen, vdekjen, ku ka mësuar, sa i besueshëm dhe i devotshëm ka qenë, sa kujtesë të fortë ka pasur dhe sa i saktë ka qenë në transmetimin e lajmeve, sa identike janë transmetimet e tij me transmetimet e besuara, sa transmetime janë vetëm prej tij, etj. Pasi që nuk arritën edhe në këtë aspekt ata përdorën metodë tjetër duke keqinterpretuar hadithet, metodë e cila padyshim nuk ndikoi te dijetarët por te masa e thjeshtë. Kjo metodë përdoret nga ata të cilët mundohen që në çfarëdo lloj mënyre të njollosin fenë më të pranuar te All-llahu, fenë e cila është duke u përhapur me shpejtësi më të madhe në botë por pa dyshim se nuk do të i’a arrinë qëllimin sepse

“Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket…”(El Enbija 18)

Keqinterpretimi i gabuar i injorantëve: Ky grup edhe pse ndoshta për qëllime të
mira i përshkruajnë islamit atë që nuk është prej tij, e bëjnë sekondare atë që është primare ose i japin përparësi asaj që është sekondare. Këta njerëz me leximin e vetëm një broshure mendojnë se kanë arritur gradën e një dijetari për të dhënë fetva. Është rrezik i madh kur injoranti vihet në ballë të grupit të njerëzve, bëhet lider i tyre dhe në mënyrën e vet gjykon mbi fenë dhe fatin e tyre. Muhammedi [sal-lallahu alejhi ve selem] ka theksuar se shenjë e shkatërrimit të botës është kur jokompetentët e marrin udhëheqjen. Në hadithe ka theksuar se shenja e shkatërrimit të diturisë do të jetë kur injorantët të depërtojnë në krye të njerëzve, ata do t’i pyesin e këta pa dije do të japin përgjigjje jopërkatëse, për ç’arsye do të shkatërrohen edhe këta edhe ata. Në disa xhemate tona ka ardhur deri te mosmarrëveshjet e rënda pikërisht për atë se disa xhematlinj, duke mos poseduar as dije mektebi mbi fenë i janë imponuar imamëve dhe xhematëve. Personi i thjeshtë e ka të ndaluar ti qaset asaj për të cilën nuk ka njohuri. Konsultimin me dijetarët për çfarëdo qoftë çështje të jetë në rend të parë, ngase All-llahu [xhele-shanuhu] thotë:…Për këtë pyete ndonjë shumë të dijshëm. (Furkan 59)

Shkaqet e keqinterpretimit

Shkaqet që kanë ndikuar në keqinterpretimin e haditheve janë të shumta, prandaj disa më të rëndësishmet do t’i theksojmë në vazhdim:

Urrejtja ndaj Fesë islame: Kohëve të fundit urrejtja ndaj Islamit dhe luftimit të tiij është përhapur në çdo skaj të botës. Komente jo të përshtatshme për të Dërguarin e Zotit dhe shpifje ndaj tij, nxjerrja e ajeteve dhe haditheve nga konteksti i tyre për të sulmuar Islamin, pohimet se sulmet terroriste nuk janë dukuri të izoluara brenda muslimanëve por janë dukuri që përhapen dhe që arsyetohet me argumente fetare. Pretendimet se Islami është shkaku për moszhvillimin e muslimanëve dhe se ai ndeshet me shkencat natyrore dhe teknike, janë vetëm disa nga akuzimet që i bëhen islamit.
Në bazë të kësaj, shpifin se Islami është përhapur më forcën e shpatës dhe jo me forcën e argumenteve bindëse apo në saje të mësimeve dhe vlerave të tij. Duhet thënë se, për fat të keq, ky trillim ka ndikuar shumë te jomuslimanët të cilët në mënyrë naive mendojnë se Islami nuk mund të kishte miliona ithtarë nëpër botë sikur mos të ishte përhapur me anë të forcës dhe nën kërcënimin e dhunës. Është e vërtetë se Islami është feja e përhapur me shpejtësi më të madhe mirëpo kjo nga shkaku se atë e ndihmoi Allahu xh.sh. Kjo fe ende vazhdon të përhapet dhe është forca e së vërtetës dhe logjikës të cilat janë të mishëruara në parimet e tij, siç thotë Ahmed Didad, është e vërtetë se Islami është përhapur me shpatë, por me shpatën e intelektit. Këtë e vërteton fakti se personat që e përqafojnë Islamin janë kryesisht nga radhët e intelektualëve, dhe kjo ndodh përkundër faktit se bota islame ndodhet në një situatë jo të mirë, nga shkaku se intelektualët janë ata të cilët e studiojnë Islamin e jo muslimanët.

