Globus

Karain, shpella e cila hedh dritë mbi historinë e para 500 mijë viteve

298views

Shpella Karain në Turqi, në të cilën janë gjendur mbetje të shtazëve si hipopotami, rinoqeronti, elefanti dhe mbetje të njerëzve Homo Neandertal, paraqet një atraksion për turistët vendës dhe të huaj, raporton Anadolu Agency (AA).

E vendosur në shpatet gëlqerore të malit Katran, 27 kilometra larg nga Antalya, shpella mahnit me bukuritë e saj natyrore.

Që nga kohërat e lashta është përdorur si vendstrehim për shkak të kushteve të volitshme të rrethinës, kurse në ditët e sotme kjo shpellë paraqet një vend i cili ofron pamje të bukura për turistët.

Shpella Karain gjendet në një lartësi prej 400 metrash, ku ngjitja bëhet përmes shkallëve. Vizitorët mund të zbresin në thellësi të shpellës, ku mund të shohin stalaktitet dhe stalagmitet të cilat janë formuar me mijëra vite dhe nëpërmjet fotografisë i përjetësojnë këto momente.

Në shpellë, gërmimet në të cilën vazhdojnë edhe sot që nga zbulimi në vitin 1946, janë gjendur mbetje të shtazëve si hipopotami, rinoqeronti dhe elefanti, si dhe mbetje të njerëzve Homo Neandertal, ndërsa hedh dritë mbi historinë njerëzore dhe natyrore.

Anëtari i departamentit të Arkeologjisë pranë Fakultetit të Gjuhës, Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin e Ankarasë, njëherësh kreu i gërmimeve në shpellën Karain, Prof. Dr. Harun Taşkıran, për AA tha se të dhënat e para lidhur me shpellën Karain i kanë gjetur disa udhëtarë italianë të ardhur në Antalya në fillimet e shekullit të 20-të.

Duke theksuar se udhëtarët më shumë ishin kureshtarë për librat e shenjtë në greqishte në muret e jashtme të shpellës, Taşkıran shtoi: “Gjetja e vërtetë e shpellës dhe prezantimi para botës shkencore është bërë me perpjekjet e Prof. Dr. İsmail Kılıç Kökten të ndjerë në vitin 1946. Kökten, me ndërprerje, ka vazhduar gërmimet arkeologjike deri në vdekjen e tij në vitin 1974”.

Taşkıran tha se në vitin 1985, gërmimet i ka nisur një ekip nën kryesimin e asistentit të Köktenit, Prof. Dr. Işın Yalçınkaya, ekip ky në të cilin bënte pjesë dhe vetë ai. Ai më tej theksoi se që nga viti 2015 është i ngarkuar me detyrën e kryesimit të gërmimeve dhe shtoi se në thellësi prej 50 metrave të shpellës, gjenden tri zbrazëti dhe se në ato thellësi mund të zbresin vetëm profesionistët e shpellave.

Taşkıran gjithashtu bëri të ditur se për shkak të burimeve të ujërave të ëmbël në rajon, shpella është shndërruar në vend travertini.

Në korrik do të fillojnë gërmimet

Sipas Taşkıran, veçantia më e madhe e kësaj shpelle që e dallon nga shpellat e tjera në Turqi është pasuria kulturore e gjendur në thellësi prej 11 metrash. Në shpellë gjenden dëshmi të cilat tregojnë se ky vend ka qenë vendbanim i vazhdueshëm duke filluar prej 500 mijë vitesh më parë e deri te periudha e vonshme e Romës dhe periudha e hershme e Bizantit.

Duke theksuar se gërmimet për Epokën Paleolitike janë duke vijuar më rëndë dhe se gërmimet po realizohen centimetër pas centimetri me mjete të vogla të dentistëve, me mistri dhe brusha, Taşkıran shtoi se gërmimet kryhen me vendosmëri në shtresat që i përkasin periudhës së para qindra mijëra viteve.

Ai më tej bëri të ditur se në gërmime më së shumti janë gjetur mbetje eshtrore të shtazëve të cilët ishin gjuajtur me mjete të ndryshme të gurit nga njerëzit e periudhës së paleolitit dhe janë sjellë në shpellë.

“Disa prej eshtrave të këtyre shtazëve i përkasin elefantit, hipopotamit dhe rinoqerontit, të cilët janë zhdukur dhe nuk jetojnë më në Anadoll. Prandaj, këto janë mbetje të rëndësishme dhe mundësojnë kontribut në historinë natyrore të rajonit. Sipas nesh, të gjitha gjetjet janë shumë të rëndësishme. Veçanërisht në shtresat e periudhes së Paleolitit të mesëm, janë gjetur fosile të njerëzve Homo Neandertal të cilët janë zhdukur dhe këto gjenden vetëm në shpellën Karain”, tha Taşkıran.

Ai gjithashtu tha se gërmimet do të vazhdojnë në korrik dhe gusht dhe me projektin e përgatitur synohet të zbulohet se kur për herë të parë shpella ishte banuar nga njerëzit e periudhës së Paleolitit.

“Shpella Karain është e vizituar nga një numër më i madh i vizitorëve sesa shumë muze në Turqi. Turistët tërhiqen nga fakti që ky është vendi më i vjetër i banuar në rajon dhe se posedon pasuri kulturore dhe natyrore. Në Antalya ka shumë qytete antike që vizitohen nga turistët. Megjithatë, nuk ka vendbanim tjetër shpellor si shpella Karain”, u shpreh Taşkıran, i cili shtoi se përpiqen të promovojnë shpellën Karain edhe jashtë vendit.