Globus

Katari kërkon ndërhyrjen e OKB-së për haxhinjtë

583views

Autoritetet e Katarit kanë kërkuar nga instancat kompetente të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të ndërhyrë me qëllim të eliminimit të kufizimeve dhe ndalesave të qeverisë së Arabisë Saudite për haxhinjtë e Katarit, raporton Anadolu Agency (AA).

Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të Katarit (NHRC) ka thënë se Këshilli i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UNHRC) dhe raportuesi special kompetent i OKB-së për të drejtat e njeriut dhe lirinë fetare dërgoi një letër përmes së cilës kërkon që haxhinjëve nga Katari t’u sigurohet liria fetare në Arabinë Saudite.

Në letër thuhet se Doha zyrtare është e shqetësuar për faktin se autoritetet në Riad nuk kanë bërë asnjë hap pozitiv drejt heqjes së ndalesës për haxhinjtë nga ky vend i Gjirit.

“Apelojmë që Arabia Saudite urgjentisht të marrë masat e nevojshme ashtu që pelegrinët nga Katari të kenë të njëjtat kushte dhe liritë në kryerjen e riteve fetare”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Kryetari i NHRC-së Ali ibn Samih al-Merri.

Al-Merri më tej paralajmëron se periudha e Haxhit po afrohet, dhe se ende në fuqi janë ndalesat e fluturimeve direkte ajrore midis Katarit dhe Arabisë Saudite dhe se kufiri i tokës mbetet i mbyllur. Haxhinjtë e Katarit nuk mund të aplikojnë për Haxh as përmes mënyrës elektronike.

Nga ana tjetër, Ministria e Haxhit dhe Umres e Arabisë Saudite dy ditë më parë njoftoi se përgatitjet për Haxhin e këtij viti kanë përfunduar dhe se në Mekë dhe Medinë pritet të arrijnë haxhinjë nga të gjitha anët e botës.

Deklarata thotë se edhe haxhinjtë e Katarit mund ta kryejnë këtë ritual, por përmes kompanive ajrore jashtë Katarit.

Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini vitin e kaluar ndërprenë lidhjet dhe bllokuan hapësirën ajrore dhe kufijtë tokësorë me Katarin, të cilin ata e akuzojnë për “mbështetje të terrorizmit”.

Katari mohon akuzat dhe kërkesat e palës tjetrit i konsiderohen si goditje ndaj sovranitetit të vendit.