Një analizë: muslimanët sunduan në Spanjë rreth 800 vjet. Gjatë kësaj kohe nuk u bë asnjë imponim që ndonjë prej jomuslimanëve të përqafojë Islamin ngase në islam egziston parimi “Nuk ka dhunë në fe…” (Bekare 256).

Nëse dikush analizon botën arabe do të sheh se atje ekzistojnë komunitete të mëdha krishterësh arabë, si në Siri, Palestinë, Sudan dhe Egjipt, edhe pse muslimanët sundojnë në Arabi prej 1400 vjetësh, vallë, nëse muslimanët do ta kishin përhapur islamin me dhunë, a do të mbetej ndonjë i krishter nëpër ato vende?

2. Grindja dhe polemika mes muslimanëve. Thotë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve
selem]: “Nuk ka humbur ndonjë popull pas udhëzimit që ka qenë në të, vetëm pasi që janë dhënë pas dialogut e polemikës”, pastaj ka vijuar me leximin e këtij ajeti: “Ata nuk ta thanë atë vetëm si polemikë, por ata janë njerëz ngatërrestarë.” (Zuhruf, 58)

Imam Maliku thotë: “Polemika e ashpërson dhe forcon zemrën dhe bën që të lindin në të urrejtjet dhe inatet”. Ndërsa Ibni Rexhebi thotë: “Prej gjërave që i kanë përbuzur dijetarët e të parëve tanë është dialogu, kundërshtimet dhe gjithashtu polemika në çështjet e hallallit dhe të haramit. Një gjë e tillë nuk ka qenë rruga e prijësve, dijetarëve të Islamit, por u shpikë më vonë pas tyre”. Disa nga selefët kanë thënë: “Kur Allahu ia do të mirën një robi ia hap dyert e punës dhe ia mbyll derën e polemikës e kur Allahu xh.sh. ia do një robi të keqen, ia mbyll dyert e punës dhe i hap atij derën e polemikës”. Sot fatkeqësisht shohim se muslimanët janë dhënë me të madhe pas debatit. Çështjet si a të mbahet ora në dorë të djathtë apo në të majtë, a duhet të mbahen pantallonat e gjata a po të shkurtohen etj. janë bërë pothuajse primare te disa muslimanë.

Në këtë pikë do të cekim disa hadithe që keqinterpretohen si rezultat i grindjeve dhe polemikave në mes muslimanëve:

Hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. ku thotë: “”Dallohuni nga idhujtarët
lëshoni mjekrat dhe shkurtoni mustaqet!” Nga keqinterpretimi i këtij hadithi nxiret se lëshimi i mjekrës është e obliguar dhe ruajta e mjekrës është ndryshim i krijimit të Allahut, se ai i cili nuk ka mjekër nuk mund të hyjë në xhenet!

Nëse shohim hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. të kësaj natyre, si p.sh. “dallohuni nga këta duke bërë këtë”, kemi shumë hadithe, të cilat njëherit nuk janë të obligueshme edhe pse është i njëjti tekst, p.sh: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të Ithtarëve të Librit (krishterët dhe jehudët) është ngrënia e syfyrit.” (Transmeton: Muslimi; 1096, Ebu Davudi; 2343, dhe Hakimi; 1\431) A thua në bazë të këtij hadithi ka ndonjë dijetar i cili thotë se të hash syfyr është obligim, ndërsa dihet që agjërimi është obligim ndërsa syfyri është sunet. Pra nuk duhet hadithet të miren shablon dhe të nxiren dispozita pa u analizuar mirë.

