Etikë

Keni dëgjuar tregimin për shejhun nga Az’hari dhe prostitutën?

1.06Kviews

Shejh Ahmed Ez-Zejat ishte një profesor i cili nuk dinte asgjë tjetër në këtë botë, përveç: Al-Azharit ku ligjëronte, shtëpisë në të cilën jetonte dhe rrugës midis tyre.

Me kalimin e viteve, vinte duke u plakur, shëndeti i tij filloi të përkeqësohej dhe kishte nevojë për pushim. Mjeku i tha që të merr pushim dhe të shkoj diku jashtë vendit të tij të banimit dhe të punës, dhe e këshilloi që të pushojë në qetësi në një park përreth Nilit.

Një ditë, shejhu doli dhe në rrugë e ndaloi një karrocë (në atë kohë nuk kishte makina). Ai i tha vozitësit: “O bir, më ço në ndonjë vend të bukur ku mund të kënaqem duke shikuar dhe të pushoj”.

Mirëpo, vozitësi i karrocës kishte qenë njeri i keq dhe shejhun e çoi në një vend ku kishte disa shtëpi publike. Pas mbërritjes, ai i tha shejhut: “Ja erdhëm.”

Shejhu i tha: “O bir, namazi i akshamit po afrohet, ku mund të falem? Më ço deri te xhamia më e afërt.”

Vozitësi ia tregoi njërën prej atyre shtëpive, dhe i tha: “Ja atje është xhamia.”

Dera e shtëpisë ishte e hapur, dhe gruaja që e udhëhiqte atë shtëpi po rrinte ulur, në mënyrën që zakonisht ulen gratë si ajo.

Kur shejhu e pa këtë, e uli shikimin. E shikoi një vend ku mund të ulej, shkoi aty dhe u ul për ta pritur ezanin.

Gruaja e habitur vetëm po e shikonte – “Çka e solli këtu këtë njeri!”

Ai nuk dukej si klientët e saj të rregullt.

Ajo ishte zhytur në mendime, por nuk po guxonte ta pyeste çka po bënte ai aty. Ajo që po e pengonte për ta pyetur ishte turpi, i cili kishte mbetur në zemrën e saj, edhe pse ishte prostitutë. Mirëpo, turpi shfaqet vetëm tek njerëzit e devotshëm.

Ai, nga ana tjetër, po bënte tesbih (duke shqiptuar:
Subhanallah) duke shikuar në orën e tij, deri sa nga larg e dëgjoi ezanin për namaz të akshamit.

Atëherë pyeti: “Ku është muezini këtu? Pse nuk e thirri ezanin për namaz pasi që ka ardhur koha? A mos je ti vajza e tij?”

Ajo… po qëndronte e heshtur.

Ai priti edhe një kohë, pastaj tha: “Oj bijë, koha e namazit të akshamit është e shkurtër dhe nuk lejohet që ta shtyjmë, e pasi që nuk po shoh këtu askënd tjetër, nëse ke abdes, qëndro prapa meje të falemi në xhemat.”

Ai e këndoi ezanin, dhe pastaj pa shikuar në të, derisa po përgatitej ta këndonte ikametin, vuri re se ajo ende po qëndronte pa lëvizur pas tij.

Ai e pyeti: “Çka nuk është në rregull? A nuk ke abdest?”

Papritmas, sikur u zgjua imani i saj dhe sikur iu kujtuan ato ditët e vjetra kur ishte e mbushur me pastërti dhe ishte larg nga mëkati, ajo filloi të qajë me zë të lartë, dhe e hodhi veten para këmbëve të tij.

Shejhu u befasua dhe nuk dinte në çfarë mënyre ta qetësonte.
Atëherë ajo filloi t’i tregonte për jetën e saj.

Në fjalët e saj ai pa një pendim të madh dhe e ndjeu të vërtetën e pendimit të saj. E kuptoi sinqeritetin e asaj që ajo po thoshte, andaj i tha asaj: “Dëgjo, o bija ime, se çka thotë Zoti i të gjitha krijesave:
“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (ez-Zumer, 53)
Të gjitha mëkatet, o vajza ime, të gjitha mëkatet …

Dyert e pendimit janë të hapura për çdo mëkatar, ato janë aq të gjëra dhe mund t’i përfshijnë të gjithë, pavarësisht sa janë … madje edhe mosbesimin.

E pra, kushdo që rebelohet tek i Plotfuqishmi, pasiqë ka besuar, por pastaj pendohet para çastit të vdekjes, duke qenë i sinqertë në pendimin e tij, dhe e ripërtërinë Islamin e tij, Allahu do ta pranojë atë pendim.

Allahu, o bija ime, është më Bujar se të gjithë. A ke dëgjuar ndonjëherë, që një bujar ua ka mbyllur derën para hundës atyre që kanë ardhur për të kërkuar tek ai?

Çohu, shko merr abdest dhe mbulohu. Shko dhe pastroje me ujë lëkurën tënde, kurse zemrën tënde me istigfar. Afrohu te Zoti yt dhe unë do të pres. Por mos u vono që mos të na kalojë namazi i akshamit.”

Dhe pastaj ajo bëri atë që kërkoi ai dhe u kthye në një fustan të ri dhe me zemër të re. Pastaj qëndroi prapa tij dhe u fal. Ajo ndjeu kënaqësi në këtë namaz dhe ndjeu se me këtë namaz e kishte pastruar zemrën e saj.

Kur e përfunduan namazin, shejhu i tha asaj: “Eja me mua dhe përpiqu të ndërpresësh çdo lidhje që ke me këtë vend dhe me të gjithë në të. Mundohuni ta shlyesh nga kujtesa jote kohën që ke kaluar këtu.

Lutu Allahut për falje dhe shtoji veprat tuaja të mira.
Vërtetë, kurvëria nuk është mëkat aq i madh sa kufri (mosbesimi), kurse Hind (bint ‘Utbe) ishte jobesimtare dhe në zemrën e saj ushqente armiqësi ndaj Pejgamberit (savs), ajo madje u përpoq ta hante mëlçinë e Hamzës (r.a.). Pas kësaj, ajo u bë një besimtare e devotshme saqë për të filluam të themi: ‘Allahu qoftë i kënaqur me të’ (r.a.).”

Shejhu pastaj e çoi në shtëpinë e grave të devotshme dhe ia gjeti një burrë të devotshëm dhe e këshilloi që të kujdeset mirë për të.

“Kur njeriu (robi) e kryen një mëkat, në zemrën e tij mbetet një pikë e zezë, e nëse pendohet, e lë mëkatin dhe kërkon falje nga Allahu, zemra e tij përsëri bëhet e bardhë. Nëse vazhdon të kryejë mëkate, e zeza rritet derisa të errësohet zemra. Kjo është perdja për të cilën Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Veprat e tyre (të këqija) i kanë ndryshkur zemrat e tyre (i kanë nxirë).” (el-Mutaffifin, 14) (Hadithi nga Tirmidhiu)

Shkroi: Ali et-Tantavi; /IslamBosna.b

Përktheu: Miftar Ajdini