Hadithi i Pejgamberit s.a.v.s.:“Bëni (o ju gra) tespih, tehlil dhe
takdis dhe mos jini shpërfillëse qe ta harroni tevhidin! Dhe numëroni me gishtërinjtë tuaj, sepse do te pyeten (edhe gishtërinjtë) dhe ato do të përgjigjen!” (Transmeton: Ibn Ebi Shejbe, Ebu Davudi, Et-Tirmidhi dhe El-Hakimi)

Në bazë të këtij hadihti mundohet që të ndalohet përdorimi i tespiheve, ku disa injorantë duke u bazuar në mendjen e tyre të kufizuar shkojnë deri në atë sa që i hedhin tespihet prej xhamive gjë e cila ngjall fitne në mesin e besimtarëve. Pejgamberi a.s. plot njëzetetre vjet thirri në islam dhe nuk urdhëroi që menjëherë të hiqen putat nga Qabja e cila ishte e mbushur me idhuj nga frika e fitnes. Ne mund të themi se ky hadith nuk është kuptuar sa duhet apo është nxjerr nga konotacioni i vet, ngase, as ky hadith, e as hadithet e tjera që janë të ngjajshëm, nuk argumenton se është e ndaluar të përdoren tespihet.

Kemi shumë transmetime që lejojnë përdorimin e tespiheve. Transmetohet se Ebu Safijjes, r.a. shërbëtorit te Dërguarit te Allahut s.a.v.s. iu soll tepih nga lëkura dhe enë me gurrëz të imët me te cilët bëri tespih deri në drekë, dhe pastaj tespihet dhe enën ia hoqën. Ndërsa, kur Ebu Safijja, r.a. e fali namazin e iqindisë, përsëri ia kthyen ato dhe ajo bëri tespihe me to deri në aksham. (El-Begavi, Mu’xhemu’s-Sahabe; Ibn Asakir, Tarih.Ibn Ebi Shejbe në Musannafin e tij). Nga shërbëtori i Sa’dit, transmeton se Sa’d ibn ebi Vekkas ka bërë tespih me guralecë ose me koci prej hurmave. Pra, një sahabij i madh dhe i famshëm bën tespih me guralecë!

Hadithi i Pejgamberit s.a.v.s..: “Tre personave nuk do tu flasë Allahu
në Ditën e Gjykimit: Ai i cili jep lëmoshë dhe e përmend, shitësi i cili e lëvdon mallin e tij duke u betuar rrejshëm dhe ai që zgjat rrobat e tij”. Në një transmetim tjetër thuhet: “Tre personave nuk do tu flet Allahu xh.sh. në Ditën e Gjykimit, nuk do t’i shikojë, nuk do t’i pastrojë nga gabimet dhe për ta do të ketë dënim të madh.”

Këtë e përsëriti tri herë. Ebu Dherri tha: Paskan humbur dhe qenkan shkatërruar! Po kush janë ata? I Dërguari s.a.v.s. tha: Zgjatësi i rrobave, dhënësi i lëmoshës i cili e përmend atë, dhe shitësi i cili betohet rrejshëm gjatë tregtisë së tij.”

Edhe këta hadithe janë prej atyre të cilat kanë rrënë në duart e injorantëve dhe janë keqinterpretuar. Sipas disave, në bazë të këtyre haditheve, muslimanit nuk i lejohet t’i mbaj rrobat e gjata nën zogun e këmbës.

Mirëpo e vërteta e këtij hadithi nuk është kjo, por e vëteta është se në këtë hadith bëjnë pjesë ata persona të cilët i lëshojnë rrobat e tyre nga mendjemadhësia. Në këtë kontekst kemi hadithin ku i Dërguari s.a.v.s.. ka thënë: “Kush tërheq rrobat e tij zvarrë me mendjemadhësi, Allahu nuk do ta shikoj në Ditën e Gjykimit”. Atëherë, Ebu Bekri r.a. tha: Një pjesë e rrobës time zvarritet nëpër tokë përveç nëse i kushtoj kujdes të veçantë? Atëherë i tha: “Ti nuk je nga ata që e bëjnë nga mendjemadhësia”. Gjithashtu, transmeton Ebu Bekrete i cili tregon: “U zu dielli përderisa ne ishim te Pejgamberi s.a.v.s. Ai u ngrit dhe nga të shpejtuarit e tërhiqte zvarrë rrobën e tij derisa arriti në xhami”.

Këto janë vetëm disa hadithe në këtë temë të cilat keqinterpretohen dhe nxiren nga konotacioni i tyre.

Kapja për në ide të tjera dhe jo për Kuranin dhe Sunnetin. Kjo çështje është shumë e ndërlikuar por edhe e ndjeshme. Shumë njerëz muslimanë përçahen se u përkasin ideve të ndryshme dhe përfaqësojnë ideologji të ndryshme. Madje nga injoranca e tyre mund të përfaqësojnë dhe të mbrojnë edhe ide laike dhe anti fetare. Disa të tjerë janë të lidhur me individ të caktuar dhe besojnë se të gjithë njerëzimi duhet të lidhet me të dhe rrethin e tij. Kështu p.sh disa njerëz duke u thirrur në teoritë e filozofëve që kanë për femrën, ata këto teori ia mveshin edhe Islamit duke e quajtur edhe si përkrahës i këtyre teorive bazuar në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. ku thotë: ”Gratë janë me mendje dhe besim të mangët” (Mutefekun Alejhi)
Hadithi është i vërtetë, mirëpo mënyra se si është kuptuar ky hadith është gabim, pasi që ky hadith nuk ka për qëllim dobësinë e femrës dhe injorimin e saj, por ky hadith na tregon natyrshmërinë e gruas nga ana e krijimit. Gruaja nga natyra e saj është krijesë që e mbizotërojnë emocionet, kjo nga shkaku se Zoti i ka ngarkuar gruas funksione dhe detyra të ndjeshme, si shtatzania, gjithënia, rritja dhe edukimi i fëmijëve, funksione të cilat nuk realizohen me anë të mendjes por me anë të emocioneve. Ndjenjat e saja mbizotërojnë logjikën e saj dhe ato janë më të shprehura se sa aktiviteti i saj mendor, ngase ajo është e formuar më shumë të bartë se sa të imponojë, më shumë pranon të nënshtrohet se sa të sundojë.

Metodat e kuptimit të drejtë të hadithit

Ai që do të punojë me hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. duhet të ketë parasysh që të hiqet prej shtrembimeve të gënjeshtarëve dhe interpretimet e të paditurve. Poashtu duhet t’u përmbahet disa çështjeve që konsiderohen si parime themelore të kësaj shkence.

Detyrë e dijetarit është që gjatë argumentimit me një hadith të hulumtojë me qëllim që ta pastrojë njohurin e tij nga hadithet e dobëta, me të cilat janë mbushur shumë libra fetare, pastaj dijetarin nuk guxon ta tërheq përhapja e një hadithi në mesin e njerëzve pasi që një hadith të jetë i njohur nuk do të thotë se është edhe i vërtetë. Dijetari e ka për detyrë që para se ta plasoj një hadith në mesin e njerëzve të thjeshtë, atë hadith ta analizojë mirë duke përdorur të gjitha disiplinat e klasifikimit të hadithit siç janë: disiplina mbi kuptimin e fjalëve të panjohura të hadithit, disiplina rreth harmonizimit të haditheve që s’janë në pajtueshmëri në mes veti, harmonizimi i haditheve që kanë të bëjnë me një temë etj.

Për të kuptuar hadithin në mënyrë sa më precize duhet të analizohen rrethanat në të cilat është thënë hadithi.

Shohim se për të ardhur te kuptimi i një hadithi sa më mirë kërkohet punë dhe dituri. Është e vërtetë se të gjithë njerëzit nuk janë në një nivel të diturisë, prandaj ka nevojë që njerëzit të cilët nuk janë të thelluar në dituri, të ndjekin ata të cilët kanë studiuar rreth fesë, pasi ata më mirë i kuptojnë tekstet fetare, pasi edhe vetë urdhër i Allahut [xhele-shanuhu]. është: “Pyetni dijetarët nëse ju nuk dini” (Nahl; 43)

Në këtë drejtim ne duhet të kemi kujdes që të mos pyesim çdo njeri rrugës për fenë, e të marrim dispozita nga njerëz të cilët diturinë e kanë të pa verifikuar, por do të pyesim njerëzit e ditur, do të ndjekim një shkollë juridike, pra, medhhebin të cilin e kanë përkrahur shumica e botës islame, pasi që nuk mund të thirret çdo njëri në marrjen e fesë direkt nga Kur`ani dhe hadithi, kjo është absurde, pasi çdo njeri i thjeshtë i cili ka lexuar ndonjë revistë me përmbajtje fetare nuk guxon t`i jap guxim vetes e të flas rreth fesë pa njohuri. Pejgamberi është kërcënuar rëndë duke thënë: “Dhe kush bën shpifje ndaj meje (më bën gënjeshtar) vendqëndrimi i tij është në zjarr” (Mutefekun Alejhi)

Përçarja e muslimanëve

Edhe përskaj asaj se thirrja për unitet dhe vëllazërim në mes të muslimanëve gjendet në shumë ajete kur’anore dhe hadithe të Pejgamberit s.a.v.s., sot muslimanët i gjen në gjendje të mjerueshme. Fatkeqësisht edhe hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. duke mos ua dhënë hakun dhe duke i nxjerr nga konteksti i tyre, ashtu siç folëm deri tani, janë bërë shkak për përçarje. Mu kjo është një prej shkaqeve që muslimanët sot i shohim duke luftuar njëri me tjetrin, duke shpifur njëri tjetrin për mëkatarë apo jobesimtarë, ndërsa e gjithë kjo për shkak të dallimeve në mendime.

Si duket, jemi duke jetuar në kohën për të cilën Muhammedi a. s. ka thënë:
“Pasardhësit e mi do të ndahen në shtatëdhjetë e tri degë, prej të cilave në mëshirën e Zotit do të jetë vetëm një, e kjo është ajo që do t’i mbahet drejtimit në të cilin jam unë dhe shokët e mi.”

A thua është në rregull që e gjithë kjo përçarje të ndodhë vetëm për shkakun e disa mospajtimeve në çështjet dytësore?! As’habët r.a., ka patur raste kur nuk janë pajtuar në disa çështje, mirëpo në këtë nuk ka pasur kurrfarë dëmi për fenë as që ka ndikuar në unitetin ndër muslimanët, në të vërtetë manifestohej gjerësia e mendimit islam. Kështu ata llojllojshëm i kanë kuptuar disa ajete dhe hadithe, por për këtë shkak ndërmjet veti nuk janë grindur, nuk kanë polemizuar.

Për shembull, Ibn Umeri rrëfen se Muhammedi a. s., kur kthehej nga Ahzabi ka thënë: “Askush mos ta falë ikindinë pos te fisi Kurejdhë.” Por, disa ende ishin në rrugë kur hyri koha e ikindisë, e disa mendonin se nuk duhet falur deri në vendin e caktuar, kurse të tjerët se duhet dhe se kjo nuk do të jetë kurrfarë gabimi. Më vonë këtë rast ia rrëfyen Pejgamberit a. s., dhe ai askë nuk e qortoi. (Mutefekun Alejhi)

Besimtari i sinqertë duhet të ketë kujdes që mos të bëj ndonjë vepër apo të thotë ndonjë ide e cila do të rezultonte me përçarje. Ibn Abbasi transmeton se Muhammedi a. s. ka thënë: “Kush në obligimet (të drejtat) e veta sheh diç që personalisht nuk i përgjigjet le të durojë (e mos të bëjë përçarje), sepse kush largohet prej Bashkësisë vetëm për një pëllëmbë dhe në gjendjen e tillë vdes, ka vdekur me vdekjen e të pafeut.” (Transmeton Muslimi)